Vullnet Bugaqku nga KDI ka treguar për siç thotë ai tri shkeljet kushtetuese që janë bërë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës nga Dimal Basha pasi u zgjodh në krye të Kuvendit.
Këto shkelje lidhen me formën si u bë votimi i nënkryetarëve.
Ai referuar normave kushtetuese tregoi se votimi i nënkryetarëve bëhet me pako, fillimisht nga grupet parlamentare shqiptare e më pas komunitetet joshumicë.
Tutje tha se kryetari i Kuvendit sot ndërmori veprime që bien ndesh me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit dhe me praktikën parlamentare të konsoliduar në Kosovë.
Më poshtë postimi i plotë i Bugaqku në Facebook:
Tri shkeljet kushtetuese në zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 67, përcakton qartë procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
Fillimisht, Kushtetuta thekson se tre nënkryetarët e parë të Kuvendit propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy nënkryetarë propozohen nga komunitetet jo shumicë: njëri nga komuniteti serb dhe tjetri nga komunitetet e tjera jo shumicë.
Gjithashtu, Rregullorja e Punës së Kuvendit, përmes nenit 12, paragrafëve 6.1 dhe 6.2, e përforcon këtë dispozitë, duke përcaktuar se kandidaturat nga komunitetet jo shumicë duhet të propozohen nga radhët e partive që kanë shumicën e deputetëve të atyre komuniteteve dhe të paraqiten me shkrim.
Sa i përket votimit, Kushtetuta kërkon që votimi për tre nënkryetarët e parë të bëhet në një pako të përbashkët, sikurse edhe votimi për dy nënkryetarët e propozuar nga komunitetet jo shumicë (shih paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës).
Megjithatë, pavarësisht kësaj qartësie normative, Kryetari i Kuvendit sot ndërmori veprime që bien ndesh me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit dhe me praktikën parlamentare të konsoliduar në Kosovë, sepse:
1. Nuk respektoi të drejtën e subjektit parlamentar që përfaqëson komunitetin serb për të propozuar i pari kandidatin për nënkryetar, siç përcaktohet në nenin 67(4) të Kushtetutës dhe në nenin 12 të Rregullores së Kuvendit. Përkundrazi, ai ftoi përfaqësuesit e subjekteve të komuniteteve të tjera jo shumicë që të jepnin propozimin e parë për nënkryetar.
2. Lejoi organizimin e votimit ndaras për secilin kandidat të propozuar nga komunitetet jo shumicë.
Ky veprim jo vetëm që bie ndesh me kërkesën kushtetuese për votim në pako gjatë këtij procesi, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (p.sh. paragrafi 165 i aktgjykimit të fundit mbi konstituimin e Kuvendit).
Gjykata ka theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave të parashikuara në Kushtetutë, në Rregulloren e Kuvendit dhe në praktikën parlamentare të deritanishme, si garanci për legjitimitetin institucional të konstituimit të Kuvendit.
3. Zhvilloi procedurën e hedhjes së shortit për përcaktimin dhe zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, pa pëlqimin dhe pjesëmarrjen e këtij komuniteti.
Ky veprim nuk gjen mbështetje as në Kushtetutë e as në Rregulloren e Punës së Kuvendit. Për më tepër, bie ndesh me parimet e demokracisë parlamentare dhe me përfaqësimin e garantuar të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, duke cenuar barazinë ndërmjet komuniteteve dhe funksionimin e balancuar të Kuvendit.
Prandaj, në këto rrethana, mënyra e vetme për të rivendosur legjitimitetin dhe për të respektuar hierarkinë kushtetuese është përsëritja e procedurës së zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve, në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Punës dhe praktikën e deritanishme të konstituimit të Kuvendit.