Forca e Sigurisë së Kosovës do të organizojë më 27 nëntor aktivitetin tradicional “Dita e Forcës – Ditë e Hapur”, ku të gjithë qytetarët janë të ftuar të vizitojnë kazermat e FSK-së në mbarë vendin. Aktiviteti do të mbahet nga ora 09:00 deri në 14:00.
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, nga ora 09:30 pritet të marrin pjesë udhëheqës të lartë të institucioneve të vendit, si dhe ambasadorë dhe të ftuar nga vendet partnere.
Qytetarët do të kenë mundësinë të vizitojnë kazermat në Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan, ku do të ekspozohen kapacitetet dhe pajisjet ushtarake të FSK-së. Aktiviteti synon të sjellë më afër publikut misionin, rolin dhe zhvillimet e fundit brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste.
“Dita e Forcës” konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme vjetore të FSK-së, duke reflektuar transparencën institucionale dhe angazhimin për të qenë sa më pranë qytetarëve.