Ditari i javës / Etty Hillesum: 13 gusht 1941 - Gazeta Express
string(42) "ditari-i-javes-etty-hillesum-13-gusht-1941"

Ditari i javës / Etty Hillesum: 13 gusht 1941

Arte

Gazeta Express

09/12/2022 17:00

Esther Hillesum, me nofkën Etty (Middelburg, 15 janar 1914 – Auschwitz, 30 nëntor 1943), shkrimtare holandeze, viktimë hebreje e Holokaustit. Mes viteve 1941 dhe 1943 mbajti ditarin që do të betohej më 1981 në Holandë dhe më pas në shumë vende të tjera. Më 1942 punonte si daktilografe pranë një seksioni të Këshillit Hebraik dhe pati mundësinë të shpëtonte, por ajo vendosi të ndante fatin me popullin e saj.

Një objektivitet flegmatik dhe i ngrirë natyrisht është i pamundshëm, me këtë karakter që kam. Jam tepër e ndjeshme. Por, nuk bëhem më copa për këtë gjë.

Lexo Edhe:

Daan-i është rrezuar me aeroplan. Njëri prej gjithë atyre të rinjve plot me jetë dhe që premtojnë për të ardhmen, të cilët vdesin natë e ditë. S’di çfarë të mendoj. Me tërë dhimbjen që kam përreth, po filloj të turpërohem pse po i marr seriozisht humoret e mia. E megjithatë duhet të vazhdosh ta marrësh veten seriozisht, duhet të mbetesh qendra, e në njëfarë mënyre duhet t’u dalësh në krye punëve të kësaj bote; në asnjë situatë nuk mund t’i mbyllësh sytë, duhet të “konfrontohesh” me këto kohë të tmerrshme dhe të kërkosh një përgjigje për çështjet e panumërta të jetës dhe vdekjes që t’i parashtrojnë. E atëherë mbase do të gjesh një përgjigje për disa nga to, jo vetëm për ty por edhe për të tjerët. S’do mend se duhet të jetoj dhe se duhet të përballem me çdo gjë. Nganjëherë ndihem si një hu i ngulur në një det të tërbuar, mes dallgëve që e rrahin nga çdo anë. Por unë qëndroj e palëkundur dhe vitet më kalojnë sipër. Dua të vazhdoj të jetoj plotësisht. Dua të bëhem kronist i shumë ndodhive të kësaj kohe (në katin e poshtëm britma e ulërima, babai çirret: shkoni pra, dhe e përplas derën; edhe kjo duhet të kapërdihet dhe për një çast ia plas vajit, por guxim, shkojmë përpara); po, kronist, po thosha. Unë vërej se vuajtjes sime personale i shoqërohet gjithmonë një kureshtje objektive, një interesim i zjarrtë për tërë atë që ka të bëjë me botën, njerëzit e saj, lëvizjet e shpirtit tim. Nganjëherë shkoj me mendje se kjo është detyra ime: ta sqaroj në kokën time, dhe me kohë ta përshkruaj, tërë atë që ndodh përreth meje. Kokë e shkretë dhe zemër e shkretë, sa gjërat do të detyroheni të kapërdini! Kokë e pasur dhe zemër e pasur, megjithatë përpara e keni një jetë të mirë! S’qaj më. Por koka po më sillet vërdallë në mënyrë të tmerrshme. Këtu është ferr. Për ta paraqitur, do të duhej të dija tashmë të shkruaja shumë mirë. Për çdo rast, unë vij nga ky kaos dhe detyra ime është ta nxjerr veten më lart. S., e quan “të ndërtosh me material të fisëm”, atë thesar.

Nganjëherë jemi aq të shpërqendruar dhe të trazuar nga ajo që ndodh, sa që pastaj na vjen zor të gjejmë veten tonë. E megjithatë, duhet. Nuk mund të fundosemi për shkak të një lloj ndjenje faji, në atë që na rrethon. Gjërat duhet të bëhen të qarta brenda teje, nuk duhet të humbësh ti në gjëra.

Një poezi e Rilkes është po aq reale dhe e rëndësishme sa një djalosh që rrëzohet me aeroplanin e tij, mbaje në mend. Të gjitha janë gjëra që bëjnë pjesë në këtë botë dhe nuk mund të injorohet njëra për ta favorizuar tjetrën. Shko të flesh. Kundërthëniet e shumta të jetës duhet të pranohen, ndërsa ti do të doje t’i shkrije në një njësi të vetme dhe në njëfarë mënyre t’i thjeshtëzosh brenda teje, kështu do ta thjeshtëzoje edhe jetën. Por e vërteta është se jeta është e përbërë prej kundërthëniesh, se ato duhet të pranohen të gjitha si pjesa përbërëse të saj dhe se nuk mund të vihet theksi mbi njërën në kurriz të tjetrës. Lëre të gjithën të rrotullohet dhe mbase prapë do të bëhet një njësi e vetme. Siç të kam thënë tashmë, duhej të shkoje të flije në vend se të shkruash gjëra që ende nuk je në gjendje t’i formulosh.

/Marrë nga: Etty Hillesum, Diario, Adelphi, 1985

/Përktheu: Gazeta Express