Punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi” janë në ditën e pestë të grevës në oborrin e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro që komuna ia ka ndërmarrjes.
Ata qëndrojnë në tenda ditë e natë dhe paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen pa u realizuar kërkesat.
Punëtori Ilaz Rexhepi tha për Ekonomia Online se nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete nga Komuna dhe se situata financiare e ndërmarrjes është kritike.
Sipas tij, pagesa e pjesshme prej 1.5 milionë eurosh nuk mjafton as për mbulimin e shpenzimeve bazike.
“Sot është dita e pestë e grevës. Kërkesat tona i keni të qarta. Ato nuk kanë ndryshuar. Këta nuk po e kuptojnë. Deri në plotësimin e kërkesës së fundit nga ana e Komunës ne nuk tërhiqemi, do të qëndrojmë këtu.
Nuk kemi marrë asnjë përgjigje përveç asaj 1.5 milionë, që nuk na mjafton as për shpenzime, sepse ajo është kontratë sipërfaqësore. Me atë kontratë ne nuk tërhiqemi. Atë 2.7 milionë borxh që na ka, ajo të na rimbursojë dhe dalim në punë menjëherë”, tha Rexhepi.
Në një intervistë për Ekonomia Online, nënkryetari i Sindikatës së Ndërmarrjes , Shpend Qosa, tha se greva ka hyrë në ditën e pestë pa asnjë komunikim me Komunën e Prishtinës.
Ai theksoi se kërkesat janë të drejta dhe bazike dhe jo lëmoshë. Paralajmëroi se greva mund të radikalizohet, nëse nuk ka zgjidhje.
“Sot kemi hyrë në ditën e pestë të grevës dhe sot nuk kemi pasur asnjë komunikim me komunën e as me njerëzit kompetentë. Greva do të vazhdojë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa të arrijmë qëllimet tona, të cilat janë të drejta dhe bazike.
Nuk po kërkojmë diçka lëmoshë nga Komuna, përveç të drejtave tona dhe ato çka na takon. Në takim kemi qenë për ato kërkesa, nuk kemi pasur përkrahje të sinqertë, vetëm fjalë dhe kemi dalë pa asnjë marrëveshje. Durimi mund të humbë një ditë. Gjithmonë greva mund të radikalizohet, por gjithmonë duke ruajtur pronën publike.
Bëj një lutje për kryetarin Përparim Rama që të bëjë një zgjidhje për ne punëtorët, të cilët tashmë prej datës 14 nuk kemi bërë shërbim shkaku i derivateve dhe realisht ne jemi pa punë. Sot mbetëm pa naftë, nesër pa pagë. Problemi është që 40 për qind e punëtorëve nuk kanë nga t’ia mbajnë. Nuk i merr askush në punë, sepse aty e kanë lënë jetën e tyre”, tha ai.