Koncepti
populist ‘Qe 20 vite e keni shkatërruar këtë vend’ mori flakaresh në mënyrën më
bindëse – me vota
Faton Abdullahu
Dje
shumica e qytetarëve të Kosovës shprehën mosbesimin për një model qeverisje në
pretendim që, nga Qendra të zhvendoset edhe poshtë në komuna. Me votën e
tyre, të shpeshtën pavarësisht rreshtimeve partiake, ata ndërtuan barrierë që
fryma populiste të mos shtrihet tutje në bazë. Koncepti populist ‘Qe 20 vite e
keni shkatërruar këtë vend’ mori flakaresh në mënyrën më bindëse – me vota.
Fituesja
më e madhe edhe kësaj here ishte demokracia në Kosovë e ndërtuar me shumë mund,
djersë e punë e mohuar neveritshëm për kohë të gjatë. Dëshmi e palëkundur për
këtë është organizimi i zgjedhjeve për të satën herë me standarde më të larta
demokratike. Krenar që për këtë arritje kapitale të vendit tonë, sidomos në
decenien e fundit, PDK është gjithsesi më meritorja, natyrisht edhe me subjekte
e shumë institucione tjera.
PDK
është fituesja më e madhe në vend në këto zgjedhje me nëntë komuna, disa nga të
cilat më të mëdhatë e më të rëndësishmet në shumë aspekte në Kosovë. Jo vetëm për
PDK-n kjo është nismë jetike dhe shumë inkurajuese për të vazhduar tutje
proceset e filluara për ndryshim.
Në këto
zgjedhje komunale, për PDK-n vendimi më i mençur dhe më pragmatik ka qenë
decentralizimi i vendimmarrjes për
zgjedhjet komunale që ka faktorizuar degët e PDK-së në komuna dhe determinuar
zgjedhjen e kandidatëve më të mirë për garë. Ky ka qenë vendimi më i
rëndësishëm i qendrës, pra i Kryesisë së re të PDK-së dhe sidomos i Kryetarit Memli
Krasniqi.
Përzgjedhja
e kandidatëve të PDK-së është bërë në mënyrë shumë konstruktive. PDK as si qendër
as si degë, asnjëherë nuk ka rënë nën trysnin e akuzave, shantazheve dhe
degradimeve të VV dhe të tjerëve në adresë të saj dhe kandidatëve të saj për të
bërë përzgjedhje ndryshe. Ajo këtë e ka bërë nën vlerësimin esëll e real të performancës
së secilit kandidat dhe respektin që këta kandidatë gëzonin nga qytetarët e
komunave përkatëse. Po të ishte ndryshe rezultati nuk do të ishte ky që doli për
PDK-n.
Drenasi
ishte pjesa më e ndjeshme dhe më kontroverse gjatë këtyre zgjedhjeve. Pos
tjerash, problemi atje morri edhe dimension të ndërlikuar sepse Drenasi nuk
është veç një komunë, por është edhe një pjesë kruciale e identitetit të PDK-së
që u prek ndjeshëm me mospajtime të trashëguara. Vendimi, para së gjithash shumë
i guximshëm i Kryetarit të PDK-së z. Krasniqi për ta zgjedhur këtë problem
ashtu sikundër e zgjodhi, e shtynë z. Krasniqi një hap të madh përpara, për të
qenë jo veç Kryetar, por edhe lider i kësaj partie.
Z. Totaj
me fitoren në Prizren dëshmoj se alternativa e tij politike si PDK e ndërtuar në
opozitë tash sa kohë është më e mirë, më pragmatike dhe më bindëse sesa mendësia
qeverisëse e ofruar në praktikë tash sa vite e VV. Totaj i PDK-së në Prizren e
demaskoj praktikën e ndërtuar me fjalë të mira e zbatuar me punë të këqija.
Më e
keqja do të ishte që, vetëkënaqja nga fitorja në PDK të determinoj amortizimin
e nevojës së pashmangshme për vazhdimin e ndryshimeve. Më e keqja do të ishte
gjithashtu që PDK tani, të mendoj deri në bindje se, ajo ka pësuar humbje dhe
ka dal në opozitë, jo për shkak të gabimeve të saja të djeshme por për shkak të
gënjeshtrave të tashsakohshme të VV -së dhe partive tjera kundër saj. Gjetja e
balancës dhe e të vërtetës në këtë segment, është shtytja më pragmatike për të
vazhduar ndryshimet.
Në
rezultatin e përgjithshëm të zgjedhje, jo vetëm tërthorazi, kanë ndikuar edhe
gjëra të tjera, që nuk kanë të bëjnë asgjë me natyrën e punëve në komuna, por
që janë politika, qasje e praktika të qeverisjes aktuale në nivel qendror të
vendit. Disa nga ato gjithsesi janë, menaxhimi i keq i pandemisë, rritja e çmimeve
të artikujve bazik ushqimor, shumë miliona euro për të paguar rymën e serbëve
në veri, arrogancë anashkaluese e politikbërjes në raport me opozitën, dhe
gjithsesi mosftesa në Samitin për Demokraci dhe mospajtimet me SHBA-t mbi gazin
në Ballkan, etj.