Të hash të njëjtat vakte çdo ditë mund të ndihmojë në humbje më të shpejtë të peshës, sugjeron një studim i ri.
Hulumtimi tregoi se të rriturit që ndoqën një dietë të qëndrueshme – duke përsëritur ushqimet dhe duke mbajtur të njëjtin nivel kalorish çdo ditë – humbën më shumë peshë brenda 12 javësh krahasuar me ata që kishin një dietë më të larmishme.
Studimi përfshiu 112 persona me mbipeshë ose obezitet, të cilët ishin pjesë e një programi për humbje peshe. Ata regjistronin çdo ushqim që konsumonin përmes një aplikacioni dhe peshoheshin çdo ditë.
Studiuesit analizuan sa “rutinë” ishte dieta e tyre, duke parë sa ndryshonin kaloritë nga dita në ditë dhe sa shpesh përsëriteshin të njëjtat vakte. Rezultatet treguan se ata që hanin shpesh të njëjtat ushqime humbën mesatarisht 5.9% të peshës trupore, ndërsa ata me dietë më të ndryshme vetëm 4.3%.
Gjithashtu, qëndrueshmëria në kalori luajti rol të rëndësishëm: për çdo rritje prej 100 kalorish në luhatjet ditore, humbja e peshës ulej me rreth 0.6%.
Autorja kryesore e studimit, Charlotte Hagerman nga Oregon Research Institute, theksoi se krijimi i rutinave ushqimore mund ta bëjë më të lehtë ndjekjen e një diete të shëndetshme, duke reduktuar nevojën për vendime të vazhdueshme dhe vetëkontroll.
Studimi, i publikuar në Health Psychology, thekson se bëhet fjalë për një lidhje dhe jo domosdoshmërisht për një shkak të drejtpërdrejtë. Faktorë si motivimi dhe disiplina personale gjithashtu ndikojnë në rezultatet.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se larmia nuk ka rëndësi. Studime të mëparshme tregojnë se një dietë e pasur me ushqime të ndryshme të shëndetshme – si fruta dhe perime – është e dobishme për shëndetin.
Por në një mjedis ku zgjedhjet ushqimore janë të shumta dhe shpesh jo të shëndetshme, thjeshtimi i dietës mund të ndihmojë në krijimin e zakoneve të qëndrueshme.
Ekspertët sugjerojnë se përsëritja e disa vakteve të preferuara dhe mbajtja e kalorive në nivele të qëndrueshme mund të jetë një strategji praktike për humbje peshe dhe për një stil jetese më të shëndetshëm. /GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...