Mircea Eliade (13 mars 1907 – Chicago, 22 prill 1986), historian i religjioneve, antropolog, shkrimtar, filozof, orientalist, mitograf, eseist dhe ezoterist rumun. Njeri me kulturë të gjerë, udhëpërshkrues, fliste dhe shkruante në tetë gjuhë: rumanisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hebraisht, persisht dhe sanskritisht.
6 maj
Sot dorëshkrimet dhe shënimet e mia i nxorën vjedhurazi nga Londra. Vardala telegrafoi nga këtu këshilltarit të Legës suedeze dhe pas ca javësh pakoja arriti.
Çfarë gëzimi kur e hapa, t’i gjeja shënimet dhe dorëshkrimet që kisha humbur shpresën t’i kisha në dorë përsëri para përfundimit të luftës. Bukur ca pamflete gjermane janë zhdukur. I rilexova pesë a gjashtë faqe ditari, të vetmet që i kam shkruar, të gjitha përkitazi me Viaţă Nouă1. Oxfordin, tok me të gjithë tragjikën dhe bukurinë e tij, e ndiej sërish. Ndiej sërish përshitosjen time, dëshpërimin, shpresën, planet – gjithë jetën patetike që çova prej 8 shtatorit deri më 24 janar. Tash s’e di cilën punë të kap së pari: romanin apo Introducerea în istoria religiilor2.
7 maj
Sonte i rilexova të shtatëdhjetë e pesë faqet e romanit. Në përgjithësi, më duket mirë. Pak korrigjime në të dy kapitujt dhe pakëz pastrime në tekst.
15 maj
Këtë mbrëmje darkë në rezidencën e Georges Oulmont, refugjatit francez të cilin e kam takuar në Circulo Eça de Queiroz dhe të cilin e kam ftuar te vendi ynë për një vakt para nja dy javësh. Më kishte thënë se jetonte në një dhomë të vetme, krejt modeste, si refugjat, në një ndërtesë të Patriarchate – po kurrë s’do të më shkonte në mendje sw do të gjeja një mjerim kaq të madh. E vetmja gjë e bukur: ballkoni, që sheh kah Tagoja. Një dhomë e vockël në të cilën shkohet përmes një auditoriumi ku përnatë mbahen predikime religjioze, të ndjekura mes llomotitjeve të budallapesura dhe pornografike të të rinjve. (Unë vetë mund ta dëgjoj, pa u munduar ta bëj këtë, predikuesin e padhmangshëm teksa e ngre zërin). Një shtrat dhe një sofa, një tavolinë pune me një pjatë të vetme në të cilën ma shërbeu një çorbë bizelesh, pastaj një rriskë përshutë dhe sallatë dhe në fund pakëz djathë. Pak qershi, një ëmbëlsirë dhe një tas kafe. Sidoqoftë, kjo nuk ishte ajo që ishte dëshpëruese, por takëmi i hekurt, gotat e ndyra (asnjë e ngjashme), shishja e verës e hapur prej kohësh, buka e tharë nga një kuti e kallajt, soba e vogël me kerozin në të cilën ngrohu bizelet dhe përgatiti kafen. Dhe pjesa tjetër e dhomës: shtrati me pizhamat në të, valixhja me shoshonet sipër, sofa ku znj. Oulmont ishte shtrirë dhe pa dyshim kishte çimka, ngase ishte ngritur dhe e kishte kruar krahun, që dukej i skuqur në mënyrë të dyshimtë, kishte ndezur llampën dhe kisthe vënë krahun nën një trumbë. Në dhomë kishte edhe një depo rrobash, një legen dhe ca rafte me libra. Znj. Oulmont kisht eikur nga Franca me një copëz peliçeje në qafë dhe një qen në prehër. Ai me rrobat që kishte në shpinën e tij dhe sorëshkrimet e tij. Ai më tha se zotëron dy shtëpi në Francë, ka një bibliotekë me 6.000 vëllime, argjendurina dhe piktura. Tash bën jetë refugjati. Dhe prapë ne flasim veç për gjëra jomateriale. Është i dëshpëruar, sidoqoftë, me atë çka po ndodh në Francë3.
29 maj
Sa e trishtë të kuptosh se të gjithë njerëzit e kulturës dhe pothuajse të gjithë shkrimtarët e përvetësojnë në punën e tyre filozofinë në modë në kohën në të cilën jetojnë, edhe në aspektet e saj më shterpe dhe vulgare! Eça de Queiroz5 dhe të gjithë nga gjenerata e tij – Oliveira Martius, Theophilo Braza, etj. – ishin ateistë, pozitivistë, socialistë e kësodore. Romani i Eçës bart atë masë inerte teoretike të filozofisë në fuqi. Pio Baroja shkruan se ai e ushtron materializmin ngase “është doktrina më produktive për shkencën”. Shembujt mund të shumëfishohen. Me kënaqësi të madhe, gjithë këta njerëz fusin elemente teoretike të ndjera në veprat e tyre. Në të vërtetë, prej se është popullarizuar shkenca, ka nisur të bëhet e modës në arte të merret hua nga universi i dijetarëve ose, edhe më keq, nga përfundimet e thjeshta nga disa premisa dhe metoda valide (të validizuara) për gjeneratat – siç ishte rasti me pozitivizmin, materializmin, mjekësinë fiziologjike, etj.
Sa i veçantë duket Gëte, i cili i shpalli luftë shkencës së kohësë së tij! Apo Dostojevski, apo edhe Tolstoj, i cili pati guximin të shihte Ungjijt nën dritën e pozitivizmit!
Shënime:
1).Hyrje në Historinë e Religjioneve, të cilën shumë shpejt nisi ta quante Prolegomene… (Prologemenë Historisë së Religjioneve). Ky libër në botim do të marrë titullin Traité d’histoire des religions.
2).Sa shumë mund të gënjehem herëpshere! Nisa ta njoh mirë Oulmontin në verë-vjeshtën e vitit 1941. Sa shumë hipokrizi dhe mashtrim në atë njeri – me 100.000 eskudë në bankë! (Maj, 1942, nga shënimet e Elides)
3).José Maria Eça de Queiroz (1846?–1900), romancier dhe eseist portugez.
/Marrë nga Mircea Eliade “The Portugal journal”, Suny Press, 2010
/ Gazeta Express
Pritjes i erdh fund! Rrjeti i marketeve më të mëdha në Kosovë, ETC ka njoftuar për fillimin e fazës...