Suplemente që pretendojnë të kenë përfitime të shumta për shëndetin mund të jenë më të dëmshme sesa të dobishme – duke ndikuar në funksionin e mëlçisë, duke shkaktuar gurë në veshka dhe madje duke rritur rrezikun e kancerit.
Kështu thotë një dietologe e njohur, e specializuar në këshilla për ushqimin për pacientët me kancer.
Dietologia Nichole Andrews, nga Uashingtoni, i tha 334,000 ndjekësve të saj në Instagram se shumica e vitaminave që marrim janë të dëmshme për shëndetin, duke theksuar një që rrit rrezikun e kancerit.
“Shumë prej nesh i drejtohen suplementeve si uthulla e mollës, kolagjeni, gummies për lëkurë/flokë/thonj, shafrani dhe vitamina C për zgjidhje të shpejta,” tha ajo, transmeton GazetaExpress.
“Por a e dini se dozat e tepërta mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë?
“Si dietologe për pacientët me kancer, jam këtu t’ju them se mbështetja te suplementet për shëndet mund të çojë në çekuilibra dhe madje të rrisë rrezikun e kancerit në disa raste”.
Suplementet më problematike:
1. Kapsulat me uthull molle
Hulumtimet e kufizuara sugjerojnë përfitime të uthullës së mollës për humbje peshe dhe kontrollin e tensionit të lartë, por këto pretendime zakonisht bazohen në studime laboratorike dhe jo në njerëz.
“Uthulla e mollës mund të irritojë sistemin tuaj tretës dhe të dëmtojë smaltin e dhëmbëve për shkak të aciditetit të saj të lartë,” tha znj. Andrews.
Ajo sugjeroi të përdorni ujë me limon ose ushqime të fermentuara si kimchi dhe lakër turshi për tretjen.
2. Kolagjeni
“Kolagjeni është thelbësor për lëkurën dhe nyjat, por trupi juaj prodhon mjaftueshëm kolagjen nga një dietë e ekuilibruar,” tha ajo.
Ajo sugjeroi që ushqimet si pula, peshku, vezët, agrumet dhe manaferrat të jenë burime më të mira për kolagjen dhe vitaminë C.
3. Biotina (vitamina B7)
Biotina shpesh rekomandohet për forcimin e flokëve dhe thonjve, por në formë suplementesh, sasia e tepërt mund të ndikojë te testet e gjakut.
“Është më mirë ta merrni biotinën nga ushqimet si vezët, arrat, perimet me gjethe, avokadot dhe patatet e ëmbla,” tha znj. Andrews.
4. Shafrani (turmeric)
Edhe pse shafrani vlerësohet për vetitë e tij anti-inflamatore, dozat e larta mund të irritojnë stomakun dhe të ndikojnë te mëlçia.
Ajo rekomandoi që shafrani të konsumohet si pjesë e vakteve, si në kerri ose smoothie, së bashku me yndyrna të shëndetshme për përthithje më të mirë.
5. Vitamina C
Megjithëse vitamina C është jetike për shëndetin e lëkurës dhe sistemin imunitar, suplementet me doza të larta (më shumë se 200% e dozës ditore) mund të shkaktojnë gurë në veshka dhe probleme tretjeje.
“Përdorni ushqime si portokallet, luleshtrydhet, specat dhe brokolin për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminës C,” tha znj. Andrews.
Studimet për rreziqet e suplementeve
Një studim i vitit 2023, i botuar në The Journal of Clinical Investigation, sugjeroi se antioksidantë si vitaminat C dhe E mund të ndihmojnë rritjen e tumoreve.
Hulumtuesit nga Instituti Karolinska në Suedi injektuan qeliza kanceroze në mushkëri të minjve dhe i ushqyen ata me vitamina C dhe E në doza të larta. Rezultatet treguan se këto vitamina rritën një proteinë që ndihmon furnizimin me gjak të tumoreve, duke ndihmuar kështu rritjen e tyre.
Dietologia theksoi rëndësinë e marrjes së vitaminave dhe mineraleve nga ushqimet e plota në vend të suplementeve të panevojshme, për të shmangur rreziqet për shëndetin. /GazetaExpress/