Vepra e artistit italian Maurizio Cattelan, që përbëhet nga një banane e ngjitur në mur me ngjitës, është ngrënë nga një vizitor në një muze në Francë.
Vepra e titulluar “Komediani” u konsumua më 12 korrik nga një vizitor në galerinë Centre-Pompidou Metz, në lindje të Francës.
“Vepra u rikthye në vend vetëm disa minuta më vonë,”, ndërsa sqarohet se bananja është “vetëm një element i prishshëm” që zëvendësohet rregullisht sipas udhëzimeve të artistit, tha galeria në deklaratë.
Artisti ishte i zhgënjyer që vizitori e konsideroi vetëm frutin si veprën e artit, në vend që të hante edhe lëvoren, edhe ngjitësin që e mbante në vend. Galeria nuk ka paraqitur kallëzim penal.
Nuk është hera e parë që kjo vepër arti është ngrënë nga një vizitor, raporton CNN.
Në vitin 2019, kur fillimisht Cattelan-i e prezantoi në panairin Art Basel Miami në Florida, amerikani David Datuna e shkuli bananen nga muri, e qëroi dhe e hëngri përpara qindra vizitorëve të habitur.
Ky moment u bë viral në botën e artit, dhe vepra u shit me një banane zëvendësuese, për 120 mijë dollarë në atë panair.
Më vonë, në vitin 2023, një student arti e mori bananen nga muri në Leeum Museum of Art në Seul të Koresë së Jugut, dhe e hëngri.
Në nëntor të vitit 2024, Justin Sun, një koleksionist kinez dhe themelues i një platforme kriptomonedhash, e bleu “Komediani”-n në ankand për 6.24 milionë dollarë, përpara se ta hante vetë bananen.
“Sot për sot, ndoshta kjo është vepra e artit më e ngrënë e 30 viteve të fundit,” thuhet në deklaratën e Galerisë Centre-Pompidou Metz. /KlanKosova