Dita e 9 e grevës! Naftëtaret kërkojnë grup negociator, Rama nuk tërhiqet - Gazeta Express

Dita e 9 e grevës! Naftëtaret kërkojnë grup negociator, Rama nuk tërhiqet

Shqiperi

Gazeta Express

23/10/2020 10:25

Tashmë në ditën e 9 të grevës së urisë, shëndeti i grave naftëtare është përkeqësuar ndjeshëm. Pavarësisht rasteve me temperaturë, probleme me tensionin e deri tek të vjellat, asnjë prej grave nuk e ka braktisur grevën. Në të kundërt, ato i bëjnë thirrje qeverisë, që të sjellë një grup negociator dhe t’u jepen pagat e tyre të prapambetura, të fituara me punë dhe në gjykatë si e drejta e tyre.

 “Po na vijnë përfaqësues të  bankave ku jemi debitorë. Rama të dërgojë një grup negociator. Kërkojmë rrogat e prapambetura dhe rifillimin e punës. Kemi fituar gjyqin për marrjen e pagave, pse nuk po i marrim? Do të  vazhdojmë grevën se nuk kemi ku të shkojmë. Kryeministër çfarë të kushton që të vish me grup negociator? ”, është shprehur një prej grave.

Por pavarësisht thirrjeve të naftëtareve, Rama duket se nuk do të lëvizë nëse grevistet nuk ikin nga ‘ngujimi’ i tyre. Kryeministri ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetin social duke shkruar se në çastin që gratë lënë grevën, atëherë do të shkojë ai personalisht menjëherë në Ballsh.

“Unë jo vetëm nuk po hesht por po përsëris çdo ditë: Ndalni grevën dhe ulemi diskutojmë për hallin tuaj! Nuk ka negociata me presione e me ultimatume në një familje, po ka qarje halli me logjikë e me zemër të hapur! E thjeshtë:Dilni nga greva dhe do vij unë vetë tek ju menjëherë”, shkruan Rama.

Por ftesa e Ramës është refuzuar nga ana e grevisteve dhe naftëtarëve që qëndrojnë prej ditësh në mbështetje të grevës së naftëtareve.

 “Ne nga greva nuk dalim. Kushdo që të vijë këtu, rrugën e ka të hapur. U bëj thirrje të gjithëve, ne nga greva nuk dalim. Nuk bëjmë presione, duam pagat. Kur të shoh që fëmija im do vejë të blejë bukën, unë e ndërpres grevën urgjentisht,” tha njëri prej tyre.

 “Verdikti nuk është i imi, por i grave aty lart që po sakrifikojnë. Rama të vijë në Ballsh, të ulemi, të negociojmë për zgjidhje. Absolutisht jo, nuk e lemë grevën. Të ulemi këtu në Ballsh dhe të gjejmë zgjidhje”-tha një naftëtar.

Kujtojmë se naftëtarët po bëjnë thuajse një muaj në grevë. Fillimisht qëndruan për 18 ditë një grup prej 10 burrash naftëtarë, e pasi gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm, në ‘ngujim’ vendosën të futeshin gratë naftëtare, që qëndrojnë në një prej ambienteve të uzinës prej 9 ditësh.