Një nga stadiumet historike të futbollit anglez u la i braktisur për shtatë vite, duke humbur krejt pamjen e dikurshme – aq sa tifozët filluan të luanin ndeshje mbi barin e mbirë dhe të djegin mbeturinat në fushë.
Bëhet fjalë për The Valley, shtëpinë tradicionale të Charlton Athletic, klubit të njohur nga jugu i Londrës që në fund të viteve ’90 dhe fillim të 2000-ës pati një ecuri të qëndrueshme në Premier League nën drejtimin e Alan Curbishley.
Pas ngjitjes së tyre fillestare në elitë në vitin 1998, dhe rikthimit në vitin 2000 pas një rënieje të shkurtër, Charlton arriti kulmin në sezonin 2003/04 duke përfunduar në vendin e 7-të – rezultati më i mirë i klubit që nga vitet 1950.
Megjithatë, pas largimit të Curbishley në vitin 2006, klubi u përball me një periudhë të trazuar dhe ra nga Premier League sezonin pasues, duke kaluar nëpër duart e tre trajnerëve: Iain Dowie, Les Reed dhe Alan Pardew.
Stadiumi “The Valley” i braktisur: 1985 – 1992
Ndërkohë që The Valley është shtëpia tradicionale e Charlton-it që nga viti 1919, klubi u detyrua të largohej prej tij në vitin 1985, pasi nuk ishte në gjendje të përballonte koston e përmirësimeve për të përmbushur standardet e reja të sigurisë.
Për shtatë vite, klubi e ndau stadiumin me Crystal Palace në Selhurst Park, ndërsa më vonë, në vitin 1991, u zhvendos përkohësisht edhe në Upton Park – atëherë shtëpia e West Ham United – derisa përfundoi rindërtimi i stadiumit të vet.
Gjatë kësaj kohe, stadiumi “The Valley” u shndërrua në një vend të braktisur dhe të shkatërruar. Pamjet nga ajo periudhë tregojnë bar të gjatë që kishte pushtuar fushën, tribuna të mbuluara nga barërat e këqija dhe mbeturina të hedhura gjithandej – madje edhe karroca blerjesh mbi fushë.
Tifozët e Charlton-it, të vendosur për ta rikthyer klubin në shtëpinë e tij, filluan vullnetarisht të pastrojnë stadiumin – dhe gjatë këtyre përpjekjeve madje organizuan edhe lojëra të vogla në fushën e prishur dhe dogjën mbeturinat në zjarr të hapur.
Rreth ulëseve, ku dikur kalonin mijëra tifozë në ditë ndeshjesh, tani ishin hedhur grumbuj plehrash, ndërsa tribuna e vjetër u mbulua nga bimësi e madhe.
Rikthimi dhe rilindja e “The Valley”
Pas përfundimit të punimeve, stadiumi u rihap në dhjetor 1992, duke shënuar rikthimin e Charlton-it në shtëpinë e tij. Që atëherë, stadiumi ka kaluar disa faza zgjerimi, me tribuna të rindërtuara dhe kapacitetin aktual prej 27,111 ulësesh.
Sot, “The Valley” qëndron si një simbol i qëndresës së tifozëve dhe komunitetit të Charlton-it – një rikthim nga rrënimi total në një prej stadiumeve më të dashura dhe historike të futbollit anglez. /GazetaExpress/