string(26) "dita-e-perjetshme-e-luftes"

Arte

Donjeta Abazi

17/07/2024 16:00

Dita e përjetshme e luftës

Arte

Donjeta Abazi

17/07/2024 16:00

Më 11 korrik, u hap, në Hapësirat e Qendrës së Dokumentimit Kosovë, ekspozita “Një ditë”, e cila përkon me datë 2 maj të vitit 1999. Ekspozita e kuruar nga Blerta Hoçia rrëfen, përmes detajeve dhe fragmenteve vizuale të treguara nga të mbijetuarët, ngjarjet e atyre 24 orëve

Në katalogun e ekspozitës të përgatitur nga Blerta Hoçia lexojmë:

Lexo Edhe:

«Asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër. Lufta ka aftësinë të shterojë dhe njëkohësisht të asgjësojë kuptimet; të gjuhës, të dinjitetit, të njeriut dhe të kohës. Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj. Kjo ditë, autopsia e së cilës ndahet në mijëra çaste të brishta, përmban të gjitha llojet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ku secila histori e rrëfyer vjen e tkurret derisa gjen formën e një fragmenti, ngjashëm me imazhet e rizgjuara të kujtesës traumatike.

Në labirintin që formohet duke përshkuar ekspozitën, llamarina rrjedh e valëzohet si uji i një përroi, që ndjek rrjedhën nga Studimja e Epërme në Studimen e Poshtme ku së bashku me të mbijetuarit bëhet dëshmitar i asaj dite të 2 majit të vitit 1999 që përkon me ditën e rindërtuar në ekspozitë. Fatkeqësisht, përtej masakrës së Studimes, 2 Maji përmban të tjera dokumentime të vrasjeve, zhdukjeve e torturave në të gjithë territorin e Kosovës»

Trauma e kaluar që përsëritet në dyluftim me të tashmen që kërkon normalitetin

E gjithë hapësira e ekspozitës, vërtet rrëfen një përjetim 24 orësh të shumë njerëzve të një ngjarjeje të largët. Mbijetuesit e asaj ngjarjeje të 2 majit mbajnë në vete rrëfime të cilat na transmetohen me plotë dhimbje. Në hapësirat me llamarinë të ftohtë në formë labirinti mundësia për të dëgjuar rrëfime trishtuese na vjen përmes shkrimit, audiove e pamjeve.

Ekspozita “Një ditë” ndërthur në vete shumë ditë të tjera të kaluara në traumë nga këta të mbijetuar që nga viti 1999. Fotografitë, videot në format të vogël, vendosur mureve me llamarinë përtej rrëfimit kalojnë në ndjeshmëri. Edhe mjetet e transportit që i shohim me refugjatë edhe historitë e grave që janë dhunuar, nuk janë më veç rrëfime, këto rrëfime mbushin mbijetesën e tyre me dhimbjen tonë për traumat që këta njerëz nuk i kanë kaluar asnjëherë.

Lumi i ngjarjeve të asaj dite në atë zonë të Kosovës neve si publik na vjen përmes imazheve, të disa njerëzve që vrapojnë në mal, një automjet në lëvizje, një burg i ndarë në dysh, një pamje të disa personave në prag ekzekutimi. Këto ngjarje prezantohen në forma artistike minimaliste dhe estetikisht bukur ani pse historitë brenda tyre janë shumë larg të së bukurës dhe minimales.

Ngjarjet e asaj dite përmes kësaj ekspozite ringjallin një traumë të shkëputur ndër vite e cila padoemos ruhet me padashje në qoshen e kujtesës të secilit të mbijetuar. Neve si publik na prezantohet si për herë të parë çdo ngjarje dhe çdo histori e këtyre protagonisteve përderisa për ta është një ngacmim psikologjik dhe emocional që nuk ka pushuar asnjëherë edhe pse jetët e tyre kanë vazhduar duke tentuar t’i ofrohen normalitetit.

Një ngjarje e tillë është edhe ajo e Albinës, e cila tregon për ditën kur është dhunuar, pasojat e asaj dite, arratisjen, ribashkimin me familjen pas asaj ngjarje dhe mënyrën se si ka vendosur ta jetoj jetën sot.

Më 2 maj të vitit 1999, Albina së bashku me një pjesë të familjes së saj kishin qenë të detyruar të lëshonin shtëpitë e tyre dhe të merrnin udhën për Shqipëri. Rrugës, ata u ndaluan nga forcat serbe që i detyruan të qëndrojnë në një vend të braktisur, me ç’rast i ndanë gratë veç. Aty Albinën e përdhunuan disa herë. Në atë gjendje, ajo arriti të kalonte kufirin dhe më pas të bashkohej me pjesën tjetër të familjarëve të saj.

“Kurrë atë rrugë nuk e boj mo, nuk shkoj mo n’Shqipni”, thotë Albina, ndërsa tregon për përjetimin e asaj ngjarjeje.

Nga ajo ditë, Albina vërtet nuk është kthyer kurrë në Shqipëri. Frikën e ka të pashmangshme: dhimbja e kokës nuk pushon asnjëherë dhe për më tepër është e heshtur dhe nervoze. Ajo nuk i ka treguar as bashkëshortit, as ndonjë familjari tjetër për këtë ngjarje, pasi nuk do të mund ta duronte paragjykimin apo keqardhjen e tyre.

Herë pas here, ajo ditë i shfaqet në makthe dhe ata persona i dëftohen si hije e si gojëra që qeshin. Këto mendime i mërgon duke i gjetur vetes punë, qoftë në shtëpi, apo në kopsht e me fëmijët, nipërit e mbesat. Edhe në raste gëzimi kur qesh vetvetiu, ajo e ndërpret në gjysmë dhe e qetëson veten, pasi një zë nga brenda i thotë se nuk guxon të gëzohet plotësisht.

Historitë si të Albinës (emër fiktiv për arsye konfidencialiteti) dhe të tjera që vijnë nëpërmes mediumeve të ndryshme shkëputen nga një kohë e caktuar nga një vend i caktuar nga njerëz të caktuar duke pasur një të përbashkët të madhe, përjetimin e dhimbshëm i cili sot vendos në dyluftim traumën e kaluar që përsëritet dhe të tashmen që kërkon t’i përkoj normalitetit.

Ekspozita “Një ditë” organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe kuruar nga Blerta Hoçia, vazhdon të mbetet e hapur dhe mund të vizitohet në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejmani’, në bazë të orarit të Bibliotekës.

/Gazeta Express