Fang Fang, pseudonim i Wang Fang (1955), shkrimtare kineze, e njohur për librin e saj “Ditari i Wuhanit”. Autorja është kritikuar ashpër në Kinë për këtë libër, duke u etiketuar si “tradhtare”. Për këtë arsye disa prej veprave të saj tashmë janë ndaluar. Më 23 nëntor 2020 Fang është futur në listën e 100 Grave të BBC-së
FANG FANG: DITARI I WUHAN-it
27 janar 2020
Nuk kemi maska të mjaftueshme
Do të doja t’ua shpreh përsëri falënderimet e mia secilit atje jashtë që ka qenë duke i kushtuar vëmendje dhe duke ofruar mbështetje për atë që po ndodh në Wuhan dhe po ashtu banorëve të Wuhanit. Tash për tash shumica e njerëzve nuk janë fort të përkushtuar ndaj çështjeve të mëdha. Sidoqoftë, cila është dobia e shqetësimit për këto probleme? Shumica e njerëzve që nuk janë të infektuar po përpiqen të mbesin optimistë. Një gjë për të cilën qytetarët janë më të merakosur për momentin është mungesa e maskave. Pashë një video-raport online sot rreth një njeriu në Shangai, i cili kishte shkuar në farmaci të blinte një maskë dhe ajo çka kishte gjetur ishte se çmimi i një maske kishte kërcyer në 30 jenë. Ky tipi ishte tepër i tërbuar shkaku i ngritjes së çmimit sa e kishte humbur durimin dhe kishte nisur të shante punëtorin; e kishte regjistruar të gjithën në telefonin e tij. Deri në fund të ditës i kishte blerë ca sosh, por këmbëngulte se farmacia i kishte dhënë një dëftesë, në këtë mënyrë ai ishte në gjendje të dëshmonte se sa shumë po i ngarkonin klientët me çmimet e tyre. Kurrë s’do të më kishte shkuar në mendje të bëja një gjë të tillë; njëmend e adhuroj këtë zotësi. Maskat e disponueshme janë fare të shkapërdara dhe njerëzit po nxjerrin jashtë përdorimit shumë shpejt. Sipas profesionistëve mjekësorë, vetëm maskat N95 janë efektive kur bëhet fjalë për ndalimin e përhapjes së virusit. Por në të vërtetë s’ka asnjë gjasë të vësh dorë mbi atë lloj maske. Ato për shitje online janë harxhuar krejt. Njëri prej vëllezërve të mi pati fat më të mirë; fqinjët e tij kishin ca të afërm që ua kishin dërguar mbi 1.000 maska N95! (Duhet të kenë shumë të afërm!) Ia kishin dhënë dhjetë sosh familjes së vëllait tim. “A e sheh, ka ende njerëz zemërbardhë në këtë botë”, më tha im vëlla. Por vëllezërit e mi më të mëdhenj nuk ishin kaq fatlum – s’mund të gjenin as edhe një maskë N95 të vetme. E gjitha që kishin ishin ca maska të disponueshme që ua kishte sjellë mbesa ime. Po çka mund të bëjë njeriu kur furnizimet janë të limituara? Opsioni i vetëm është të lash ato dhe t’i dezinfektosh me një hekur të nxehtë para se t’i ripërdorësh. Në të vërtetë është bukur patetike. (Meqë ra fjala, mbesa ime deshi që unë të paralajmëroja në Weibo se ajo ende s’e ka marrë asnjë konfirmim rreth asaj se kur do të evakuohen qytetarët e Singaporit nga Wuhani). Për të njëjtën gjë po vras mendjen edhe unë si edhe më parë. Supozohej që unë të vizitoja një pacient në spital më 18 janar, por mund të shkoj veç nëse bart maskën. Por s’e kam një të tillë. Pastaj u kujtova se shoku im i fillores Xu Min ma kishte dhënë një të tillë kur e kisha vizituar Chengdu-në më mes të dhjetorit, që të mbrohesha nga ajri i ndotur atje. Ajri në Wuhan me gjasë nuk është aspak më i mirë se sa në Chengdu dhe unë kam tashmë një përvojë të gjatë të thithjes së ajrit të keq, kësodore kurrë s’mbaj maskë të tillë. Falë tij, gjeta një mënyrë të kapërcej këtë pengesë. Pastaj doli se në të vërtetë ishte maskë N95! E vura atë maskë në spital, në aeroport, madje edhe kur dola të blejë maska! E mbajta të njëjtën maskë me ditë të tëra, duke qenë se nuk kam zgjidhje tjetër. Përveç meje, kam edhe një qen 16 vjeç në shtëpi. Pasditen e 22 janarit befas zbulova se nuk më kishte mbetur ushqim për qenin. Thirra shpejt në dyqan të porosis, shkova me mendjen se po ashtu mund të merrja edhe ca ekstra maska derisa isha jashtë. Shkova në farmacinë lokale në rrugën Dongting (s’do ta përmend emrin e dyqanit) dhe ata kishin ca maska N95, pro po i shisnin nga 35 jenë copën (pesë jenë më shumë se sa dyqanet në Shangai!). Një kuti me 25 copa shitej për 875 jenë. I pyeta si mund të ishin kaq zemërakull sa t’ua nxjerrin shpirtin klientëve të tyre në një kohë të tillë. Dyqanxhiu ma shpjegoi se furnizuesit e tyre i kishin ngritur çmimet, kështu që edhe këta s’kishin zgjidhje tjetër veçse t’i ngrinin të tyret. Por derisa maska është nevojë, isha e përgatitur të lëshoja pe dhe thjesht t’i blija ca sosh, qoftë edhe me atë çmim të kripur. Po bëhesha gati t’i blija katër maska prej tyre kur i rashë në të se ato maska vinin vetëm me kuti, jo me copë; kur e pashë shitësen duke i kapur me dorën e zhveshur, vendosa se tekembramja ishte më mirë të mos i blija. Është më mirë të mos vësh maskë fare se sa të vësh një që nuk është përdorur në mënyrë higjienike. Në natën e Vitit të Ri Hënor dola jashtë prapë të blija maska, por të gjitha barnatoret ishin të mbyllura. Të vetmet dyqane ende të hapura ishin ca shitore familjare. Gjeta ca maska N95 për shitje në një dyqan; ishin maska të llojit Bjeshka Yimeng të hirta, të paketuara secila veç e veç. 10 jenë copa. I bleva katër sosh. Vetëm pas kësaj mora frymë lirisht. Duke qenë se kisha dëgjuar vëllai im i madh nuk kishte asnjë maskë për familjen e tij, vendosa po ashtu t’i ruaja ca edhe për të. Doja të shkoja t’ia jepja ditëve në vijim, por ndërkohë ai më thirri në telefon të më thoshte të mos rrezikoja. Është një gjë e mirë që në fakt i kiemi apartamentet e ndërlidhura dhe s’kemi nevojë të dalim jashtë, kështu që nuk jemi nën presion të vërtetë për aq shumë maska. Isha duke u shkruar me një mik në WeChat; të gjithë janë duke folur tash rreth mungesës së maskave si çështja më rënduese. Pas së gjithash, secili nga ne ka nevojë herë pas here të dalë nga shtëpia për të blerë ushqime dhe furnizime të tjera. Një koleg ka një mik që i dërguar diçka, por pakoja s’ka arritur kurrë. Të tjerët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të blejnë maska nga prodhues të dyshimtë. Online po ashtu po flasin për njerëz që po shesin maska të përdorura që janë “të ripërtërira”, por askush nuk guxon t’i përdorë ato. Shumica e njerëzve që i njoh unë kanë mbetur me edhe vetëm një maskë a dy, kështu që vazhdojmë ta inkurajojmë njëri-tjetrin që t’i përdorim në mënyrë të kursyer. Një barsoletë që e lexova online ishte me vend: Maskat e kanë zëvendësuar përnjëmend derrin si malli më i çmueshëm Vitit të Ri kinez! Jam e sigurt se nuk është vetëm vëllai im, kolegët e mi, që kanë mungesë maskash. Duhet të ketë shumë njerëz këtu në Wuhan pa asnjë maskë të vetme. Por jam e bindur se nuk është punë e mungesës së furnizimeve; më tepër është problem i logjistikës se si t’u shpërndahen njerëzve. Në këtë moment thjesht shpresoj që ato kompanitë e shpërndarjes express të mund të rifillojnë punën së shpejti dhe të shpërndajnë furnizimet në Wuhan; ne kemi nevojë për pak ndihmë ta kapërcejmë këtë kohë të vështirë.
/Marrë nga: Fang Fang, “Wuhan Diary”, HarperCollins, 2020
/Përkthimi: Gazeta Express