Një regjim ushqimor i konsideruar i shëndetshëm për trurin mund të ngadalësojë dëmtimet fizike që lidhen me sëmundje si Alzheimeri dhe Parkinsoni, sugjerojnë studiuesit.
Sipas një studimi të madh afatgjatë, personat që i përmbaheshin më shumë këtij modeli ushqimi shfaqën humbje më të ngadaltë të qelizave të trurit dhe më pak tkurrje të përgjithshme në skanime – ndryshime që lidhen fort me humbjen e kujtesës dhe demencën.
Ky regjim njihet si dieta MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH, dhe përqendrohet te ushqime si perimet me gjethe jeshile, frutat e pyllit, arrat, vaji i ullirit dhe peshku.
Edhe më parë kjo dietë ishte lidhur me një rrezik më të ulët për demencë, por tani studiuesit thonë se kanë prova më të forta se ajo mund të ngadalësojë dëmtimin që çon drejt këtyre sëmundjeve.
Në studimin e botuar në Journal of Neurology, Neurosurgery & Psychiatry, autorët theksojnë se nxitja e njerëzve për të ndjekur këtë model ushqimi mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të përballuar rritjen e rasteve me demencë, sidomos në një popullsi që po plaket.
Dr Mohammad Talaei, pedagog i epidemiologjisë në Queen Mary University of London, e cilësoi studimin si një hap të madh për të kuptuar nëse ushqimi ynë mund të përmirësojë shëndetin e trurit.
Për të vlerësuar efektet e dietës, studiuesit ndoqën për rreth 12 vjet 1,647 të rritur të moshës së mesme dhe të tretë nga grupi Framingham Heart Study Offspring.
Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë të detajuar për dietën, që përfshinin rreth 140 artikuj ushqimorë, dhe kryen të paktën dy rezonanca magnetike gjatë periudhës së studimit.
Më pas, studiuesit llogaritën një pikëzim për dietën MIND nga 0 në 15, bazuar në afërsinë e zakoneve ushqimore të secilit pjesëmarrës me rekomandimet për nëntë grupe ushqimesh të këshilluara, pesë grupe ushqimesh të kufizuara dhe konsum të moderuar vere.
Mesatarisht, pjesëmarrësit arritën 6.8 pikë nga 15.
Ata me pikët më të larta ishin më shpesh gra, persona me arsim universitar dhe jo duhanpirës. Po ashtu, ata kishin më pak raste të diabetit të tipit 2, tensionit të lartë dhe sëmundjeve të zemrës – të gjitha të njohura si faktorë që rrisin rrezikun për demencë.
Në analizë u morën parasysh edhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës, si duhanpirja, aktiviteti fizik dhe indeksi i masës trupore.
Siç pritej, të gjithë pjesëmarrësit shfaqën njëfarë rënieje të trurit të lidhur me moshën gjatë viteve të studimit.
Megjithatë, ata që e ndiqnin më nga afër dietën MIND përjetuan një rënie më të ngadaltë të lëndës gri dhe më pak zgjerim të ventrikujve të trurit – hapësira të mbushura me lëng që zmadhohen kur indi i trurit humbet.
Ndryshimet më të dukshme u vunë re në hipokampus, një zonë kyçe për të mësuarit dhe kujtesën.
Lënda gri është e pasur me qeliza nervore dhe luan rol qendror në kujtesë, të mësuar dhe vendimmarrje, ndërsa zgjerimi i ventrikujve konsiderohet një tregues i rëndësishëm i atrofi së trurit.
Studiuesit zbuluan se një rritje me tre pikë në rezultatin e dietës MIND lidhej me një ulje të plakjes së trurit të barasvlershme me rreth dy vjet e gjysmë.
Po ashtu, ata që e ndiqnin më rreptësisht këtë dietë shfaqën zgjerim më të ngadaltë të ventrikujve, çka përkthehet afërsisht në një vonesë prej një viti në plakjen e trurit.
Përfitimet dukeshin më të forta te të rriturit më të moshuar, personat fizikisht aktivë dhe ata që nuk ishin mbipeshë, duke sugjeruar se një qasje e kombinuar e stilit të jetesës mund të ofrojë mbrojtjen më të madhe.
Sipas studiuesve, ushqimet e rekomanduara nga kjo dietë mund ta mbrojnë trurin duke ulur stresin oksidativ dhe inflamacionin.
Ata shpjegojnë se ushqime të pasura me antioksidantë, si frutat e pyllit, dhe burime cilësore proteinash, si mishi i pulës, mund të ndihmojnë në kufizimin e dëmtimit të neuroneve.
Në të kundërt, ushqimet e skuqura ose fast food-et, që shpesh përmbajnë yndyrna jo të shëndetshme, yndyrna trans dhe përbërje të dëmshme të krijuara gjatë përpunimit, mund të nxisin inflamacion dhe dëmtim të enëve të gjakut.
Megjithatë, studimi solli edhe disa gjetje të papritura.
Një konsum më i lartë i drithërave të plota u lidh me ndryshime më pak të favorshme në disa tregues të trurit, përfshirë rënie më të shpejtë të lëndës gri, ndërsa konsumimi më i lartë i djathit u shoqërua me rënie më të ngadaltë.
Për këtë arsye, studiuesit thonë se nevojiten kërkime të tjera afatgjata për të kuptuar më mirë se si ushqime të veçanta dhe modele të caktuara ushqimore ndikojnë në plakjen e trurit.
Edhe vetë Dr Talaei sugjeroi se do të nevojitej një ndjekje më e gjatë e studimit.
Nga ana tjetër, profesorja Eef Hogervorst, eksperte e psikologjisë biologjike në Loughborough University, tha se këto rezultate duhen parë gjithmonë bashkë me faktorë të tjerë të stilit të jetesës.
Sipas saj, për ruajtjen e shëndetit të trurit dhe uljen e rrezikut për demencë nuk mjafton vetëm dieta, por është e rëndësishme edhe të mos pihet duhan, të ushtrohet aktivitet fizik dhe të trajtohen probleme si prediabeti dhe tensioni i lartë.
Edhe profesorja Catey Bunce nga Royal Statistical Society i quajti gjetjet interesante, por bëri thirrje për kujdes në interpretim.
Ajo theksoi se, si në shumë studime vëzhguese, rezultatet mund të tregojnë lidhje të mundshme, por nuk duhen marrë si provë përfundimtare se dieta parandalon drejtpërdrejt plakjen e trurit.
Michelle Dyson, drejtuese ekzekutive e Alzheimer’s Society, e mirëpriti studimin dhe tha se kërkimet e mëtejshme mbi parandalimin janë jetike.
Sipas saj, rritja e njohurive mbi faktorët e rrezikut dhe inkurajimi i njerëzve që të lënë duhanin, të jenë fizikisht aktivë, të ushqehen shëndetshëm, të mbajnë nën kontroll tensionin e gjakut dhe të konsumojnë më pak alkool, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për demencë.
Edhe Dr Jacqui Hanley nga Alzheimer’s Research UK tha se këto gjetje i shtohen provave në rritje se një dietë e balancuar, aktiviteti fizik dhe zakonet e tjera të shëndetshme mund të mbështesin trurin gjatë plakjes.
Ajo shtoi se ende nevojiten më shumë studime afatgjata dhe në grupe më të ndryshme njerëzish.
Aktualisht, rreth 900 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me demencë, ndërsa kjo shifër pritet të kalojë 1.6 milion deri në vitin 2040. Demenca mbetet shkaku kryesor i vdekjeve, me më shumë se 74 mijë viktima çdo vit. /GazetaExpress/