“Telenovela” Ardon Jashari mori fund në ditën e djeshme.
Milani dhe Club Brugge arritën më në fund marrëveshje për transferimin e yllit shqiptar në “San Siro”.
Pas afro dy muajsh negociata, mes ofertash dhe refuzimesh, më në fund Kuqezinjtë ia dolën ta bëjnë të vetin përfaqësuesin zviceran, shkruan “Gazeta Express”.
Me një total prej 39 milionë eurosh, përfshirë këtu edhe bonuset, më në fund u zhbllokua një proces i gjatë.
Me t’u arritur marrëveshja mes klubeve, 23-vjeçari e mori rrugën drejt Milanos, ndërsa zbarkoi në aeroportin e Linates rreth orës 23:00.
Aty, ish-futbollisti i Luzernit, krahas gazetarëve, u prit nga dhjetëra tifozë të Milanit, të cilët i uruan mirëseardhje yllit të tyre të ri.
E nga ana e tij, mesfushori kreativ ishte i shkurtër në pyetjen se si po ndihej.
“Jam shumë i lumtur, jam shumë i lumtur”, u shpreh futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut derisa po shkonte drejt hotelit ku do të vendosej mbrëmë.
E sot, Jashari do ta ketë një ditë mjaft të ngjeshur.
Fillimisht, në mëngjes do t’ju nënshtrohet kontrolleve mjekësore, për t’iu bashkuar më pas ekipit të Massimiliano Allegrit.
Jashari do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Kuqezinjtë, deri në verën e vitit 2030, ndërsa do të paguhet rreth 2,5 milionë euro në vit.
Ai kishte marrëveshje me shtatë herë kampionin evropian qe një kohë, ndërkohë që po i bënte presion klubit të deritashëm që të arrinte marrëveshje me gjigantin italian.
Jashari e donte aq shumë Milanin sa që i kishte refuzuar disa klube të njohura për të.
“Rossoneri” ishin në zemrën e futbollistit pasi këtë klub ai e ëndërronte që kur ishte fëmijë.
Jashari bëhet kështu shqiptar i parë që do të luajë për Milanin.
E në ndërkohë, meritat më të mëdha që ai zbarkoi në “San Siro” i ka një tjetër shqiptar – drejtori sportiv i klubit, Igli Tare. /Gazeta Express