Më shumë se 220 milionë fëmijë në mbarë botën mund të jenë obezë deri në vitin 2040, nëse nuk merren masa drastike, paralajmëron një raport i ri i publikuar nga World Obesity Federation.
Sipas të dhënave, në vitin 2025 rreth 180 milionë fëmijë në botë janë obezë.
Por, The Guardian ka shkruar se raporti i ri, “World Obesity Atlas 2026″, parashikon se deri në vitin 2040, rreth 227 milionë fëmijë dhe adoleshentë nga mosha 5 deri në 19 vjeç do të jenë obezë, ndërsa më shumë se gjysmë miliardi do të jenë mbipeshë.
Kjo do të thotë se të paktën 120 milionë fëmijë të moshës shkollore mund të shfaqin shenja të hershme të sëmundjeve kronike si pasojë e indeksit të lartë të masës trupore (BMI). Një person konsiderohet obez kur BMI është 30 ose më shumë, ndërsa mbipeshë kur është mbi 25 BMI.
Drejtoresha ekzekutive e federatës, Johanna Ralston, ka thënë se rritja globale e obezitetit te fëmijët tregon se kjo sëmundje nuk po merret seriozisht.
“Nuk është e drejtë të dënojmë një brez të tërë me obezitet dhe me sëmundje kronike, potencialisht fatale, që shpesh e shoqërojnë atë”, ka thënë Ralston.
Sipas raportit, në SHBA rreth 27 milionë fëmijë nga 5 deri në 19 vjeç kanë BMI të lartë, duke u renditur pas Kinës (62 milionë) dhe Indisë (41 milionë). Kjo do të thotë se dy në pesë fëmijë amerikanë janë mbipeshë ose obezë.
Në Britani, rreth 3.8 milionë fëmijë kanë BMI të lartë, rekord që e rendit vendin ndër më të prekurit në Evropë, me pothuajse dyfishin e rasteve krahasuar me Francën dhe Italinë.
Raporti vlerëson se deri në vitin 2040, rreth 370 mijë fëmijë britanikë të moshës 5-19 vjeç mund të shfaqin shenja të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa 271 mijë pritet të kenë shenja të hipertensionit.
Gjithashtu theksohen pabarazi të mëdha rajonale.
Dhjetë vendet ku më shumë se gjysma e fëmijëve të moshës shkollore janë mbipeshë ose obezë ndodhen në rajonin e Paqësorit Perëndimor dhe në Amerikë, ndërsa rritja më e shpejtë e normave të obezitetit po ndodh kryesisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Raporti u bën thirrje qeverive të krijojnë mjedise më të shëndetshme, përfshirë vendosjen e taksave mbi sheqerin, kufizime më të forta për reklamat e ushqimeve të pashëndetshme dhe politika që inkurajojnë aktivitetin fizik tek fëmijët.
Ddoktori Kremlin Wickramasinghe nga World Health Organization për Evropën e ka cilësuar obezitetin në fëmijëri si “dështim të mjedisit”.
“Shumica e qeverive, përfshirë shumë në Evropë, po lejojnë industrinë ushqimore të synojë fëmijët pa kufizime. Ajo që na duhet është vullnet politik për të vepruar dhe për t’i bërë ballë ndërhyrjes së industrisë”, ka thënë ai.
Edhe Katharine Jenner, drejtoreshë ekzekutive e Obesity Health Alliance, ka theksuar se obeziteti në fëmijëri “nuk është i pashmangshëm”.
“Rritja e parashikuar e shenjave të hershme të sëmundjeve të zemrës dhe hipertensionit duhet të jetë një kambanë alarmi për pasojat afatgjata të mosveprimit të vazhdueshëm nga qeveritë”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Kujdesit Social në Britani ka deklaruar se po mundohen t’i reduktojnë reklamat e ushqimit të shpejtë si dhe po fuqizojnë autoritet lokale në mënyrë që ta ndalojnë hapjen e lokaleve që shesin ushqime “fast food” pranë shkollave.
“Po kufizojmë reklamat e ushqimeve të pashëndetshme në televizion para orës 21:00 dhe në çdo kohë online, një masë që pritet të heqë deri në 7.2 miliardë kalori në vit nga dieta e fëmijëve, ndërsa po u japim autoriteteve lokale fuqi më të forta për të ndaluar hapjen e ‘fast-food’ pranë shkollave”, ka thënë ai.
tag_katrorimaqedoni_2