LVV, Nisma dhe pakicat. Kjo mund të jetë zgjidhja e mundshme për ngërçin politik dhe do të jetë kjo tema e një takimi ndërmjet Abin Kurti dhe Fatmir Limajt që pritet të zhvillohet këtë fundjavë. Ata do ta diskutojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë së re. Por thjesht një marrëveshje ndërmjet të dyve nuk mjafton. Duhen bindur edhe disa deputetë minoritarë.
Gazeta Express
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Nismës Socialdemokrate munguan sot në seancën konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre për herë të 48-të, pasi propozimi për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mori 10 vota më pak sesa që nevojiten.
Zgjidhja e këtij ngërçi politik duket se ka mbetur në duart e Albin Kurit dhe Fatmir Limajt, të cilët pritet të takohen këtë të shtunë ose të dielë, sipas deputetes së Nismës, Xhevahire Izmaku, e cila beson se këtë herë do të arrihet marrëveshja, mbi pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.
Prej muajsh, Kurti dhe Limaj po qëndrojnë në kontakt. Disa herë janë takuar, me negociatat që nuk kanë dhënë ende rezultat.
Kurti është përballur me dy kërkesa konkrete nga Limaj: pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe një “paketë ligjore”, në të cilën përfshihet edhe ulja e pragut zgjedhor nga 5 në 2%.
Izmaku mohoi sot në një deklarim para gazetarëve se Limaj ka hequr dorë nga kërkesa për pozitën e kryeparlamentarit.
“Jo, absolutisht, ne jemi në atë diagonale të bisedimeve me çështjen që zoti Limaj të jetë në krye të Kuvendit dhe të presim në fundjavë që të ketë një epilog pozitiv të bisedimeve”, tha ajo.
Limaj tha të premten e javës së kaluar se këtë javë do ta ftojë për kafe Kurtin.
Të martën, ai iu referua kryetarit të LVV-së si “kryeministri”, ndërsa foli për diskutimin që ata pritet ta kenë.
“Do të bisedoj me Kryeministrin për të ardhur deri te një moment i zgjidhjes së situatës. Natyrisht t’i shohim mundësitë çka varet nga ai dhe çka varet nga ne që të tejkalohet kjo krizë”, tha ai.
Njërëzit “duhet të flasin, duhet të marrin përgjegjësi”, tha Limaj, dhe se nga Nisma ka “dëshirë, gatishmëri, veprim konkret për ta gjetur një zgjidhje”.
Limaj tha se Kosova “ka votuar për qeverinë, për të pasur një kryeministër, një qeveri”, ndërsa shtoi se do ta ndihmojë LVV-në për ta bërë atë. “Është partia e parë që ka marrë shumicën e votave dhe ne po duam dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë për përmbushjen e vullnetit të shumicës”.
Kurti, ndërkaq, ka thënë se beson se “nëse do të ketë lëvizje, ajo do të ndodhë gjatë këtij muaji”, duke konfirmuar se është në kontakt të vazhdueshëm me Limajn.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm. Atmosfera është shumë më e mirë sesa hapat që janë ndërmarrë deri tani. Tani mbetet të shihet nëse kjo atmosferë e mirë do të çojë drejt një qëllimi konkret apo jo”, ka thënë ai më 2 korrik në një intervistë në Tëvë1.
Ai ka thënë se do të kenë bashkëpunim me Nismën edhe për Kuvendin, edhe për Qeverinë, duke përmendur se për Limajn kryeparlamentar “nuk ka pasur dakordim” brenda grupit parlamentar të LVV-së.
59 apo 61? Sa vota mund t’i bëjnë LVV-Nisma?
Për të qëndruar në pushtet edhe për një tjetër mandat qeverisës, që prej 2 prillit Albin Kurti kishte nisur publikisht përpjekjen, e cila shumë shpejt e humbi intensitetin. Fillimisht do të bisedonte me përfaqësuesit e partive politike minoritare, të cilët i kishte pritur në zyrën e kryeministrit.
Kryetari i LVV-së i ka siguruar shpejt votat e shumicës së deputetëve nga pakicat joserbe, por atje janë tre deputetë që ende nuk ia kanë premtuar votën.
Kryetarja e Partisë së Re Demokratike boshnjake, Emilija Rexhepi, u tha se “konfirmoi gatishmërinë e plotë për vazhdim të bashkëpunimit” me LVV-në.
Po atë ditë, takimet e Kurtit vijuan me ministrin në detyrë për Komunitete dhe Kthim dhe kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiqi. Edhe ai, sipas njoftimit më vonë “e përsëriti mbështetjen e tij ndaj kryeministrit Kurti për formimin e qeverisë së re dhe vazhdimit të bashkëpunimit të frytshëm edhe në mandatin e ardhshëm”.
Më pas Kurti e kishte takuar edhe me ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarin e partisë egjiptiane Iniciativa e Re Demokratike e Kosovë, Elbert Krasniqin.
Me të tre këta, tha se do ta vijonte partneritetin “edhe në katërvjeçarin e ardhshëm”.
Të nesërmen diskutimet i vazhdoi me deputetë, përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak, egjiptian, turk, rom, ashkali e goran. U takua me ministrin në detyrë të Zhvillimit Rural, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën, kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berishën, kryetaren e partisë boshnjake Unioni Socialdemokrat, Duda Baljen, kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinollin, kryetarin e Koalicionit Vakat, Rasim Demirin, kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, kryetarin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifin e deputetin e zgjedhur nga ky subjekt, Artan Asllanin.
Pas takimeve me ta, Kurti kishte shkruar në Facebook se “përgjegjësia na takon neve” për formimin e qeverisë, ndërsa përmendte përfshirjen, pjesëmarrjen, angazhimin e kontributin thelbësor të komuniteteve joshumicë. Diskutimet me ta, i përshkroi si “të hapura”.
Por deputeti egjiptian, Veton Berisha, deputetja boshnjake Duda Balje dhe ai i komunitetit goran, Adem Hoxha nuk ia kanë premtuar votat e tyre. Ata kishin kërkesa specifike për Kurtin të cilat nuk kishin marrë aprovim.
Kurti pa se përpjekja nuk ishte e lehtë, ndërsa dy ditë pasi i përfundoi takimet e para me përfaqësues të pakicave evidentoi se Serbia “po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë” dhe e thirri një mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
Fatmir Limaj ishte i pari të cilin kryetari i LVV-së e takoi menjëherë pas diskutimeve me përfaqësuesit e pakicave. Më pas Kurti i dërgoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ftesa për bashkëqeverisje, por u refuzua prerazi.
LVV-ja, e cila i ka 48 deputetë në grupin parlamentar, do t’i bënte 51 vota me tre deputetët e Nismës. Për shumicën në Kuvend (61 nga 120), Kurtit nuk i mjafton vetëm kjo marrëveshje dhe madje as votat e 8 deputetëve minoritarë të cilat llogariten të sigurta. Pa Berishën, Baljen e Hoxhën, LVV-Nisma nuk i bëjnë më shumë se 59 vota në Kuvend.