Sir Antony Sher (1949 – 2021), ishte aktor, shkrimtar dhe regjisor britanik. Dy herë fitues i Laurence Olivier Award dhe pesë herë i monimuar. ‘Year of the Mad King: The Lear Diaries’ është dëshmia e Sherit e hulumtimit, provave dhe performimit të rolit më sfidues të Shakespearit, të njohur si Everesti i Aktrimit.
Leari amerikan
27 maj 2015
Ai është i njohur si Leari amerikan.
Willy Lomani.
Por a janë vërtet të ngjashëm?
Do ta marr vesh së shpejti…
Këto mendime më erdhën teksa po qëndroja në kuzhinën e shtëpisë londineze, me penjuarin tim të veshur, sytë ende të përgjumur, flokët një shkurre fijesh të holla – për shkak të brilkremit që kisha vënë për shfaqjen e fundit. Momentalisht jam me Death of a Salesman në Noël Coward Theatre, ku po luaj Willy Lomanin dhe ai ka një krehje të viteve 1940 të ndritshme dhe të rregullt, me një vijë ndarëse të pastër.
Ndërkohë dora ime është mbi një dorëshkrim nga Departamenti letrar i Royal Shakespeare Company: Mbreti Lear.
I kam mërzitur Gregun (Doran; Drejtorin artistik të RCS dhe partnerin tim) të merren vesh për tekstin të shtypet në këtë format A4, në mënyrë që të mund të shënojmë anash ndoca prerje të mundshme për produksionin e caktuar për gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Kemi një rrugë të gjatë përpara, por ne duhet të fillojmë të mësojmë tekstin shumë shpejt.
Gregu ishte në gjumë kur u ktheva në shtëpi nga teatri mbrëmë dhe i duhej të ngiste deri në Strafford herët në mëngjes, kështu që e kishte lënë skriptin mbi tavolinën e kuzhinës, me një shënim: ‘Kjo është e jotja.’
Thjesht e kishte fjalën, ‘Kjo është kopja jote,’ por mund të lexohej edhe si, ‘Ky është një rol që duhet ta luash dhe do ta bëjmë tash.’
Në të vërtetë, kemi folur për shfaqjen me vite të tëra, si një nga bashkëpunimet tona shekspiriane: Tito Androniku, Përralla dimërore, Makethi dhe Otello, me një shtesë befasuese në vitin 2014, nga Henry IV, Pjesët I dhe II. Por është një gjë të flasësh rreth përgatitjes së Mbretit Lear dhe krejt tjetër gjë në të vërtetë të prekësh skriptin në tavolinën e kuzhinës tënde në një mëngjes të ndritshëm maji.
Ndihesha me fat.
Aktorët e vjetër presin në radhë të luajnë Learin ashtu siç të rinjtë presin për Hamletin dhe nëse dëshiron t’i performosh ato role në RSC ose në National, nuk është e lehtë aspak të futesh në radhë.
Pra pavarësisht gjithë këtyre viteve – jo, dekadave, që i kam kaluar duke punuar për RSC, ende ndihem me fat që do të luaj Learin këtu. Dhe kurrë s’e kam marr me mend, kur Gregu dhe unë e biseduam idenë për herë të parë, se ai do të drejtonte kompaninë kur të vinte dita ta bënim atë.
Përpara kemi një orar të dendur. Salesman do të jepet deri në korrik, pastaj Greg bën Henryn V, pastaj kompania risjell Henryn IV dhe Richardin II (me David Tennantin) dhe luan tërë tetralogjinë në Barbican, pastaj e çojmë në turne, në Kinë dhe New York.
Pastaj e bëjmë Mbretin Lear.
Nëse ende jam në këmbë.
30 maj
Mes shfaqjes së mëngjesit dhe mbrëmjes të Vdekja e një shitësi sot, dola të bëja një shëtitje të shkurtër. Pas një kohe pashë se po shkoja drejt hotelit Pastorial në rrugën e ngushtë St Martin, menjëherë pas Leicester Square. Këtu, pas ardhjes nga Afrika e Jugut ku jam lindur, e kam kaluar natën time të parë në MB. Ka qenë një e mërkurë, 17 korrik 1968 dhe prindërit e mi do të qëndronin këtu ndërkohë që unë do të bëja audicionin për t’u pranuar në shkollën e dramës.
Të luash Willy Lomanin tetë herë në javë po del të jetë rraskapitëse dhe po shpresoja se të shihja Pastorian prapë do të më vetëdijësonte për udhëtimin e madh që kam bërë – nga të qenët mysafir adoleshent në atë hotel te një aktor kryesor në teatrit fqinj West End. Por e gjeta ndërtesën të rrethuar nga skelet dhe rrethojat plastike. Renovimi ishte i pakëndshëm dhe nuk ma dha shtysën për të cilën kisha nevojë. Dhe vetë Leicester Square ishte bukur kërcënues, me turma të mëdha, një bandë fansash të futbollit që po këndonin dhe jashtëqitës para çdo lokali dhe restoranti. Ky ishte West Endi i vërtetë, shumë ndryshe nga atmosfera e qetë dhe e kulturuar e Noël Coward Theatre. U ktheva vrap te siguria e tij.
Duke u përgatitur për shfaqjen e mbrëmjes, ulur para pasqyrës së dhomës së veshjes, isha duke vënë brilkrem të freskët në flokët e mia kur fillova prapë të mendoja për Willy Lomanin dhe Learin.
Nuk jam i sigurt se termi ‘Leari amerikan’ do të thotë se ka lidhje të thella mes të dy personazheve – me gjasë i bërë bashkë nga aktorët për të shprehur faktin se rolet janë, me shumë gjasë, më sfidueset që ekzistojnë në dramën angleze dhe amerikane. Prapë, tash që i kam të dyja në nishan, mund të shquaj ca tipare që në të vërtetë mund të bashkëndajnë.
Ka një pajtueshmëri befasuese në atë se edhe pse një person nuk është askushi, një shitës i dështuar, dhe tjetri një mbret i fuqishëm, që të dy kanë një mënyrë të njëjtë të imponimit të vullnetit të tyre mbi të tjerët, posaçërisht mbi familjarët e tyre. Që të dy kanë diçka të përbindshme në vete.
Zbulimi i anës përbindëshore të Willyt ishte e papritura më e madhe për mua gjatë provave. Ai është aq ironikisht figurë viktimë – djali i vogël i zënë nga valixhet e mallrave që nuk mund t’i shesë më – sa performanca ime po bëhej e plogësht, vetëmëshiruese dhe pasive, çka thjesht nuk e bënte pjesën të ishte ajo që duhej të ishte. Fola për këtë me Gregun, i cili ishte regjisori, por asnjë zgjidhje nuk doli në dritë menjëherë. Pastaj lexova një pasazh të autobiografisë së Arthur Millerit, Timebends, dhe Willy Lomani nuk qe më kurrë i njëjti. Milleri e përshkruan aty njërin prej dajave të tij, Manny Newmanin, i cili ishte një model i mundshëm i Willyt. Dajë Manny ishte po ashtu shitës, kishte po ashtu dy djem (njëri prej të cilëve, si Biffi i dramës, shkëlqente në sport, por jo në studime) dhe edhe ai kishte përfunduar i vetëvrarë. Milleri shkruan për dajën e tij Manny:
«Ai ishte aq absurd, aq krejtësisht i izoluar nga ligjet e rëndomta të gravitetit, aq i rafinuar në sajesat e tij fantastike… sa e kishte pushtuar imagjinatën time. Çdonjëri e dinte se zgjidhja e tij për çfarëdo problemi të madh ishte përherë e njëjta – ndryshoji faktet.»
Dhe për shtëpinë e dajë Mannyt:
«Në atë shtëpi… diçka e mirë pritej përherë të nxirrte kokën dhe jo vetëm e mirë, por fantastike, transformuese, triumfuese. Ishte shtëpi pa ironi, që dridhej nga vendimet dhe britmat e fitoreve që ende nuk kishin ndodhur, por sigurisht do të ndodhnin nesër.»
Kjo është shtëpia e Lomanit dhe Willy është dajë Manny: absurd, duke i përkufizuar ligjet e gravitetit, duke i ndryshuar faktet, duke bërtitur triumfalisht. Papritur Willy nuk ishte më viktimë. Ai është fantazues, tiranizues. Vetëm se kryevepra e Millerit i shtyp këto të meta duke na e treguar vendin e Willyt në shoqëri. Ai është i humbur në botën moderne, ajo po e shkatërron atë. Ne e shohim këtë të ndodhë, hap pas hapi. Për aq sa Willy fundoset dhe vazhdon të mburret dhe të dërdëllisë, aq më shumë na e thyen zemrën.
Kjo nuk më ka bërë mua vaki kurrë më parë – një dramaturg të më udhëheqë drejt një personazhi jo përmes dramës, por përmes një pjese tekstuale krejt tjetër: autobiografisë së tij.
Shakespeare nuk të ofron të njëjtën ndihmë. Autobiografi, autoshbiografi. Nëse ne mezi se dimë ndonjë gjë të vogël për jetën e bardit, aq më pak dimë për njerëzit e tjerë në të, njerëzit që mund të kenë frymëzuar personazhet e tij. Merreni me mend sikur të ekzistonte një dajë Jack që kishte qenë model për Falstaffin dhe një dajë Lee si model për Learin…
/Marrë nga Antony Sher, ‘YEAR OF THE MAD KING – The Lear Diaries’, NICK HERN BOOKS, 2018
/Përkthimi: Gazeta Express