Ditari i javës/ Ernst Jünger: shkurt 1941 - Gazeta Express
string(39) "ditari-i-javes-ernst-junger-shkurt-1941"

Arte

Gazeta Express

07/11/2025 16:43

Ditari i javës/ Ernst Jünger: shkurt 1941

Arte

Gazeta Express

07/11/2025 16:43

Ernst Jünger (1895 – 1998), shkrimtar, filozof, entomolog dhe ushtarak gjerman. Ai u bë i njohur menjëherë pas botimit të memoareve nga Lufta e Parë Botërore, ‘Stuhi çeliku’. 

Sars-Poteries, 18 shkurt 1941

Arrita para se të agonte te skela hekurudhore e mallrave në Avesnes, ku më zgjuan nga një gjumë i thellë. Kjo më bëri të ndërmendesha për ëndrrën e bukur: isha një fëmijë dhe në të njëjtën kohë burrë, duke udhëtuar përgjatë rrugës sime të vjetër për në shkollë nga Wunstorfi në Rehburg, një udhëtim që ne e bënim prore nëpër shtegun e ngushtë mes binarëve. Zbrita në Winzlar dhe vazhdova udhën në këmbë. Ishte natë, se në zonën përreth shtëpisë së tim eti mund të shihja plumbat që shkrepeshin, lart dhe të ndritshëm, përmes territ. Por në të njëjtën kohë ishte edhe ditë dhe në të majtën time fushat ishin të lara nga shkëlqimi i diellit. Njëra prej tyre ishte e mbuluar nga fidanët e gjelbër dhe mund të shihja mamanë time duke më pritur aty, një grua e re e mrekullueshme. U ula mbrapa saj dhe kur u lodha, ajo e kapi cepin e fushës si një qilim të gjelbër dhe na e hodhi sipër. 

Pamja ëndërrore më bëri shumë të lumtur dhe më mbajti ngrohtë për një kohë bukur të gjatë paskëtaj, derisa qëndroja në të ftohtë duke e ngritur rampën dhe duke mbikëqyrur punën. Marsh drejt Sars-Poteries; u strehova aty. Më kishin caktuar të qëndroja te dy zonja në moshë. Njëra ishte tetëdhjetë e dy vjeçe dhe tashmë kishte përjetuar tri luftëra. Munda të shtoja pak salsiçe në ushqimin e tyre të mbrëmjes, por prapë nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Konsistonte thelbësisht në patate të mëdha që kishin qëndruar mbi stufë, përposh një kubeje argjile. Ky mekanizëm i vogël quhej étouffoir, me gjasë ngase ushqimi brenda saj përgatitet duke e mbyllur pajisjen e saj me ajër. 

Sars-Poteries, 20 shkurt 1941

Shëtita afër stacionit hekurudhor. Në fabrikën e qeramikës, hetova rreth burimeve të argjilës që i jepnin qytetit reputacionin që kishte. Pakëz mbrapa binarëve arrita te gërmimet dhe pashë se ishin nxjerrë nga rëra e këndshme e kafenjtë dhe bardhë. Nuk zbulova asnjë prej fosileve që po shpresoja të gjeja. Në fund të ekskavatorit të vjetër të braktisur kishte pellgje argjile që përmbyteshin nga uji. Kalova pranë ca shelgjeve në fund të njërit pellg, më të gjata se njeriu dhe të mbuluara nga rrënjët e holla të dendura. Ato dilnin si myshku nga trungjet dhe degët – një shembull i mirë që demonstron se çdonjëra pjesë individuale e një peme mund të riprodhojë të tjera. I gjithë organizmi është i mbushur me fuqi të përqendruar te gjenerimi. Ne njerëzit e kemi humbur këtë art dhe posa që kulturat tona nxjerrin gjethe dhe lule, ne s’do t’i shohim më kurrë rrënjët e tyre. Sidoqoftë, kur rreziku rritet në momente sakrifice, ne nxjerrim jashtë organe të tjera, më spirituale, rrënjë imagjinare, në boshllëk – natyrisht në kurriz të jetëve individuale. Të gjithë ne përfitojmë prej këtij zhvillimi të ri. 

Gjatë kthimit, një stuhi bore të qullët larosi peizazhin. Porse në kopshte mund të shihja lule lajthish dhe dafine që mbulonin degët e zhveshura si lule jargavani të ënjtura. Në vende të mbrojtura, vërejta ca tufëza lulebore. Dukeshin të kishin dalë bukur herët, posaçërisht pas atij dimri të rëndë. Këtu quhen fleurs de Saint Joseph, dita e të cilit kremtohet më 19 mars.

Sars-Poteries, 21 shkurt 1941

Gjatë gjumit të hershëm mëngjesor, isha te një farmaci e vogël ku po blija gjëra të ndryshme. Pastaj Rehmi më zgjoi. Para se të hapja sytë, vërejta shkurtazi një valixhe letre me etiketën Braunschweiger Rubber Cement. Është prore e habitshme se si fokusohemi në detaje të tilla. 

Për momentin duke lexuar Reine (Mbretëresha) nga Julius (recte Julius) Lermina, një libër që ma ka huazuar zonja që zotëron lagjen ku po banoj; përshkruan bukur mahnitshëm fraksionizmin rreth vitit 1815 në stilin e Tre musketarëve. Në të gjen pasazhe si ky që tejkalojnë cilësinë e romanit popullor: “Te çdonjëri konspirator ka diçka fëmijërore.” Mund të konfirmoj këtë gjykim nga përvoja personale. 

Sars-Poteries, 22 shkurt 1941

Dremita herët në mëngjes dhe blova në mendje libra ekzotikë si Die Geheimnisse des Roten Meeres [Sekretet e Detit të Kuq] nga Henry de Monfreid. Vepra është e veshur me një shkëlqim korali, sedef dhe frymën e brishtë të detit. Po ashtu blova në mendje Le Jardin des Supplices [Kopshti i trazimeve] të Mirbeau-s. Ky kopsht, me shtigjet e tij të mbuluara nga pluhuri i kuq i tullave, është i mbushur me vegjetacion të gjelbër dhe masa të mëdha lule bozhuri flakëruese. Salltanetin e vet e ka falë trupave të panumërt të hamajve që e kanë ndërtuar në kushte të punës së rëndë vdekjeprurëse dhe janë kalbur në mënyrë anonime në barkun e tij. Ky libër meriton të vlerësohet për përvijimin e qartë të së bukurës dhe shëmtisë së botës – si dy forca kombinimi dhe ndërloja e së cilave na i sjell ndër mend përbindëshat e detit. Të veluara me irrideshencë, e kamuflojnë rrezikun e lemerishëm të armëve të tyre me tonalitete magjepsëse. Në një bashkim të tillë intensiv të ferrit dhe parajsës, syri nuk mund dallojë hollësitë e dëshirës dhe vuajtjes më shumë se sa që mundet kaosi i një ishulli xhungle. Këtu planeti ynë shfaq dramën më të pabesueshme të shpirtit tonë. 

Mandej Wagnerin, i cili m’u paraqit në një dritë të re, më domethënëse, për periudhën tonë. Mendova se kisha shquar gabimin e Baudelairet, i cili kishte një marrëdhënie autentike me të vërtetat antike të përjetshme. Mendova për mendjen e madhe të dramaturgut që frymon frymëmarrje artificiale në epokat e kaluara dhe kulturat e vdekura, kështu që ato lëvizin si trupa që ne mund të citojmë. Një magjistar i rendit më të lartë që komploton me gjakun e vërtetë në dyert e nëntokës. 

Gjërat marrin ngjyra që e bëjnë të vështirë madje edhe për syrin më të mprehtë që të dallojë të vërtetën nga iluzioni. Aktori vë këmbën në realitet, bëhet person historik, triumfon, grumbullon dafina të gjelbra si ato të vërtetat. Çfarë të mire ka të kundërshtosh ose të debatosh me të? Ai ka arritur sepse ka ardhur koha e tij. Në këtë gjendet faji i tij, i cili shkon më thellë se çdo faj tjetër i bazuar në veprimin njerëzor. 

Arti si shtëpi e nxehtë e epokave të kaluara – është si një promenadë nëpër kopshtet dimërore ose sallonet ku lulëzojnë pemët e palmave. Është vështirë të problematizosh këtë, se tmerret e shkatërrimit janë aq të mëdha, aq frikësuese, sa vullneti i shpëtimit të një hijeje të vetme është krejtësisht i kuptueshëm. Nietzsche paraqet një kontrast që qëndron dhe bie gjatë shtrëngatave dimërore. Këta janë ekzemplarët që rinia jonë, si Herkaliu, i vëren në udhëkryqe. 

Rasti i Nietzsche kundër Wagnerit m’i kujton ato shtëpitë e vockla të lodrave që kishim me figura të ndryshme që nxirrnin kokën varësisht kushteve të motit. Një figurë e vogël qëndronte jashtë dhe parashikonte motin, profetikisht korrekt, por pa vend për momentin. Tjetra tregonte parashikimet klimatike mbizotëruese, nëse mund të ndiheshin ose jo shenjat e një përkeqësimi. Për këtë arsye, kjo figurë priste në një vend të sigurt, larg nga drita. Po prapëseprapë që dy ishin të ngjitura për të njëjtës fashë druri të modeluar nga gdhendësi i shtëpisë së vogël meteorologjike. 

Saint-Michel, 24 shkurt 1941

U largova nga Sars-Poteries, posaçërisht nga zonja ime e virgjër tetëdhjetedyvjeçare, të cilën e falënderova para agut, gjersa ishte ende në shtrat. Pastaj marshova drejt lagjjës së re afër Saint-Michel, fillimisht nëpër një acar të lehtë pastaj përmes borës së dendur. 

Shtëpitë e shumta të shkatërruara dhe të dëmtuara bënin qytetin të dukej si një vend i ndaluar.

Një tank doli nga lumi i vogël që e përshkonte. Tashmë po krijohen mitet: njerëzit thonë se ngasësi e shembi urën që t’ua hiqte gjermanëve nga dora çmimin e tyre. Kudo që janë kthyer banorët, kanë ngjitur shirita të bardhë në dyert e shtëpive të tyre për të sinjalizuar praninë e tyre. Të lënë përshtypjen se janë më të varfër dhe më të uritur se sa banorët e Sars-Poteries.

Luzma fëmijësh me këmbë të zbathura, të ngrira dhe blu, ua mësyjnë kuzhinave fushore. Mund të dëgjohen minjtë duke rrapëllyer nëpër shtëpi; macet ua ngulin sytë nga dritaret e hapura. 

Po jetoj me Rehmin në shtëpinë e një pronareje burri i së cilës është i burgosur lufte në Gjermani. Me gjasë është rreth të të dyzetave, por ende është tërheqëse, e gjallë, mikpritëse dhe e ka në qejf të flasë për burrin e vet, për të cilin kujdeset me zell. 

Gjithsesi do të doja të mendoja për të si të disponueshme; ajo është plot me hare të stimuluar nga përvojat e reja dhe drithëruese. Gjëra të tilla shpesh gjenden në një zemër të vetme, sepse bota morale nuk mund të thirret të bëjë llogari ose të shqyrtojë hollësisht as përafërsisht si bota fizike. Për të njëjtin shkak, shumica e burrave nuk sillen si Otello (diçka që më parë nuk e kam kuptuar kurrë), por dinë si të harrojnë, sidomos në martesat jetëgjata.

Saint-Michel, 27 shkurt 1941

Imazhe të gjalla ëndrre, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit. Po merrja pjesë në një takim kur njerëzit po kënaqeshin duke imituar politikanë të vdekur dhe të harruar. Po improvizonin sipas momentit. Aty-këtu ndonjëri nga shoqëria ngrihej nga karrigia e tij dhe shkaktonte të qeshura me gjestet e tij histerike. Pashë një burrë të madh të fortë duke pretenduar se ishte Bismarku; i shijoi duartrokitjet e zëshme. Më erdhi në mendje se shumë gjeste të tilla shkaktonin shumë befasi dhe të qeshura, por vetëm në mesin e pak vetave. Nga kjo erdha në përfundimin se të pranishmit aty ishin bashkëmoshatarë të mi, me gjasë kolegë. Por të mbijetuarit e klikave të vogla të harruara mund të shiheshin duke duartrokitur fuqishëm figurat humori i të cilëve ishte harruar prej kohësh për të gjithë, përveç për ta.

Grupi jepte përshtypjen sipërfaqësore se janë shërbyes civilë të rangut të lartë, ose gjeneralë të pensionuar, tipa të njohur për anekdotat dhe memoaret e humbura, që organizonin ahengje në klubet e tyre. Kishte edhe një prapavijë të fshehtë, me një ton ndryshe, që kësaj here kishte të bënte me dramën e historisë njerëzore, po pa ndonjë hidhësi, që përkundrazi shkaktonte hare. Ishte e mbushur me një gjurmë pafajësie fëmijërore, si ato të burrave të moçëm të fisëm, që nuk janë të befasishme. Madje edhe një çikëz plaudite, amici(duartrokisni, miq), nëse e kapim domethënien në një kuptim ironik, ose vetë-kundërshtues. 

/Marrë nga Ernst Junger, ‘A GERMAN OFFICER IN OCCUPIED PARIS- THE WAR JOURNALS, 1941–1945’, Columbia university press, 2019

/Përkthimi: Gazeta Express