Disa të vërteta - Gazeta Express
string(16) "disa-te-vertetaa"

Disa të vërteta

Gazeta Express

26/04/2020 12:43

Lis Bukuroca

1

Lexo Edhe:

Meritat e Rugovës ishin internacionalizimi i çështjes së Kosovës: Orientimi i qartë pro-perëndimor dhe krijimi i miqësive të reja: SHBA, Gjermani, Angli, Itali, Vatikan, Francë…etj. Meritë e Thaçit ishte kryengritja (jo vetëm e tij, por simbolikisht), përshpejtimi i çlirimit, si dhe orientimi kryesisht lindor (konkretisht).

Mirëpo, sikur të mos ishte shfaqur UÇK, Kosova sot nuk do të kishte pasur më shumë se gjysmë milioni banorë! Ndoshta edhe më pak! Pa kryengritjen shqiptare, NATO nuk do të  kishte pasur arsye për të intervenuar!

Pra, Rugova ndërtoi aleanca, UÇK i shfrytëzoi ato dhe, pa dashje, me kryengritjen, parandaloi rrethanat e reja, që me pacifizmin e Rugovës dhe fashizmin e Millosheviqit, do të mundësonin zbrazjen e Kosovës dhe shpalljen e Rugovës tradhtar, çfarë nuk ka qenë. Praktikisht, do të ndodhte! Mërgimi ishte e vetmja alternativë dhe ikja konsiderohej sukses, karrierë. Mund të thuhet se Rugova pa dashje ndihmoi UÇK-në, UÇK pa dashje shpëtoi Rugovën.

Ibrahim Rugova bëri disa gabime para çlirimit, disa komandantë gabuan pas çlirimit, por ne fituam kundër armikut shekullor, që na copëtoi në disa shtete!

E fituam lirinë, por këtë liri, PDK dhe LDK, e shndërruan në humbje kolosale, dramatike. Ato dy parti shkatërruan arsimin më keq se Serbia dje! Një popull me arsim të rrënuar prodhon kryesisht lakej. Mërgimi vazhdon dhe përsëri si sukses shihet arratisja.

Sot shohim dhe përjetojmë brezin e shkolluar keq: nivelin gjuhësor të tyre, (thua se kanë mësuar shqipen në një kurs tremujor e jo 16 vjet) kulturën, edukatën dhe sjelljet ndaj kombit dhe shtetit. E keqja nuk përfundon këtu! Arsimit të Kosovës i është dhënë goditja fatale. Dhe Albin Kurti nuk duhet të synojë vetingun vetëm për gjykata dhe prokurori, por më i rëndësishëm është vetingu i personelit arsimor, nga Kopshti i Fëmijëve, deri në Akademi.

Dëmi nuk përfundon me goditjen fatale! Nxënësit e sotshëm, që rregullisht zënë vendin fundit në PISA, do ta shesin nesër vendin si poçavër, mjafton t’u japë dikush lekë, sepse formimi moral e nacional i tyre është katastrofal: pa parime dhe pa norma qytetare! Në fakt, nuk zënë vendin e fundit vetëm nxënësit, por edhe ata që paguhen, arsimtarët!

Nesër nxënësit me këtë arsim,  jo se nuk do të mbajnë fjalët dhe premtimet, jo se do të kundërshtojnë qëndrimet e veta, kur nuk u konvenojnë, por nuk do të mbajnë as pordhat në një mbledhje.  Madje, ata edhe do të shkruajnë e lexojnë në celular derisa tjetri flet, ata do të fusin gishtin në hundë, ata do të kruhen pas,  do të kenë fjalor banal dhe do të përsërisin shumë herë fjalët e njëjta.

Ata do të mbeten pa identitetF, pa dashuri ndaj vetvetes, gjuhës, kulturës, historisë, çfarë atyre në vitet e 90, edhe pse me shkolla të ndaluara, nuk u mungonte aq shumë, madje, e gjakonin si reaksion ndaj urrejtjes serbe.

(Se ne jashtë atdheut asimilohemi, e dëshmon sociologjia. Në brezin e katërt grupet e vogla etnike shkrihen në ato të mëdhatë.  Këtë e dëshmon Kanada, SHBA, Australia, Zelanda e Re etj. Diku çdo i gjashti amerikan ka origjinë gjermane. Në Luftën e Dytë Botërore dihet qëndrimi amerikan, por dihet edhe qëndrimi i Trumpit sot, mirëpo në Kosovë po shpërfytyrohen në atdhe! Shteti nuk mbron kulturën shqiptare, por e shpërfill me përbuzje).

Meritat për çlirimi janë të atij që krijoi aleanca, që nuk i kishim pasur kurrë, si dhe të atyre që luftuan, të atyre  që flijuan jetën, që i kemi përjetuar si shenjtorë  gjithmonë! Me këta të fundit po sillemi në mënyrë të poshtër. UÇK ishte dhe mbetet krenari nacionale, ishte dhe mbete edhe pacifizmi i Rugovës. UÇK nuk luftoi në Serbi! Njëra Lëvizje ndihmoi tjetrën dhe përball Serbisë, dolëm fitimtar. Për shkëputje, por jo për zhvillim dhe arsim!

2.

Sikur t‘ishte përjashtuar një Ministër si Veliu në Gjermani, gjermanët do ta interpretonin si synim të kacelares për të krijuar rregull në skuadrën e vet!  Gjermanët adhurojnë rregullin!  Edhe kur i mbyllet dikujt mikrofoni, i bëhet e qartë se Kuvendi nuk është pazar, por vend ku respektohet rendi i ditës!

Ato vendime që në Perëndim janë normale dhe të dëshirueshme, te ne përjetohen si akte diktatoriale, fashiste dhe staliniste!  Ne nuk jemi mësuar me rregulla dhe respektimin e tyre! Nëse nuk na shohin, na pëlqejmë t’i shkelim. Burrat me edukatë fisnore nuk durojnë rregullat mbi vete. I përjetojnë si nënshtrim, zhburrnim. Ata qëndrojnë mbi rregullat. Ata qëndrojnë mbi ligjin. Ata qëndrojnë mbi shtetin. 

Në kulturën primitive tribale nuk i nënshtrohet burrat askujt, pos interesit të vetë! Ata edhe kur zvarriten, zvarriten për të përfituar dhe e quajnë zhdërvjelltësi. Ata pasurohen, i pasurojnë edhe fëmijët e vet!

Ja një kampion (mostër) i kësaj kulture:  Aty burri  lufton me mish e shpirt për mbajtjen e taksave deri në njohje të ndërsjellë, por kur i ofrohet mundësia  për të përfituar, krijon koalicion me atë që i heq ato pa asnjë kusht. Për dy motive: për të ruajtur dhe për të rritur fitimet e veta, sepse ka frikë nga sekuestrimi i pasurisë së paligjshme nga Qeveria Kurti. Në kulturën tribale, rurale, vjedhja dhe ruajtja e plaçkës konsiderohet shkathtësi e madhe, jo krim.

Ja kampioni tjetër: Nuk do të bëhet anëtar i LDK-së deri diku në vitin 2008 (20 vjet pas themelimit të LDK-së). Ishte me Bukoshin dhe kundër Rugovës. Pas vdekjes së Rugovës sekuestroi partinë dhe përkulet para varrit të tij, të cilin nuk e kishte çmuar si të gjallë.

Ja kampioni tjetër: Ishte anëtar i partisë së Bukoshit me djalin e Isa Mustafës dhe kundër Rugovës. Sot ky është kandidat i LDK-së, pa fituar votat, për Kryeministër. Kemi edhe dhjetëra tjerë, por pse kemi aq shumë?

Kjo është pasojë e arsimit shqiptarë të dëmtuar viteve të 90. Me këta që po dëmtohet sot prej atyre të viteve të 90, mund të humbet shteti, ose të zbrazet vendi! Në Perëndim ka diktaturë të ligjit, të shtetit ligjor, në Kosovë zbatimi i ligjit konsiderohet fashizëm!  Aty adhurojmë anarkinë dhe të gjithë që kanë shkelur kushtetutën, SOT çaraveshen për respektimin e saj!

Mustafa, i cili nga LKJ mori LDK-në, duke dashur me Thaçin t’i hakmerret Albin Kurtit  dhe ta dëmtojnë deri në asgjësim VV-në, po e bëjnë atë të madhe si ishte LDK në kohën e Ibrahim Rugovës.

Dhe, ithtarët e Mustafës, e shajnë Albin Kurtin, ashtu si mund të tmerrohen amerikanët: Stalin, komunist, fashist, Hitler, xhelat. Edhe atë, pa pasur kampe përqendrimi, pa gulag,   pa vrarë miliona veta, pa burgosur njeri dhe pa prerë asnjë kokë!  Vetëm ata e dinë pse ndjehen të persekutuar nga Albin Kurti!