Trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, konfirmoi se skuadra e tij nuk do të ketë në dispozicion asnjë nga lojtarët e dëmtuar për përballjen e La Ligës ndaj Barcelonës të shtunën mbrëma.
Megjithatë, mund të ketë lajme më pozitive për ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve javën e ardhshme në “Camp Nou”.
Duke folur para ndeshjes të premten, Simeone minimizoi rëndësinë e duelit taktik mes tij dhe trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick.
“Futbolli ka të bëjë me lojtarët, jo me trajnerët. Barcelona ka luajtur në një mënyrë të caktuar që nga ardhja e trajnerit të tyre, me vijë të lartë mbrojtëse dhe pozicionim sulmues për të përfituar nga duelet e fituara. Ne, me stilin tonë të lojës, siç kemi bërë për 14 vite, do të vazhdojmë të përpiqemi të garojmë ndaj tyre”, tha ai.
Simeone konfirmoi se asnjë nga Rodrigo Mendoza, Pablo Barrios, Jan Oblak, Marc Pubill apo Johnny Cardoso nuk do të jetë gati për sfidën ndaj katalanasve.
“Të gjithë lojtarët e dëmtuar po përparojnë shumë mirë. Jan do të stërvitet me grupin të hënën. Mendoza gjithashtu do të bashkohet me grupin të hënën. Pablo po shkon shumë mirë. Ndërsa Pubill po stërvitet fort që të mund të na ndihmojë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Mungesat në mesfushë janë bërë problem për “Los Rojiblancos”, pasi përveç të dëmtuarve, Marcos Llorente dhe Johnny Cardoso janë të pezulluar, duke e lënë skuadrën me pak alternativa në këtë repart.
Koke Resurrección dhe Obed Vargas mbeten opsionet e vetme natyrale në qendër, ndërsa Simeone mund të improvizojë me Alex Baena ose Thiago Almada.
Llorente pritet të rikthehet për ndeshjet evropiane, ndërsa Cardoso do të mbetet jashtë për shkak të lëndimit.
Lajm pozitiv është se Jan Oblak, Mendoza dhe ndoshta edhe Pubill mund të rikthehen për ndeshjen e ardhshme javën tjetër.
Ndërkohë, Alexander Sørloth, i cili u kthye nga detyra me kombëtaren me një plagë në kokë, duket se do të jetë i gatshëm për këtë fundjavë./GazetaExpress/
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...