Diplomacia dhe Trashëgimia Kulturore - Gazeta Express
string(36) "diplomacia-dhe-trashegimia-kulturore"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

19/04/2021 14:03

Diplomacia dhe Trashëgimia Kulturore

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

19/04/2021 14:03

Shpresoj fuqishëm që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Kulturës të hartojnë një program për krijimin e Diplomacisë Kulturore. Është çështje urgjente! Është shumë e nevojshme

Shkruan: Pleurat Kabashi

I shtyrë nga reagimet e shumta mbi fjalimin e Ministres Gërvalla në OKB, vendosa ta lexoj të plotë. Ishte fjalim i fuqishëm dhe domethënës, natyrisht ishte shprehje e edukatës së saj dhe kulturës patriotike familjare. Por, më mbeti syri tek një pasazh që kishte të bënte me Trashëgiminë Kulturore. Saktësish ky pasazh thoshte: “Me trashëgiminë tonë kulturore prej më shumë se 3000 vjeçare, së bashku me grekët jemi një nga dy kulturat më të lashta në Evropë”.

Ky pasazh shpreh të meta serioze në saktësinë shkencore të asaj se çfarë është thënë. Pa dashur t’i mbaj ligjërata shkencore publikut shkurtimisht dua të them se trashëgimia e jonë kulturore është rreth 10.000 vjeçare. Ajo fillon që nga koha e Neolitit të Hershëm (të paktën për aq sa kemi argumente shkencore deri më tani) dhe vazhdon pa ndërprerje deri në ditët tona. Nëse rastësisht Ministrja (apo këshilltarët e saj) e kanë ngatërruar nocionin kulturë me nocionin qytetërim, atëherë përsëri gabim. Qytetërimi grek është i vjetër rreth 2800 vite ndërsa qytetërimi ilir jo më shumë se 2400 vjeçar.

Tani nuk dua ta akuzoj Ministren për pasaktësi shkencore dhe as ta zbeh fjalimin e saj domethënës. Por, dua të vë në pah dy shqetësime serioze. E para, nivelin e njohurive kulturore të diplomatëve tanë, dhe e dyta, nivelin kulturor të diplomatëve të vendeve ku ata janë të akredituar. Është i mirënjohur fakti i ndikimit të lartë të Diplomacisë Kulturore dhe i përfitimit të shteteve që janë të pasura me Trashëgimi Kulturore. Sot ka një numër të madh të librave të botuar për Diplomacinë Kulturore (Diplomacinë e butë), ato përdoren, qoftë për qëllime edukative/arsimore të përgjithshme, qoftë për t’i “edukuar” të emëruarit diplomatik.

Në diplomaci sot përdoren shprehje të shumta që lidhen me ngjarjet në periudhën antike. Për shembull, “nyja e Gordonit”, “peri i Adrianës”, “fitorja e Pirros” etj. Të gjitha këto shprehje, e plotë të tjera, vijnë si rezultat i përvojës së shoqërive antike në rrafshin e diplomacisë. Dhe secila prej këtyre shprehjeve lidhen me ngjarje historike të cilat diplomatët duhet t’i njohin. Ta zëmë “nyja e Gordonit” lidhet me presonin politik që Aleksandri i Madh po ushtronte ndaj Greqisë në fund të shek. IV para Krishtit, dhe sot përdoret për t’i përshkruar problemet diplomatike në dukje të pazgjidhshme. Ose, “peri i Adrianës” lidhet me bashkëpunimin që athinasit e shek. XIV para Krishtit donin të bënin me forcat e brendshme të Kretës, të shtypura nga regjimi Minoik, në përpjekje për tu çliruar nga pushtimi Kretas etj.

Imagjinoni një bisedë diplomatike mes një diplomati anglez dhe një diplomati kosovar në Bruksel! Që të dy diplomatët të shqetësuar për ngecjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, diplomati anglez i drejtohet me shqetësim diplomatit kosovar me shprehjen, “këto bisedime kanë filluar të bëhen të pazgjidhshme sikur nyja e Gordonit, dhe kam frikë se miqtë tanë evropianë dhe amerikanë do humbasin nervat dhe shpejt do vijnë me një zgjidhje si të Aleksandërit të Madh”. A thua do ketë kuptuar ndonjë gjë diplomati jonë? Sinqerisht dyshoj, për të mos thënë aspak.

Por ngjarje të tilla në diplomaci nuk janë imagjinare. Vitin e kaluar për pak sa nuk pësuam një zgjidhje “aleksandriane” të problemit tonë të pazgjidhshëm me Serbinë. Ish presidenti amerikan dukej të kishte përkrahjen edhe të disa miqve tanë evropian që ndarja e territoreve të vinte në shprehje për ta zgjidhur problemin me Serbinë.

Në Diplomacinë Kulturore jemi pothuajse të dështuar, për këtë na flasin dështimet e njëpasnjëshme në UNESKO, problemi me Hamamin e Prishtinës apo problemi me Manastirin e Deçanit në EUROPA NOSTRA. Me gjithë shantazhet dhe pengesat që Serbia i bën Kosovës në rrafshin politik, duket se dëmi me Diplomacinë e butë rreth Manastirit të Deçanit solli dëmet më të mëdha. Epo, Diplomacia e butë në fakt është shumë e fortë.

Nga ana tjetër, Diplomacia Kulturore sjell edhe përfitime të mëdha financiare apo të tjera. Programe të ndryshme të Bashkimit Evropian japin miliarda euro për skemat kulturore. Ta zëmë Italia përfiton miliona euro nga Bashkimi Evropian për mbrojtjen, ruajtjen dhe hulumtimin e qytetit antik të Pompeit. Greqia është krijuar si shtet falë interesimit evropian për trashëgiminë e saj arkeologjike etj.

Universiteti i Prishtinës, respektivisht Departamenti i Antropologjisë, me gjithë pengesat e panumërta, është i vetmi institucion shtetëror që ka arritur të sjellë fitime milionëshe në arkeologji, falë marrëveshjes shkencore të arritur me Qendrën Nacionale të Kërkimeve Shkencore CNRS (Centre National de la Recherche Scientifique) në Paris, dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës. Ishte mbështetja e palëkundur e Ambasadës së Republikës Franceze në Prishtinë që bëri të mundur realizmin e projektit. Sot, nga ky projekt, qyteti antik i Ulpianës ka përfituar 1 milion Euro, janë dërguar për studime në Francë, me bursa, 4 studentë kosovarë në nivelin Master dhe 2 në PhD etj.

Shpresoj fuqishëm që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Kulturës të hartojnë një program për krijimin e Diplomacisë Kulturore. Është çështje urgjente! Është shumë e nevojshme!

Pleurat Kabashi

Ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Filozofik/Departamenti i Antropologjisë.

Kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës