Ambasadori i Afrikës së Jugut në Francë, Nathi Mthethwa, është gjetur i vdekur pranë hotelit me katër yje Hyatt Regency në Paris, thanë zyrtarët francezë për BBC, trasnmeton Gazeta Express.
Mthethwa, 58 vjeç, u raportua i zhdukur nga gruaja e tij të hënën në mbrëmje, pas një “mesazhi shqetësues prej tij”, tha zyra e prokurorit të Parisit.
Ai kishte rezervuar një dhomë në katin e 22-të të hotelit shumëkatësh, dritarja e sigurisë e të cilit u hap me forcë, shtoi ajo.
Rrethanat e vdekjes së tij janë të paqarta në këtë fazë dhe një hetim është hapur, tha zyra e prokurorit të Parisit, duke shtuar se një magjistrat në detyrë po “shkonte në vendngjarje”.
Mthethwa ishte një anëtar i lartë i Kongresit Kombëtar Afrikan, partisë që solli sundimin demokratik në vitin 1994 me Nelson Mandelën si presidentin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut.
Ai kishte shërbyer si ambasador i Afrikës së Jugut në Paris që nga dhjetori i vitit 2023, dhe më parë kishte qenë në qeveri si ministër i policisë dhe gjithashtu ministër i arteve dhe kulturës.
Ai ishte një aleat i ngushtë i ish-Presidentit Jacob Zuma dhe ishte i përfshirë në atë që njihet në Afrikën e Jugut si hetimi për kapjen e shtetit, i cili shqyrtoi akuzat për korrupsion të nivelit të lartë gjatë presidencës së Zumës.
Në një deklaratë, Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut Ronald Lamola e përshëndeti Mthethwan si një “shërbëtor të shquar të kombit”.
“Nuk kam dyshim se vdekja e tij nuk është vetëm një humbje kombëtare, por ndihet edhe brenda bashkësisë diplomatike ndërkombëtare”, shtoi ai.
Lamola konfirmoi se rrethanat rreth vdekjes së Mthethwan po hetoheshin nga autoritetet franceze.