Sonte në Elbasan Arena, klubi kryeqytetas Dinamo City do të kërkojë të shkruajë një tjetër faqe suksesi në garat evropiane, teksa përballet me skuadrën nga Andorra, Atletic Club d’Escaldes, në ndeshjen kthyese të raundit të dytë kualifikues në UEFA Conference League.
Të besuarit e trajnerit Ilir Daja kanë fituar sfidën e parë në transfertë me rezultat të vlefshëm 2-1, falë një performance bindëse në Andorrë. Ky rezultat i jep Dinamos një avantazh të lehtë, por aspak vendimtar, në prag të kësaj sfide të kthimit që pritet me padurim nga tifozët e saj.
Dinamo me formacion sulmues për të mbyllur punën
Trajneri Ilir Daja ka zgjedhur një formacion ofensiv 4-3-3, duke dëshmuar qartë se skuadra e tij nuk ka ndërmend të mbrohet, por të shfrytëzojë përparësinë e fushës për të siguruar kalimin në rrethin e tretë. Në vijën e parë të sulmit janë vendosur Zabergja, Bregu dhe Itado, të cilët pritet të jenë arma kryesore për të shënuar dhe për të shmangur çdo surprizë nga ekipi kundërshtar.
Nga ana tjetër, trajneri i Atletic Escaldes, Daniel Luque, ka zgjedhur gjithashtu një formacion 4-3-3, duke lënë të kuptohet se skuadra nga Andorra do të kërkojë të barazojë serinë që në fillim dhe të tentojë një kualifikim të papritur.
Formacionet zyrtare:
Dinamo City
Portier: Teqja
Mbrojtës: Tiago Nani, Dita, Aliji, Lorran
Mesfushorë: L. Vila, Qefalia, Gassama
Sulmues: Zabergja, Bregu, Itado
Atletic Club d’Escaldes
Portier: Marinovic
Mbrojtës: Rancal, Carpio, Vara Alvarez, Andrade
Mesfushorë: Gemelson, Emanoel, Pablo Molina
Sulmues: Gallego, Berlanga, Segura
Ndeshje jetike për ecurinë evropiane
Sfida fillon në ora 20:45 në stadiumin Elbasan Arena, ku pritet një atmosferë mbresëlënëse nga tifozët shqiptarë që janë mobilizuar për të përkrahur skuadrën e tyre drejt një tjetër suksesi ndërkombëtar.
Në rast kualifikimi, Dinamo City do të përballet në rrethin e tretë me një kundërshtar më të fortë në letër, por me moralin e lartë dhe eksperiencën e trajnerit Daja, asgjë nuk përjashtohet në këtë rrugëtim evropian që ka filluar me ambicie dhe përkushtim. /GazetaExpress/