Diskutimi për Asociacionin, Hovenier do ta organizojë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij - Gazeta Express
string(95) "diskutimi-per-asociacionin-hovenier-do-ta-organizoje-nje-mbledhje-jozyrtare-ne-rezidencen-e-tij"

Diskutimi për Asociacionin, Hovenier do ta organizojë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij

Lajme

Gazeta Express

08/02/2023 15:48

Shqiprim Salihu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë produktiv diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe më 31 janar.

Lexo Edhe:

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë i tha Gazetës Express të mërkurën se tani pritet të mbahet një tjetër mbledhje – por këtë herë jozyrtare – për ta diskutuar më tej këtë çështje.

“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme”.

Për këtë mbledhje, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane tha se “nuk ka asnjë program zyrtar apo temë diskutimi”.

Pas diskutimit të mbyllur të organizuar nga Ambasada Amerikane më 31 janar, ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja e ka bërë të qartë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republika Srpska-s në Bosnjë e Hercegovinë”, ka thënë Hovenier.

Diskutimi në Ambasadë pasoi deklaratat e zyrtarëve amerikanë të cilët thanë se “është koha për themelimin e Asociacionit”.

Pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Kurti e ka pranuar në parim propozimin europian për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por vazhdon të ngurrojë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai nuk u ftua në diskutimin për Asociacionin në Ambasadën e SHBA-së, por në të morën pjesë disa përfaqësues të Qeverisë dhe të Presidencës.

Më pas, në një seancë të Kuvendit më 2 shkurt, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit.