Hanna Fischl-Spencer ishte mësuese njëzetekatërvjeçare me prejardhje hebreje në një pjesë gjermanishtfolëse të Çekosllovakisë, kur hija e Hitlerit po binte mbi Evropë, më 1938.
E enjte, 1 shtator 1939
Çfarë dite e stërngarkuar! Në mëngjes, takimi me Erna Mentën. Ajo është një mikeshë e mirë e dashur si përherë. Jam e bekuar ta kem një shoqe me të cilën ka shumë për të dhënë e marrë, shumë për të ndarë si dhe stimulim intelektual. Vitin a kaluar e kaluam tërë kohën tonë të lirë bashkë, duke ngrënë, duke folur, duke qeshur dhe duke ngarë biçikletën.
Drejtori Lachnit, aka der Alte (i moshuari) dhe të gjithë mësuesit e tjerë më mirëpritën ngrohtësisht. Ressel, mentori im i emëruar i vitit të fundit, po vallëzon përreth meje hijerëndë, pasi ma kumtoi lajmin se do të jetë përsëri këshilluesi im. Do të jap mësim kryesisht gjuhën çeke në pesë klasë të ndryshme, të ranguara nga Prima deri tek Octava. Prima-n e kam edhe për gjermanishten dhe po ashtu do të jem mësuesja e tyre kujdestare.
Ka tri ardhje të reja në staf: Freising, një grua e re tërheqëse, e këndshme në dukje; Schroepfer (që jep latinishten dhe çekishten), filolog i ditur dhe pedant, disi si Baderi, por jo, shpresojmë, aq i lig dhe keqdashës. Dhe në fund Mück. Mua dhe Ernës na erdhi maje hunde dje pasdite në bufe. Mezi kishim pritur të kishim një orë e ca për veten tonë të mblidhnim mendjen, e ja ku erdhi ai të na bashkohej pa e ftuar fare – me një qëndrim aq pompoz dhe turfullues! Shpëtuam prej tij vetëm pasi u tërhoqëm në dhomën time.
Mora një letër të këndshme nga Traudl Holubi, shoqja ime e dhomës nga ditët e Pragës.
Shumica shkuan në shtrat. Tashmë është mesnatë. Nesër është dita e parë e shkollës. Para se të ndal dritën: kam qenë duke shikuar në një fotografi tënden për një kohë të gjatë, në ata sy melankolikë të mendueshëm. Sikur më drejtohen mua. A e mban mend herën e fundit – a ishte kjo të martën e fundit? kur kalove qoshkun dhe papritmas unë mbiva para teje? Ky ishte momenti kur m’i hodhe sytë. Aq gjatë sa guxove. Dhe ne e dinim se s’do të na lëshonte lehtë.
E shtunë, 3 shtator
Një letër! Tekembramja e di se ti je mirë dhe ke gjetur një lloj paqeje të brendshme. Më bëri të ndihem se po punoj edhe unë, e në të vërtetë po punoj. E kam bërë skicën e parë të dramës sonë.
Dita e parë e shkollës. Filloi me një pjesëmarrje të të gjithë shkollës në meshë. Një ceremoni festive solemne. Shumë nëna prisnin jashtë kishës të shihnin pinjollët e tyre të paradonin. Paskëtaj, pasi që klasat lanë kishën në formacion, me ne mësuesit duke i pritur jashtë, të gjithë nga ish Quarta ime më përshëndetën me një nënqeshje të madhe rrezatuese. Sytë m’u mbushën. Ata janë katërmbëdhjetë vjeç. Më vjen shumë keq, njëmend keq, të mos i kem edhe këtë vit. Kemi pasur një raport të mrekullueshëm dhe ata ishin përgjigjur me një punë të mahnitshme kreative në shkrim në gjermanisht. Po ashtu kemi kaluar shumë bukur me grupin tonë të recitimit – duke i recituar poezitë që ata i kishin mësuar përmendësh me kombinime të ndryshme zërash, duke e alternuar unisonin me pjesë solo. Ishte e këndshme – për mua ashtu si edhe për ata, ngase mund ta shijoj të jem udhëheqëse.
Bëra fjalimin tim njoftues para Primas sime. Megjithëse shumica e tyre janë njëmbëdhjetë vjeç, duken tepër të rinj. Teksa isha duke ecur rrugës më vonë kësaj pasditeje, njëri prej tyre, pa frymë nga vrapimi dhe eksitimi, u avit tek unë (me gjasë kishte qenë në pritje të këtij takimi): ‘Frau profesoreshë, nuk po mund ta gjej formularin që na the ta mbushim’. Pastaj belbëzoi për gjëra të tjera. Krejt në fund, pasi mori frymë thellë dhe më shikoi me druajtje, nuk mundi ta përmbante veten më, pyeti: ‘A është e vërtetë se do të ketë gjithmonë një vajzë të ulur mbrapa një dajli?’.
‘Kush ta ka dhënë këtë ide?’.
‘Ju’.
I kam paralajmëruar se nëse do të pëshpëritin dhe flasin shumë, atëherë do t’ua ndërroj vendet. Informuesi im më tha se djemtë ishin bukur të mërzitur, duke u zotuar se ‘kurrë s’do të uleshin mbrapa vajzave’. Ajo që me shumë gjasë kishte bërë të përhapej kjo thashetheme ishte të kuptuarit se poenta e zhvendosjes ishte të ndaheshin shokët; dhe duke u munduar të përfytyronin kë do ta donin në fund për fqinj, kishin ardhur në këtë përfundim me këtë skenar trazues. Çfarë dallimi mund të paraqesin pak vite!
Për ta kremtuar ngritjen time në detyrë, shokët e mi mësues më ranë grushte1 sot. Bergmanni, instruktori i edukatës fizike, i cili është funksionar në partinë Henlein2, më foli gjer e gjatë për atë se çfarë jetë madhështore bëhet sot në Gjermani. Nesër është e diel. Bergmanni, Gellerti dhe Ernstbergeri3 më kanë ftuar të shkoj me ta për të mbledhur kërpudha.
(Erna është në Brünn.)
E hënë, 5 shtator
Dita e parë e plotë në shkollë. Vocërrakët janë njëmend të vegjël dhe naivë. Njëri prej tyre e ngriti dorën: ‘Ju lutem, a mund të shkoj në tualet? Për të madhën?’. I kam dy Raabë në të njëjtën klasë, një vajzë dhe një djalë, dhe pandeha se janë binjakë. Por jo, ai është xhaxhai i saj.
Një shenjë e seriozitetit të gjendjes politike: janë nxjerrë në qarkullim obligacione shtetërore për mbrojtjen e Çekosllovakisë dhe janë bërë thirrje urgjente të blihen ato për ta ‘ndihmuar mbrojtjen e Republikës’. Gjatë një mbledhjeje të stafit, fakulteti kolektivisht vendosi të mos marrë pjesë. Paskëtaj, Appel4 dhe Bergmann erdhën tek unë ndaras të më siguronin se s’duhet ta marr në konsideratë vendimin e tyre detyrimisht. Natyrisht unë duhet të kontribuoj në fondet e mbrojtjes dhe s’duhet ta pres lejen e tyre për ta bërë këtë. Por e konsideroj të denjë dëshirën e tyre të më tregonin se e vlerësonin pozicionin tim dhe se s’donin të më mbështesnin për muri. Por sa e trishtë që të gjithë po shpresojnë dhe dëshirojnë që Hitleri ta marrë vendin tonë.
Erna dhe unë shkuam të shikonim një film në kinema pas shkollës: Mary e Skocisë, me Katharine Hepburn. Film i shkëlqyeshëm, posaçërisht me performancën e mrekullueshme të Hepburnit. Rrallëherë kam parë një fytyrë aq shprehëse (lenore Ulric, mbase?). Erna dhe unë folëm për një kohë të gjatë pas filmit. Erna është nacionaliste gjermane me bindje të thella dhe adhuruese e Hitlerit.
Sot herët e shpaketova baulen që më kishte ardhur nga shtëpia dhe shkrova letra: prindërve, ty, dhe Hanne Gottliebit, mikeshës sime nga ditët e Pragës. S’kisha kohë të punoja me dramën. Ora është 8:15 pasdite dhe jam tepër e lodhur për çkado përveç për pak frëngjisht. Por synoj me këmbëngulje të kaloj për çdo mëngjes nga një orë, nga gjashtë deri në shtatë, në ‘Waltherin’ tonë.
Vazhdoj ta rilexoj letrën tënde. A duhet të ta them se sa të lumtur më bën të shoh se ti po bën plane për ne të dy? Kjo më jep shpresë dhe më bën të përgatitem në të gjitha mënyrat: korrespondencë biznesi në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht; stenografi në anglisht; dhe të mësoj të ngas makinën.
E shtunë, 10 shtator
Për ta bërë gjithçka më të keqe, periudha ime është e mbingarkuar. Jam shumë e shqetësuar dhe e tendosur. E pamundur të punoj te ‘Waltheri’. Është pothuajse sikur unë të isha intelektualisht dhe emocionalisht e paralizuar. Shkolla ma merr gjithë mëngjesin dhe disa prej pasditeve. Dje Klassenbuch [libri i pjesëmarrjes në klasë5] duhej të përpilohej dhe kopjohej. Të jem e ngarkuar me Prima më bën të kem punë ekstra, ngase të gjitha informacionet duhet të qëmtohen nga dokumentet.

Por po ashtu kemi qeshur shumë herë me vocërrakët e mi të pafajshëm. Në fillim, ua shpjegova se askush nuk do të largohej nga shkolla para se të përfundonte ora e mësimit pa kërkuar së pari lejen time. Është rregull standard (për mbrojtjen e tyre, apo për shkak të mbajtjes së rregullt të regjistrit?). Të nesërmen e humba një nxënës në mes-mëngjes. Mungesat shënohen në kartonët e tyre të raportit: numri i orëve të humbura, arsyetimet, ose – horribile dictu – pa arsyetime! Të nesërmen u rreshtuan para tavolinës sime, njëri pas tjetrit, të gjithë përveç Ronyt.
‘Ju lutem, Rony është kthyer’.
‘Ju lutem, Rony mendonte se tashmë ora është dymbëdhjetë’ – gjatë dhe derisa nuk po mund ta fshihja habinë time më tepër dhe kumtova se kërkim falja kolektive pranohej.
Shënime:
1) Në ditëlindje dhe raste të tjera kremtimi, miqtë kapin personin që kremton për duash e këmbësh dhe e vërtisin poshtë e lartë nëpër dysheme.
2) Sudetendeutsche Partei, e drejtuar nga Konrad Henlein.
3) Nënkuptohet se të gjithë anëtarët e fakultetit ishin gjermanë. Spencer ishte anëtarja e vetme hebreje.
4) Një mësues tjetër.
5) Klassenbuch: libri ku regjistrohej pjesëmarrja ditore e nxënësve. Përmbante po ashtu informata biografike të studentëve.
/Marrë nga: Hanna Spencer, Hanna’s Diary, 1938–1941 (Czechoslovakia to Canada), McGill-Queen’s University Press 2001
/Gazeta Express
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...