Ditari i javës/ Etty Hellisum: 4 shtator 1941 - Gazeta Express
string(43) "ditari-i-javes-etty-hellisum-4-shtator-1941"

Arte

Gazeta Express

28/11/2025 16:09

Ditari i javës/ Etty Hellisum: 4 shtator 1941

Arte

Gazeta Express

28/11/2025 16:09

Esther Hillesum, me nofkën Etty (Middelburg, 15 janar 1914 – Auschwitz, 30 nëntor 1943), shkrimtare holandeze, viktimë hebreje e Holokaustit. Mes viteve 1941 dhe 1943 mbajti ditarin që do të betohej më 1981 në Holandë dhe më pas në shumë vende të tjera. Më 1942 punonte si daktilografe pranë një seksioni të Këshillit Hebraik dhe pati mundësinë të shpëtonte, por ajo vendosi të ndante fatin me popullin e saj.

4 shtator 1941

E enjte mbrëma, 10:30. Jeta është e përbërë prej rrëfimesh që presin të rithuhen prej meje. Oh, sa e pakuptimtë – unë njëmend nuk di asgjë. Jem e lumtur sërish. Mund ta kuptoj lehtë pse njerëzit dehen apo shkojnë në shtrat me një totalisht të panjohur. Por kjo nuk është fare mënyra si sillem unë. Më duhet të mbahem esëll, të kem kokën e pastër. Dhe ta bëj këtë e vetme. Është shumë mirë që ai i poshtri sot nuk është brenda. Përndryshe do të ngarendja drejt tije dh do t’i thosha përsëri, “Të lutem, ndihmomë, jam shumë e palumtur, jam duke u shkërmoqur.” E unë pres nga të tjerët të jenë të fortë për veten e tyre! “Dëgjoje zërin tënd të brendshëm.” Po, po fort. Kësodore tërhiqem në qoshkun më të humbur të dhomës sime të vogël, ulem në dysheme, ngishem mes dy mureve, kokulur. Po. Dhe qëndroj aty. Absolutisht e palëvizshme, duke soditur kërthizën time siç i thonë asaj fjalës, me një shpresë gjynahqare se brenda meje do të gurgullojnë burime të reja frymëzimi. Zemra ime edhe njëherë ishte e ngrirë dhe nuk do të shkrihet; çdo rrugëdalje ishte bllokuar dhe truri im po ndrydhej nga një ves i madh. Ajo që pres kurdo që ulem e tulatur kështu është diçka që dua të jap, diçka që të fillojë të gëlojë brenda meje.

E përjetova si një barrë shumë rëndë kur i lexova gjithë ato letra dashurie të së dashurës së tij. Do të doja të mos isha fare e përfshirë, si ai burri sonte, ose si fusha me bar. Në ditët si kjo jam e sigurt se askush nuk vuan sa vuaj unë. Merreni me mend dikë me dhimbje nëpër gjithë trupin e tij, pa qenë në gjendje të durojë askënd ta prekë as me majën e gishtit – ja kjo është ndjesia e shpirtit tim, ose si do që të doni ta quani atë. Edhe shtypja më e vogël shkakton dhimbje. Një shpirt pa lëkurë, siç ka shkruar dikur Annie Romein rreth Carry van Bruggenit. Do të doja të udhëtoja në vend shumë të largëta. Dhe të shoh njerëz të tjerë, të cilët nuk është nevoja të kenë emra. Nganjëherë ndihem thua se njerëzit me të cilët kamë kontakte përnjëmend të afërta ma vjedhin vizionin tim. Vizionin tim, të çkafit? Etty, njëmend po bëhesh një çikëz dinake dhe jo fort e ndërgjegjshme. Duhet të jesh e zonja të gjurmosh arsyen e vërtetë të melankolisë tënde dhe të kokëdhimbjes tënde të frikshme. Por medet, nuk je tamam e interesuar ta bësh këtë. Je thjesht vetëm një përtace. O Zot, dhuroma një trohëz përulësi. 

A jam shumë e zënë? Dua të njoh këtë shekullin tonë jashtë dhe brenda. E ndiej çdo ditë rishtazi. I ngas majat e gishtërinjve e mi përgjatë cepave të epokës sonë. Apo mos është kjo fiksion i pastër? 

Por unë përherë e vë veten brenda realitetit. E bëj veten të ballafaqohet me gjithçka që kapërcen nëpër shtegun tim, çka herëpashere më bën të ndihem e dërrmuar. Është sikurse ta kisha lënë veten të përplasem dhunshëm me vetveten, duke lënë dhëmbët dhe duke u gërvishtur. Por e marr me mend se kështu duhet të jetë. Nganjëherë ndiej se jam duke u djegur në purgator dhe se po farkëtohem në diçka tjetër. Po në çka? Mund të jem vetëm pasive, të lejoj që të më ndodhë. Po pastaj po ashtu kam ndjesinë se të gjitha problemet e epokës sonë dhe njerëzimit në përgjithësi duhet të luftohen brenda kokës sime të vockël. E kjo do të thotë të bëhem aktive. Mirë pra, më e keqja tashmë ka kaluar. Iu solla rrotull Klubit të patinazhit si një marroqe e dehur dhe ia plasa ca vërejtje budallaqe hënës. Hëna, po ashtu, nuk ka lindur dje. S’ka dyshim se ajo ka parë tashmë një mori karakteresh si unë, ka parë ca gjëra ajo. Eh, eh. Një jetë e rëndë më pret. Nganjëherë nuk ndiej se po e jetoj. Në momentet kur e ndiej se di saktësisht çka do të ndodhë me mua, lodhem aq shumë dhe nuk ndiej nevojën të përjetoj gjërat ashtu siç vijnë. Por jeta gjithmonë e ka fjalën e fundit, kështu që përësri gjithçka më duket “interesante” dhe dehëse dhe mbushem me guxim dhe me plot ide. Duhet t’i lëmë të qeta gjërat, por unë fishkem gjatë pauzave, ose kështu më duket mua. E tash natën e mirë.

Thjesht më bën vaki. Apo mos ndoshta unë e marr veten shumë seriozisht dhe po ashtu dua që edhe të tjerët të bëjnë po këtë gjë? S., për shembull. Dua që ai të kuptojë se sa shumë vuaj dhe në të njëjtën kohë përpiqem të fsheh atë prej tij. A mos vjen kjo nga antagonizmi që e ndiej aq shpesh ndaj tij?

E premte në mëngjes, ora nëntë. Në këtë çast ndihem si dikush që po rikuperohet nga një sëmundje serioze. Marramendje dhe një lëkundje e lehtë e këmbëve. Njëmend dje e kam tepruar paksa. E vërteta është se nuk bëj një jetë të brendshme mjaftueshëm të thjeshtë. Prirem kah teprimet, bakanalia e shpirtit. Me gjasë identifikohem së tepërmi me gjithçka që lexoj dhe studioj. Dikush si Dostojevski ende më shkërmoq. Njëmend duhet të bëhem cazë më e thjeshtë. Të mos këmbëngul përherë në rezultatet e drejtpërdrejta. E di cili është melhemi, megjithatë: veç të kruspullosem përdhe në një qoshk dhe të dëgjoj çfarë po ngjet brenda meje.

Të menduarit nuk çon askund. Mund të jetë një cak i mirë dhe i fismë në studimet akademike, por nuk mund të gjesh një rrugëdalje shpëtimi nga vështirësitë emocionale. Atëherë duhet të bëhesh pasive dhe vetëm të dëgjosh. Të rikthesh kontaktin me hisen e përjetësisë.

Njëmend më duhet të jem më e thjeshtë dhe më pak fjalëmadhe në punën time, po ashtu. Kur bëj një përkthim të thjeshtë nga rusishtja, e gjithë Rusia shpërhapet para syrit të mendjes sime dhe ndihem se duhet të shkruaj një tjetër roman Vëllezërit Karamazov, në fund fare. I parashtroj vetes kërkesa shumë të larta dhe në momentet e frymëzimit e konsideroj veten bukur të zonjën t’i realizojë ato, por frymëzimi nuk zgjat përjetë dhe në gjendjet e mia shpirtërore më rëndomta kaplohem nga frikërat e papritura se nuk do të përmbush premtimet e atyre momenteve “të ekzaltuara”. Po pse duhet të arrij ndonjë gjë? E gjitha që më duhet është të “jem”, të jetoj dhe të mundohem të jem një çikëz më njerëzore. 

Njeriu nuk mund të kontrollojë gjithçka me trurin e tij; duhet t’i lejojë emocionet dhe intuitat e veta të luajnë lirshëm. Dija është fuqi dhe kjo me gjasë është arsyeja pse akumuloj dije, përtej dëshirës që të jem e rëndësishme. Nuk e di vërtet. Por o Zot, jepma urtësinë, jo dijen. Ose më parë dijen që çon tek urtësia dhe lumturia e vërtetë dhe jo atë llojin që çon te fuqia. Pakëz paqe, shumë mirësi, dhe pakëz urtësi – saherë që i kam këto brenda meje ndihem se po ia dal mirë. Kjo është arsyeja pse u lëndova aq shumë kur skulptorja, Fri Heil, i tha S.-it se unë i dukesha si tartare dhe se e gjitha që më duhej ishte një kalë i egër që të më çonte përmes stepave. Qeniet njerëzore nuk e njohin fort veten e vet, apo jo?

Hertha i thoshte në njërën prej letrave S-it, “Dje ti e prehe dorën tënde mbi mua.”

Realiteti nuk është krejtësisht real për mua, prandaj nuk mund të ulem të bëj ndonjë gjë, dështoj të çmoj rëndësinë dhe domethënien e tyre të vërtetë. Një varg i vetëm i Rilkes duket më real për mua se sa zhvendosja ose ndonjë gjë e tillë. Më duhet ta çoj tërë jetën mbrapa një tryeze shkrimi. Prapëseprapë nuk mendoj se jam ëndërrimtare e marrë. Realiteti nuk më magjeps, megjithëse vetëm nga mbrapa tryezës sime, jo në të jetuar dhe në të bërë. Që të kuptosh idetë dhe njerëzit duhet të dalësh jashtë në botën e vërtetë, në tokën mbi të cilën jeton dhe rritet çdo gjë.

Shënime:

Annie Romein ishte gruaja dhe bashkëpunëtorja e Jan Romein (1893-1962), historian holandez. Carry von Bruggen ( 1881-1932) ishte roomanciere holandeze.

Hertha Levie ishte gruaja që Spier synonte të martonte. 

/Etty Hillesum, ‘An Interrupted Life – The Diaries 1941-1943 and Letters from Westerbork’ ,Henry Holt and Company, 1996

/Përkthimi: Gazeta Express