Ditari i javës/ Hebçet Sabit Erduran: 12–13 mars 1915 - Gazeta Express
string(51) "ditari-i-javes-hebcet-sabit-erduran-12-13-mars-1915"

Arte

Gazeta Express

10/01/2025 16:05

Ditari i javës/ Hebçet Sabit Erduran: 12–13 mars 1915

Arte

Gazeta Express

10/01/2025 16:05

Fushata e Gallipolit, e njohur edhe si beteja e Gallipolit, fushata e Dardaneleve ose beteja e Çanakkale (nga turqishtja: Çanakkale Savaşı), ishte një fushatë ushtarake e ndërmarrë nga Aleatët gjatë Luftës së parë Botërore me objektivin që të përforconin ngushticën e Dadraneleve me qëllim që të pushtonin Konstandinopolin, të detyronin Perandorinë otomane të dilte nga konflikti dhe të rivendoseshin komunikimet me perandorinë ruse përmes Detit të Zi. Erduran, mjek ushtarak, ishte në detyrë nga marsi deri në maj 1915 dhe ditari i tij është një dëshmi e rëndësishme e kësaj fushate.

12 mars 1915

Lexo Edhe:

E premte

Ajo që pritet prej meje këtu është që të gjendem në dy sektorë në të njëjtin çast… Po si mundet njeriu të gjendet njëkohësisht në dy zona që janë larg njëra-tjetrës njëzet a tridhjetë minuta?

«Të vihesh në dispozicion të batalionit në aksion!», më thonë. Po nëse janë dy batalione në aksion? Si do të mund të vendos cila prej tyre duhet të ketë prioritet? E edhe po ta bëja, si do të mund të arrij te zona nën zjarrin armik?

Ja, këto janë gjërat për të cilat më parë s’e lodhja kryet duke u përkundur në mendimin se aty “ishte një doktor” dhe që tash më bëjnë të kem ankthe. Kur i kërkova sqarime mjekut ushtarak në krye rreth kësaj çështjeje, më tha se që ta merrja vesh se cila nga ato dy zona ishte më e rëndësishme duhej të vihesha nën urdhrat e komandantit të regjimentit. Kësodore bëra një kërkesë me shkrim dhe ma thanë se mund të rrija këtu, në sektorin e Havuzlarit. Po të vinte puna pastaj natyrisht do të mund të shkoja edhe në Yildiz.

Ora 12.10. Përsëri ka zëra që vijnë nga gryka e ngushticës. Një orë më parë janë vërejtur dy nëndetëse. Kemi parë të bombardohet njëra prej tyre nga fortifikata e Dardaneleve dhe nga bateria Bajkush, por për momentin s’ka asgjë të qartë. Në radiotelegraf po shpërndahen mesazhe në anglisht: «Turq! Mos mendoni se sulmet tona në ngushticë janë blof. Vendosmëria jonë është e hekurt. Është thjesht çështje kohe. Përndryshe Britania e madhe s’do të kishte zhvendosur dy koracata nga deti i Veriut të angazhuara kundër Gjermanisë!». Çfarë budallallëku! Vetë këto fjalë kyçe zbulojnë se si e gjitha është blof.

Nga ana tjetër na vjen lajmi se është i sigurt ngarkimi i 5.000 njësive mes këmbësorisë franceze dhe marinës angleze në portin e Tolonit.

Sido që të jetë, do të presim. Të gjitha zemrat janë plot me shpresë për fitore. Me rëndësi është që çdo njeri të bëjë punën që i është dhënë.

13 mars,

e shtunë

Ora 8.15. Sot është një ditë që duket t’i ketë lënë pas shpine shenjat paralajmëruese të shkurtit. Sado që ende po fryn një erë e veriut, bukur e ftohtë që bën ajrin therës, dielli me rrezet e tij ndritëse në qiellin e kthjellët e bën shpirtin dhe ndjenjat më të hareshme.

Sonte në Havuzlar, në afërsi të Raufbej Çiftligji, i bëra strehë një bartësi të të plagosurve që ishte fshehur mbrapa një kodre. Mbase do të qëndroj këtu edhe nesër mbrëma. Vuajtjet që po heq për ta ushtruar detyrën time janë më shumë shpirtërore se sa materiale. Po gjithsesi edhe ato një ditë do të kalojnë.

Detyra ime si mjek i fushës në dy sektorë të ndryshëm më në fund do të reshtë. Do të qëndroj tashmë në Yildiz. Në të vërtetë, edhe ata që kanë lëshuar urdhra aspak të arsyeshëm nuk kanë bërë tjetër veçse kanë vepruar nën presionin e nevojës së momentit.

Letra zyrtare që e kishte shkruar doktor Mehmet Hasip beu, njeri me përvojë të shumta prej vitesh tashmë, largpamës dhe i çmueshëm falë përvojës së tij, ishte pranuar nga komanda e trupës sanitare ushtarake. Megjithatë, e kam kuptuar me një ditë vonesë se kjo situatë e pakëndshme tashmë kishte marrë fund.

Prej sot e tutje majori Ismail Haki beu do të jetë mjeku ushtarak i batalionit në Saddulbahir, ndërsa Sulejman beu është caktuar për batalionin sulmues të Çatalcës, në sektorin e Bajkushit. Kur të nisin shërbimin, mua do të më mbetet vetëm Yildizi. A mund të ishte e arsyeshme të mendohej se mund të zhvendosej puna ime në dy sektorë të ndryshëm? Me gjasë Salih beu, komandanti i trupës sanitare, e kishte marrë për të mirëqenë këtë gjë. Nga ana tjetër, duhet të kuptohet njeriu kur është një pozicion të vështirë. Sikur këto probleme të ishin shqyrtuar në kohën e duhur…

Kjo natë qe e ftohtë dhe e lagësht si edhe ajo e kaluara. Për fat Aliu, rreshteri ndihmës, ka arritur ta mbarojë një mangall me mbetjet e një boce me gaz, që e kishte marrë nga skuadra e xhenios, e cila e largon paksa lagështinë nga tenda. Përndryshe xhiroja ime e inspektimit në mëngjes do të kishte me qenë bukur e zorshme… Në tendë s’ka asgjë që mund të quhet rehati, të gjitha gjërat janë në Yildiz. Prandaj e vura ujin e pagurit tim në një enë alumini dhe e ngroha në zjarr. Pasi që e përzjeva pakëz kakao dhe një copëz sheqer, që e mbaja në çantë, kafjalli im ishte gati.

Tash do të shkoj në Yildiz, por, nëse s’do të vijë mjeku ushtarak i caktuar për këtë sektor, sonte do të më duhet të kthehem… Çfarë jete prej bredharaku!

As sonte armiku nuk është hedhur në asnjë sulm. Veç kah mëngjesi u dëgjuan ca të shtëna të artilerisë nga kodrat, kjo është e gjitha. Pikërisht tash arriti lajmi i ardhjes së regjimenteve koloniale armike dhe të përgatitjes së zbarkimit. Le të vijnë pra, do t’iu dalë përpara Demirhisari që, me aq sa kemi dëgjuar, i ka siluruar në det të hapur nga Izmiri dy kryqëzorë dhe një anije transporti. Ia lëmë Zotit në dorë shpëtimin tonë, ata koracatave, armëve…

Heshtja që zgjati gjithë mëngjesit deri në orën 12 u prish nga shpërthime dhe gjëmime të tmerrshme. Kjo është ajo që bëjnë ditëve të sotme anijet armike që hyjnë në ngushticë… Nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veçse të shënjestërojnë kodrën e Kumkalës dhe Halileit. Tashmë është e qartë se duan të korrin një sukses ushtarak, kështu që bombardojnë këto zona për të krijuar terrenin e favorshëm për zbarkim.

Hëngrëm drekën. Zukatja që dëgjojmë në largësi na jep ndjesinë se është një aeroplan duke u avitur. Këtë herë në të vërtetë ishte një aeroplan armik që në 2.200 metra lartësi po ia mësynte drejt nesh. Natyrisht nuk mund të qëndroja në spitalin e fushës, kështu që u strehova nën një pishë. Bëhej fjalë për një biplan. Plumbat e kundërajrorit tonë të Goncasuyu dhe Hamidiye nuk e zunë, por e detyruan të ndërronte drejtim. Derisa i avitej fortifikatës së Dardaneleve, goditjet e shrapnelit i mbollën copat e tyre në retë e vockla në qiellin e kaltër, duke e bërë biplanin të largohet. Pastaj përsëri heshtje…

Në telefon na erdhi lajmi se dy koracata po afrohen ngadalë te ngushtica… Nga sa kemi kuptuar, armiku do të vazhdojë të bombardojë brigjet, por jo me të njëjtin intensitet si në ditët e kaluara. Heshtja zgjaste prej ditësh… Na e kanë frikën, apo kanë ndonjë plan tjetër?

Ora 13. Pas shpinës së Hastane Bayiri, aeroplani ynë me ngritjen në fushën e bardhë është ngritur në qiell në 2.500 metra dhe ka filluar të planojë si zog. Vetëm ajri i ndenjur e ka penguar atë pamje të harmonishme dhe gëzimin tonë. Jemi lutur të kompletonte zbulimin e tij. Njëzet minuta më pas, ishte kthyer në hangar duke kompletuar misionin e tij. Tash, në heshtje, presim zhvillimin e ngjarjeve.

Ora 15. Komanda e lartë, me vetë vullnetin e sulltanit, të datës 24 shkurt 1915 me urdhrin nr. 124, ua ka dhënë medaljen e argjendtë oficerëve dhe ushtarëve që janë shquar në fundosjen e nëndetëses franceze Saphir në detin e hapur të qytetit Çanakkale. Sipas telegramit të dërguar nga inspektorati i përgjithshëm i artilerisë, medaljet do të shpërndahen ushtarakëve në vijim: zëvendëskomandantit të kanonierës Isa Reis; kapitenit Kemal efendi5; kapitenit Mahmut Aziz efendi; adjutantit të inspektoratit të përgjithshëm të artilerisë bregdetare, togerit të parë Ziya efendi; togerit të parë Osman efendi; kapitenit të anijes me avull Tashoz, Naim efendi; rreshterit Huseyin Alioglu i repartit artilierët të korpusit të tretë të ushtrisë; ushtarit të thjeshtë Yusuf të isa Reis dhe ushtarit të thjeshtë Halil të kompanisë deminuese të Detit të Zi.

Dy orë më parë repartet speciale kanë marrë masa për minimin e disa bovave të vendosura nga armiku në pika strategjike të zonës së minuar për të sinjalizuar një kalim të sigurt.

Natën e kaluar është rikthyer një barkë shpëtimi që u përkiste torpendiereve6 dhe minaheqësve të fundosur në ofensivën e pestë të armikut. Sot kam pasur mundësi të shoh disa jastëk me fibra që ishin gjetur në brendi të tij. Në kodra janë nxjerrë tri kufoma të fundosura me gjasë në detin e hapur të Baykushit. Gjykuar nga uniformat e tyre bëhej fjalë për anglez.

Ora 20.45. Pas darkës, derisa tenda ime po bëhej gati ta priste brymën e zakonshme të këtyre netëve, erdhi një telefonatë nga Havuzlari. M’u komunikua se mjeku i caktuar në sektor më në fund ka ardhur dhe se shtrati im portativ, tok me gjërat e tjera të mbetura aty, do të nxirrej jashtë së shpejti. Nga ky moment, do të jem përgjegjës vetëm për sektorin e Yildizit. Më në fund u lirova nga kjo situatë e hidhur, që veç kur e mendoja më sillte ankthe të pafundme. Ua dërgoj përgëzimet e mia më të përzemërta të gjithë kolegëve, paçin mundësi t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrën më të mirë me ndihmën e Zotit.

Një barkë me motor do të kthehet sonte duke përdorur sinjale të ndritshme të bardha. Me gjasë do të vendosë mina të reja, ose do t’i lëvizë pluskueset që u shërbenin armikut për të sinjalizuar kalimin e sigurt përmes zonave të minuara.

Shpresoj që edhe sonte të shtënat e artilerisë sonë do të shkatërrojnë anije të tjera armike.

Sipas buletinit, fortifikata e Yenikalës në Izmir është bombarduar, megjithatë nuk ka pësuar dëme të mëdha. Nga ana tjetër ka ardhur lajmi i mirë i fundosjes së disa minaheqësve.

Sot, përveç uturimës së aeroplanëve, mbretëroi heshtja deri në mbrëmje.

Përveç Kumkales, megjithatë, mund të shihen shtjellat e tymit të ngrihen në qiell. Armiku vazhdon të bombardojë saherë i vjen rasti, por Zoti me siguri do t’ua thyejë qafën.

Në momente si këto, kur mbretëron heshtja, s’duam tjetër veçse të përkundemi nga kujtimet e lume dhe pritshmëritë optimistike… Megjithatë, fatkeqësisht, rreshteri i rojës trokiti në derën tonë dhe na e dha lajmin se armiku e ka bombarduar dy herë fotoelektrikën e Soganlideres, duke na bërë përsëri të mendojmë për luftën. Nga ana tjetër, ajo pa të cilën nuk mund të bëjmë është momenti kur do ta festojmë fitoren fryt i mundimeve mbinjerëzore dhe aftësisë së rezistencës që tregojmë çdo ditë. Deri tek ai moment mbase do të duhet të flasim për ndonjë gjë tjetër?

Ora 00.15. Kam fjetur më shumë se dy orë në qetësinë e heshtjes, kur dëgjova fishkëllima e gjëmime shurdhuese. Pikërisht atëherë e ndjeva një grusht në stomak nga ankthi.

Sa çaste të tmerrshme kam kaluar atë gjysmore të kaluar duke vëzhguar çfarë po ndodhte. Armiku mundohej të nxirrte nga përdorimi një fotoelektrikë të vendosur në grykën e ngushticës, duke e qëlluar me të shtënat e tij. Të gjithë ishin zgjuar dhe kishin shkuar të shikonin vazhdat e përflakta të plumbave që ndriçonin qiellin. Pozicionet tona mbrojtëse të artilerisë i mbanin larg armiqtë ndërkohë fotoelektrikët mundoheshin të shquanin mjetet që donin të futeshin në ngushticë.

Kjo situatë vazhdoi për pothuajse tre çerekë. Edhe pse për momentin dukej se ishte kthyer qetësia, përleshje të tjera dukeshin të pashmangshme.

Tash, derisa jam shtrirë në shtratin portativ, ankthi duket të jetë lehtësuar.

Ora 3.45. Të dhëna rreth zhvillimeve të kësaj nate, taktika e armikut duket tashmë e qartë. Intriga është gjithmonë e njëjta: zjarr nga koracatat në stacionet fotoelektrikë rreth mesnatës dhe pastaj, ca orë më vonë, inkursione të anijeve minaheqëse të mbrojtura nga torpendierat… Ndërsa ne ndërkohë u vihemi pas duke u munduar t’i fundosim.

Kështu, kur zhurma ma nxori gjumin pas ca orësh pyeta veten nëse ishte rasti të ngrihesha nga shtrati… Gjëmimet zgjatën rreth 50 minuta.

Ora 4.35.

Anijet transportuese dhe toerpendierat që kanë ditur ta kapin çastin për të shkuar përpara drejt zonës së minuar, tashmë të ndriçuara nga fotoelektrikët, qëllohen nga të gjitha bateritë tona. Edhe bateria e Yildizit ua ka nisur 20 a 30 “dhurata” pesë a gjashtë anijeve që kryqëzoheshin mes Baykushit dhe Kepezit. Kolonat e ujit të goditjeve të shkuara huq dhe shtjellat e tymit të ngritura lart nga plumbat që kanë qëlluar në shenjë… Si atëherë kur mundohemi të shuajmë një zjarr enorm me ujë.

Njëra prej anijeve armike që donte të bënte rezistencë – mes atyre që tashmë ishin qëlluar – lëshoi një raketë sinjalizimi të bardhë. Pas pesë minutash, një tjetër nja njëqind metra më në thellësi e lëshoi një raketë sinjalizimi të kuqe duke e bërë të dridhet rrreshtimin linear. Këto dy anije nuk u fundosen ngadalë si ato të sulmit të mëparshëm dhe humbën sysh krejt papritur. Falë Zotit tash nuk dëgjohen më ato zhurma të frikshme. Për sonte s’do të bëhen të gjallë më. Nesër do ta marr vesh nëse ajo që pashë dhe dëgjova i përgjigjet të vërtetës.

Tash po dëgjohen të shtënat e fundit të anijeve armike në 3.800 metra largësi, mbase edhe më tepër, matanë Soganlit. Por ato “bonbonet” e rrumbullakëta, që i morën në përgjigje, do të jenë dhurata e fundit për sonte.

Ora 5.00. Besoj se s’do të ndodhë më asgjë deri në agim. Armiku ka dalë sheshit dhe e ka shfaqur pantomimën e vet. Por këta aktorë të ulët të kësaj shoqërie teatralësh të cilëve u thuren aq lavde janë zbythur, asgjësuar nga rrebeshi i zjarrit dhe guximit të pashoq të otomanëve. Zemrat e mbushur përplot me besim kanë besim te drejtësia e Zotit, fitorja është e jona!

Në qetinë e ndritme të natës, yjet e qendisin kupën qiellore si diamantë…

/Marrë nga Hebçet Sabit Erduran: ‘La Battaglia di Gallipoli’, Sandro Teti Editore, 2024

/Gazeta Express