Ministria e Brendshme zhvilloi sot takimin e radhës në kuadër të zbatimit të urdhrit për ngritjen e grupit të punës për monitorimin dhe ndjekjen e situatës me zjarret në Gramsh dhe Devoll. Në tryezën e përbashkët morën pjesë të gjitha strukturat e vijës së parë të reagimit ndaj zjarreve.
“Dy takimet e radhës, në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, për ngritjen e grupit të punës për monitorimin dhe ndjekjen e situatës me zjarret, në Gramsh dhe Devoll, sollën në një tryezë të gjitha strukturat e vijës së parë të përballjes me zjarret: Punonjësit zjarrfikës, Policinë e Shtetit, emergjencat civile, struktura e përfaqësues të pushtetit vendor dhe të agjencive ligjzbatuese”, njoftoi Ministria e Brendshme.
Sipas Ministrisë së Brendshme, “u analizuan sfidat e deritanishme dhe u diskutua mbi masa konkrete në vijim për parandalim dhe ndërhyrje të shpejtë, sepse vetëm me bashkërendim të forcave dhe burimeve garantojmë mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit tonë”.
”Puna dhe përkushtimi i forcave në terren përgjatë verës së nxehtë e të vështirë, referuar rasteve të zjarreve në vend, u vlerësua maksimalisht. Ndërsa angazhimi do të vijojë për çdo ditë për të parashikuar masa dhe ndërhyrje përmes investimeve logjistike e infrastruktore në kohë, që minimizojnë rastet e zjarreve dhe rritin kapacitetet operacionale”, njoftoi Ministria e Brendshme.