Esra Çololar është zyrtarja policore e cila u vetplagos me armën zyrtare të shërbimit në shtëpinë e saj në Prizren të enjten.
Ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të punës.
Siç shkruan sot portali Sinjali, Çololar është suspenduar nga detyra me vendim të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Ndaj saj është iniciuar një procedurë e brendshme disiplinore.
Hetime për rastin në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ka nisur edhe Prokuroria Themelore në Prizren.
Çololar ndodhet ende në spital nën përkujdesje mjekësore. Gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.