Ditari i javës/ Beauvoir: 3 shtator 1939 - Gazeta Express
string(38) "ditari-i-javes-beauvoir-3-shtator-1939"

Arte

Gazeta Express

01/11/2024 15:15

Ditari i javës/ Beauvoir: 3 shtator 1939

Arte

Gazeta Express

01/11/2024 15:15

Ky ditar i shpalljes dhe fillimit të luftës (shtatë fletore shënimi) paraqet vetëm një fragment të ditarit që Simone de Beauvoir e ka mbajtur qysh nga fëmijëria e deri në fund të jetës së saj, me pak ndërprerje

E diel, 3 shtator

Lexo Edhe:

U zgjova në orën tetë e gjysmë; po binte shi. Kësaj here isha krejtësisht zgjuar, nuk mund të llogarisja në gjumin trullosës që dje më përcolli gjatë gjithë ditës; mendimi im i parë qe: “Pra, qenka e vërtetë”; menjëherë ndjeva nevojën për aktivitet, s’mund ta honepsja të isha dembele as edhe për një minutë të vetme. Më mori goxha kohë të bëhesha gati. Mendoj se nuk jam saktësisht e trishtuar apo e palumtur, nuk ndihem se ka pikëllim brenda meje; bota e jashtme është ajo që është e llahtarshme. Ndezëm radion. Ende s’ka përgjigje ndaj komunikatave të fundit nga Franca dhe Anglia; ata ende po luftojnë në Poloni, s’ka mbetur më asnjë shpresë. Shkova te vendi im – s’kishte postë për mua. Shpërndarja e postës është bukur kaotike. Piva kafe te Rey. Mos me ta marr mendja: pas ditës së sotme do të jetë një ditë tjetër krejt e ngjashme, pastaj edhe një tjetër, edhe një edhe më e keqe, ngase do të ketë luftime. Gjithçka është e ngrirë brenda meje: kujtimet, e ardhmja, madje edhe perceptimi. Saherë që trupi resht së lëvizuri, duke shikuar ose menduar, sytë më mbushën lot. Çfarë më ndalon të qaj është mendimi se paskëtaj do të kem po aq lot për të derdhur, ndërsa herave të tjera njeriu dëshiron t’i sosë lotët e vet në mënyrë që paskëtaj të ndiejë se diçka e mirë është bërë dhe se është marrë një vendim. Mendova për Sartren dhe Bostin, por në fjalë dhe imazhe të fiksuara pa shprehje. Nuk e rilexova letrën e Bostit – nuk do të mund të mblidhja mendjen në duhej të bëja ndonjë rregullim, a të shkoja te parukieria ku do të më duhet të qëndroj pa lëvizur për dy orë. Mendova se do të isha në gjendje të punoja, por jo në dhomën time, në ndonjë kafene. Për çdo rast, problemi nuk është po ai i djeshmi. Dje thjesht ishte si ta kaloja ditën, pavarësisht se si. Sot dhe në të ardhmen është çështje e përpjekjes për të jetuar në mënyrë të përshtatshme. Jam në ankth të tërheq romanin tim nga Vedrini dhe do të mundohem ta bëj këtë.

Po lexoj Ditarët e Gidet – koha po kalon ngadalë. Ora njëmbëdhjetë: orvatja e fundit në Berlin, përgjigja do të merret vesh sot. S’ka shpresë – e pamundshme të kuptoj ndonjë shpresë konkretisht. As që mund ta marr me mend të jem e lumtur po të më thoshin “S’do të ketë luftë” dhe me gjasë s’do të isha.

Në mesditë u ndala në dhomën time; një telegram nga Vedrini1 dhe një telefonatë nga Gege. E thirra menjëherë. Isha skajshmërisht e lumtur t’ia dëgjoja zërin; nuk ka rëndësi kë e sheh, ajo që çon peshë është përshtypja se kemi një shoqëri njerëzisht të organizuar mirë përreth vetes me të cilët mund të takohesh, flasësh dhe t’ia rrëfesh hallet e tua. Shkova deri te shtëpia e Geges. Distancat janë bërë shumë më të shkurtra; një milje e gjysmë do të thotë dhjetë minuta të mundimshme. Parisi duket i kruspullosur dhe i individualizuar. Policët e qytetit kanë helmeta të reja të mahnitshme dhe bartin maskat e gazit në vezme të vockla të portokallta të kafenjta përreth supeve – bile edhe disa civilë i bartin. Shumë stacione metroje janë mbyllur dhe pllakate të mëdha tregojnë stacionin më të afërt që është i hapur. Makinat me dritat e tyre të kaltra duken si të ishin të stolisura me gurë të stërmëdhenj të çmuar.

Shkova të shihja Gégén. Duket shumë e lezetshme në bluzën e saj të bardhë; Pardo ishte aty dhe një shok tjetër që kishte sy të kaltër mahnitës; folëm një copë kohë, rreth Poupettes2, rreth pushimit-relaksit. Shkuam te Dôme, ku Gérassi ishte duke ngrënë pulë me oriz. Drekuam që të katërt. Pardo po vinte bast me mua dhe Gégén se s’do të ketë luftë; fqinji im, një anglez, e tha të njëjtën gjë. Ndërkohë, kishte thashetheme se Anglia tashmë kishte shpallur luftën. Diskutimi ynë po bëhej në një gjendje shprese të vagullt, ose të paktën paqartësie. Gégé po e lë Parisin për të shkuar në regjionin e Limousinit të martën. Ajo i ka vetëm 2.000 frankë për ta mbajtur familjen. Na foli për pushimet e saj në Porquerolles, vizitën e saj në La Grillère, dhe kthimin e vështirë nga Limogesi në Paris. Ka pasur një seri trenash dhe makinash të mbushura plot me dyshekë. Afër Parisit ka pasur pak makina dhe vetëm burra të thirrur në luftë duke udhëtuar vetëm. Shoku me sy të kaltër dhe Ella Pardo erdhën; ai u mundua ta mbronte BRSS-në mjegullt. Dôme vuri perde të mëdha të kaltra për kohën e blackoutit. Papritur, në orën tre e gjysmë, Paris-Soir paralajmëroi, “Anglia ka shpallur gjendje lufte në orën njëmbëdhjetë. Franca do ta ndjekë këtë shembull në orën pesë pasdite”. Një shock i hatashëm pavarësisht të gjithave – prapë, si një shkreptimë, ideja: “Bosti do të vritet”. U ktheva në shtëpinë time në lot dhe si një maniake i gjeta vetes punë të rregulloja dhomën; llulla e Sartret, rrobat e tij. E di me siguri se s’do të jetoj po bëri vaki të vdesë ai, çka pothuajse më jep një ndjesi qetësie, ndërsa në rastin e Bostit ideja është e padurueshme dhe e përzier me një lloj keqardhjeje që unë do të mbijetoj.

U qetësova dhe dola jashtë. Rrugët kishin një pamje serioze. Te Montparnasse, një përleshje. Një grua, mendoj, i kishte quajtur një dikë të huaj dhe ai po e shante. Njerëzit protestuan; roja bashkiake ndërhyri dhe e kapi për flokësh djaloshin – protesta nga turma – roja u hutua dhe u kërkoi njerëzve të largoheshin. Në përgjithësi, turma dukej e egër ndaj egërsisë së tij ndaj “të huajit”. Shkova te Café Flore dhe i shkrova Bostit.

Gégé arriti në orën gjashtë në mbrëmje. Ishte e mërzitur me lot në sy. Ella Pardo na u bashkua po ashtu. Më foli për ndarjen nga shoku i saj të cilin e kishte lënë papritur në mes të rrugës, pa mundur të shkonte deri në stacion me të. Pardo bëri shaka dhe qeshi; ca njerëz në Café Flore ende ishin duke thënë se nuk besojnë në luftë; por po e thoshin këtë me çehre të ngrysur. E bëra Gégén të fliste rreth njerëzve në Flore; përshtypje se jemi të lidhur me secilin. Duke bluar me mendje a të lëviz a jo, ndjeva se nuk kisha jetë personale, vetëm komunitetin, i cili jeton në vetvete si një shoqëritë primitive. Shkuam në restorant St. Pères, ku e pamë Sonien dhe goxha do djem nga Flore. U ulëm në një sallë të brendshme ku përjetova një moment të tmerrshëm derisa po porosisja pâté dhe beaujolais; në atë çast, m’u kthyer jeta individuale; mendova se do të nisja të bërtisja. Aty takuam edhe një tip nga Hachette, Philippe Aberi (?), grek, shumë i sigurt në vetvete. Po flisnin pallavra rreth politikës. Pardo u mundua të mbështeste BRSS-në, duke thënë se ishte një plan makiavelist që kishte për synim të nxiste një revolucion dhe të çonte deri te fitorja e partisë. U larguam. Aberi na foli rreth punës së tij në shërbimin e shtypit Hachette me djemtë e mobilizuar, kamionët e kërkuar dhe gratë që qajnë. Të gjitha libraritë në stacionet e ndryshme të metrove ishin mbyllur. U bë qaraman teksa po shikonte një çift: “Këta burra të zakonshëm, sa e vështirë duhet të jetë për ta të lënë gratë e tyre”; imbecili! Ngjitëm rue de Rennes nëpër terr me Gégén dhe u ulëm te Dôme; nata ishte pis e zezë. Një polic po hahej me fjalë me menaxherin, i cili po shtonte perde edhe më të kaltra që asnjë fije drite të mos mund të dilte jashtë. Qiell i mrekullueshëm mbo Paris dhe në errësirë mrekullia e dritave me ngjyra dhe dritat e purpurta dhe të kaltra të makinave. Pardo u kthye, tok me Poznerin; një ushtar i ri dhe tërheqës. Shamatë, ethe dhe çorientim në ndjesinë e të qenit e lidhur kaq fort me të gjithë këta të huaj. Dhe tmerr i vazhdueshëm i gazolinës së ndezur, gazit helmues, gazit mustardë, dhe Bosti në gjithë këtë. Vumë re Pierre Bostin3, i cili s’dinte më shumë se sa që ne dinim tashmë. Në mëngjes kishim vërejtur Téssaide në Dôme dhe hungarezin. Në orën njëmbëdhjetë kafeneja u mbyll. Shkova ta kaloja natën te Gégé. Pardo ma dha një hape dhe fjeta si bebe, duke ëndërruar druajtshëm Merleau-Pontyn.

Shënime:

1)Louise Védrine, ish student, pastaj mik i Sartret dhe Simones. Emër fiktiv i Bianca Bienenfeld, me të cilën autorja kishte pasur një lidhje intime.

2)Motra e autores. [Poupette ishte nofka e Hélène de Beauvoir, dy vjet më e re se Simona. Më vonë njihej si piktore.

3)Pierre Bost, vëllai i madh i Jacques Bostit, shkrimtar dhe gazetar, botues i Marianne. Punonte edhe te shtëpia botuese Gallimard.

/Marrë nga: Simone de Beauvoir, “Wartime diary”, University of Illinois Press, 2009

/Përkthimi: Gazeta Express