string(41) "ditari-i-javes-kafka-fletorja-e-pare-9x11"

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:16

Ditari i javës/ Kafka: Fletorja e parë, 9×11

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:16

Ditarët e Franza Kafkës (1883-1924) janë mbajtur nga viti 1910 deri më 1923.

FLETORJA E PARË

9 X 11

Nëse do të mund të arrij moshën 40 vjeçe, me shumë gjasë do të martohem me një shërbëtore të moçme me dhëmbë të sipërmë të dalë jashtë, disi të ekspozuar nga buza e sipërme. Dhëmbët e sipërmë të përparmë të Frl. Kaufmannit1, e cila ishte në Paris dhe Londër, janë të rreshtuar kundër njëri-tjetrit si këmbë të kryqëzuara nxitimthi te gjunjët. Por zor se do të jetoj aq sa të jem dyzet vjeç dhe kundër kësaj perspektive flet, për shembull, tensioni që shpesh rëndon mbi gjysmën e majtë të kafkës sime, që e ndiej si një lebër e brendshme dhe e cila, kur nuk ia var pakënaqësisë dhe përpiqem vetëm ta kundroj, krijon tek unë të njëjtën përshtypje si të parët e prerjeve përqark kafkës në librat shkollorë, ose si një autopsi pothuajse e padhembshme për së gjalli, ku thika, duke u ftohur pakëz, me shumë kujdes, shpesh duke u ndalur dhe duke u kthyer mbrapa, nganjëherë duke pushuar, pret mbështjellësit si letër e hollë në ndarje edhe më të holla bukur afër pjesëve aktive të trurit.  

Ëndërr nga nata e kaluar, të cilën as në mëngjes nuk e konsiderova të bukur, përveç një skene të vogël qesharake që kishte të bënte me dy kundër-vërejtje, që rezultuan në kënaqësinë e tmerrshme ëndërrore, por që pastaj e harrova. Po ecja – nuk e mbaj mend nëse Maxi ishte që nga fillimi – përgjatë një rreshti shtëpish në nivelin e katit të dytë ose të tretë, ashtu siç ecim në korridorin e trenit prej një vagoni në tjetrin. Po ecja bukur shpejt, ndoshta po ashtu ngase nganjëherë shtëpia ishte shumë e brishtë sa duhet të nxitosh vetëm për këtë arsye. Madje as që i vura re dyert mes shtëpive, ishte vetëm një suitë e gjerë dhomash dhe prapë jo vetëm dallimet mes apartamenteve individuale, por po ashtu edhe shtëpitë mund të shquheshin. Me gjasë ishin të gjitha dhoma me shtretër përmes të cilëve po kaloja. Një shtrat tipik ka ngecur në kujtesën time, i vendosur në anën e majtë te muri i ndyrë dhe i errët, me gjasë pjerrtas, si në ndonjë atik, me një kapicë të vogël rrobash të gjumit në të dhe një mbulojë, në të vërtetë vetëm një çarçaf i zhubravitur, i bërë shuk nga këmbët e njerëzve që kishin fjetur aty, hedhur në një qoshk. Ndihesha i turpëruar që po ecja mes dhomave të njerëzve në një kohë kur shumica e tyre ishin ende të shtrirë në shtretërit e tyre, sado që ecja maje gishtave me hapa të mëdhenj, me çka disi shpresoja të tregoja se po ecja vetëm ngase isha i detyruar, po e trajtoja gjithçka me aq kujdes sa ishte e mundshme dhe duke shkelur lehtë ashtu që ecja ime praktikisht të mos bëhej hesap. Për të njëjtën arsye kurrë s’e ktheva kokën në asnjërën dhomë dhe pashë vetëm atë që ishte përpara në rrugë ose majtas në murin mbrapa. Rreshti i apartamenteve shpesh ndërpritej nga shtëpitë publike, përmes të cilave, sidoqoftë, megjithëse s’do mend unë isha duke e bërë këtë udhëtim për hatër të tyre, ecja posaçërisht shpejt, kështu që s’mbaj mend asgjë tjetër veçse praninë e tyre aty. Dhoma e fundit nga të gjitha apartamentet, sidoqoftë, ishte prapë një shtëpi publike dhe unë u ndala aty. Muri përballë derës përmes së cilës hyra brenda, pra muri i fundit i rreshtit të shtëpive ishte bërë nga xhami ose ishte thyer, prandaj nëse do të ecja, do të bija poshtë. Më shumë ka gjasa që të ishte shpartalluar, ngase prostitutat ishin shtrirë në cepin e katit, dy nga të cilat i shihja qartë, në dysheme, koka e njërës e varur pakëz jashtë cepit në ajër. Majtas ishte një mur i fortë, ndërsa muri në të djathtë nuk ishte i kompletuar, mund të shihje poshtë në oborr edhe pse jo deri krejt në fund dhe një shkallë e shkallmuar e hirtë shtrihej poshtë në disa seksione. Gjykuar nga drita në dhomë, tavani ishte i njëjtë me ata të dhomave të tjera. Më duhej të merresha kryesisht me prostitutën koka e së cilës varej poshtë, Maxi me atë të shtrirë ngjitur saj në të majtë. I ndjeva këmbët e saj, pastaj nisa t’i shtypja kofshët e saj në intervale të rregullta. Kënaqësia ime teksa bëja këtë ishte aq e madhe sa u befasova se për një argëtim të tillë, që ishte përnjëmend më i mrekullueshmi ndër të gjitha të tjerat, as që ishte nevoja të paguaja. Isha i bindur se unë dhe vetëm unë po e mashtroja botën. Pa i lëvizur këmbët e saj prostituta ngriti lart pjesën e sipërme të trupit dhe ma ktheu shpinën, çka, për tmerrin tim, ishte e mbuluar me rrathë të gjerë dyllë të kuq me skaje të zbërdhulur dhe pulla të kuqe të shkapërdara mes tyre. Tash vura re se i gjithë trupi i saj ishte përplot me to, se po e mbaja gishtin e madh mbi kofshët e saj në një pjesë të mirë të atyre njollave dhe se ato grimca të vogla të kuqe si prej një vule të shkatërruar ishin edhe në gishtat e mi po ashtu. Eca mbrapa mes një numri burrash që dukej se po prisnin mbështetur për muri afër hyrjes te shkallët, ku një po kryhej një marrëdhënie seksuale. Po prisnin si burrat në fshat që rrinë bashkë të shtunën në shitore. Si rrjedhojë ishte po ashtu e diela. Një skenë qesharake, kur një burrë, të cilit kishim arsye t’ia kishim frikën unë dhe Maxi, eci tutje, pastaj erdhi përpjetë shkallëve, m’u avit mua dhe derisa unë dhe Maxi ishim në ankth duke pritur ndonjë kërcënim të tmerrshëm prej tij, ma parashtroi një pyetje qesharakisht të pafajme. Atëherë unë qëndrova aty dhe e shikova në merak, ndërkohë që Maxi u ul në tokë diku në të majtë dhe pa frikë në atë ndërtesë dhe e hëngër një supë të trashë patateje, mbi të cilën patatet nxirrnin kokën në formë të topave të mëdhenj, kryesisht njëra prej tyre. E shtyu me lugë, me gjasë me dy lugë brenda në supë ose thjesht e rrotulloi.

/ The Diaries of Franz Kafka, Schocken Books, 2023

/Gazeta Express