Në Tiranë zhvillohet sot dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve Diplo 2025 “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”. Ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë, si edhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për integrimin evropian, diplomacinë ekonomike dhe sigurinë rajonale e globale.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njëherësh zëvendëskryeministre, tha gjatë fjalës së saj se vendi ynë tashmë ndodhet në një moment historik dhe shumë afër realizimit të ëndrrës së madhe, asaj të anëtarësimit në BE.
Balluku: Sot ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin. Shqipëria, e ulur prej kohësh në tryezën e negociatave është vetëm një hap larg nga ëndrra e saj e madhe, që tashmë nuk ka nevojë të quhet ëndërr. Jemi duke folur për një realitet i cili është i prekshëm dhe që çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga funksionarë të lartë të BE-së se kemi afër datën që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Të gjithë së bashku duhet të angazhohemi në detyrën tonë, për të përmbushur kërkesa që fillojnë nga diplomacia dhe përfundojnë te shtimi i kapaciteteve të burimeve të rinovueshme.
Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme. Sot Shqipëria mund ta thotë me gojën plot se është një nga vendet më atraktive. Kompanitë më të mëdha janë në vendin tonë falë një politike transparente të administratës publike. Projektet e mëdha nuk janë projekte që do të ndikojnë vetëm në ekonominë shqiptare, janë projekte që ndikojnë në ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh pozicionin e vendit tonë, Shqipëria bëhet një portë hyrëse mes Italisë dhe Greqisë në BE.
Zëvendëskryeministrja u ndal te disa nga investimet strategjike më të rëndësishme në vend, që po e kthejnë Shqipërinë në një nyje të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike në rajon. Ajo solli në vëmendje rëndësinë e Korridorit VIII jo vetëm si projekt transporti, por edhe si bosht zhvillimi ekonomik e energjetik, duke nënvizuar se vendi ka bërë hapa të mëdhenj drejt tranzicionit të gjelbër, me rritje të ndjeshme të prodhimit nga burimet e rinovueshme.
Balluku: Korridori 8 është i shoqëruar edhe me autostradat e tij, që e lidhin Tiranën përmes Elabsanit, me Pogradecin. Korridori 8 nuk është vetëm korridor hekurudhuor, por energjetik i Shqipërisë. Shqipëria ka 6-fishuar prodhimin e energjisë së gjelbër, nga parqet fotovoltaike. Duke nisur nga 2019, ne kemi arritur në këto 6 vite, të ngremë 30 përqind të kapaciteteve, përmes diellit, që Shqipërisë nuk i mungon. Ne po përgatitemi për parkun e erës, në zonën e Tropojës, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha evropiane. Kemi shumë për të promovuar. Ju jeni sytë dhe veshët e Shqipërisë kudo në botë. Çdo investim i huaj, është hap i ekonomisë sonë, drejt konsolidimit të saj.