Diego e Mario dhe Hashimi e Albini - Gazeta Express
string(36) "diego-e-mario-dhe-hashimi-e-albini-1"

Gazeta Express

06/04/2020 10:55

Diego e Mario dhe Hashimi e Albini

Gazeta Express

06/04/2020 10:55

Epilogu i luftës së Thaçit e Kurtit nuk është tragjik vetëm për këta të dy. Përplajsa e këtyre dy sherrakëve ka pasoja për një popull të tërë. Sepse këta nuk janë duke vozitur nga një veturë ku ndodhen të vetmuar sikur Diego dhe Mario, por janë në krye të dy pushteteve më të rëndësishme në vend

Shkodran Hoti

Lexo Edhe:

“Wild Tales” është film i vitit 2014, i regjisorit dhe skenaristit nga Argjentina, Damián Szifron. Filmi përbëhet nga gjashtë ngjarje të ndryshme, me protagonistë të ndryshëm, secila më interesante se tjetra. Ato karakterizohen nga momentet tragjike, por të përcjella me humor të zi dhe përplot momente absurde.

Filmi është interpretuar në forma të ndryshme. Nga disa është cilësuar si kritikë e jetës së përditshme argjentianese gjatë shekullit të kaluar, por ka pasur edhe vlerësime se ai paraqet zemërimin politik dhe është njëfarë thirrje për përmbysje politike.

Në njërën nga gjashtë ngjarjet, protagonistë janë vetëm Diego dhe Mario, të panjohur për njëri-tjetrin. Të dy janë duke vozitur në një rrugë midis shkretëtire. Në një moment, Diego që është duke vozitur një veturë të re e luksoze, përpiqet ta tejkalojë Marion me një veturë që duket të jetë e një punëtori ndërtimtarie. Mario disa herë ia bllokonte rrugën Diegos me veturën e vjetër dhe të ngadalshme, por në një moment ky i fundit arrin t’i shmanget dhe duke e tejkaluar e fyen dhe ia tregon gishtin e mesit.

Gjatë rrugës, në afërsi të një lumi, Diego ndalon veturën pasi që i shfaqet një problem me njërën nga gomat e veturës. Thërret policinë, të cilët e njoftojnë që do të vonohen. Ai përpiqet ta ndërrojë atë, por shkathtësitë e tij në këtë drejtim lënë shumë për të dëshiruar. Dhe pa arritur që ta ndërrojë gomën, aty mbërrin Mario, të cilin ky e kishte ofenduar më herët. Nga frika prej konfrontimit me të, Diego izolohet në veturë dhe i kërkon falje, por Mario duket i bindur për hakmarrje. Fillimisht ai parkon veturën në afërsi të veturës së Diegos duke ia goditur qëllimisht, më pas tenton t’ia thyejë xhamin e blinduar të veturës, ia demolon me aq sa mundet dhe në fund i urion në xhamat e saj.

Teksa duket se Mario përfundoi hakmarrjen dhe po hynte në veturë, Diego shfrytëzoi rastin që ta shtyente me veturën e tij poshtë në lumë. Derisa Mario po bënte përpjekjet që të dalë nga vetura e rrokullisur në lumë, Diego rregullon me shpejtësi gomën dhe duke dashur të largohet, Mario del në breg. I frikësuar nga ndonjë hakmarrje e sërishme, Diego kthehet duke tentuar që ta godiste me veturë Marion për ta gjuajtur prapë në lumë, por në një moment humbet kontrollin dhe bie vetë mu aty ku kishte rënë vetura e Marios.

Këtu fillon beteja përfundimtare mes tyre. Mario tenton të hyjë nga bagazhi në veturën e Diegos, kurse ky i fundit nuk po arrinte të hapte derën për të dalë.  Kur Mario futet brenda, të dy godasin njëri – tjetrin me mjete të hekurta. Në një moment teksa Diego po arrinte të dilte nga vetura, i penguar nga Mario, përfundon me rripin e sigurisë në qafë, duke u ngulfatur. Teksa Diego po përpiqej t’i shpëtonte ngulfatjes, Mario po tentonte ta finalizonte hakmarrjen e tij, duke ia vënë flakën veturës përmes gypit të karburantit. Dhe në atë moment, kur vetura po merrte flake, Diego arriti ta kapte Marion nga këmba duke e tërhequr brenda veturës ku tanimë ndodheshin të dy, afër-njëri tjetrit. Në këto momente arrin vetura e policisë, por në këto momente shpërthen edhe flaka. Policia dhe zjarrfikësit teksa po ndalnin zjarrin, aty tashmë Diego dhe Mario ishin vetëm dy kufoma të djegura. Kurse, policët po e quanin një “krim pasioni”.

Kur po shikoja këtë film, kjo ngjarje që filloi me një sherr absurd dhe përfundoi me një epilog tragjik, më asocionte në një luftë për protagonizëm që tash e sa vite ekziston në skenën tone politike. Përplasja fizike mes Diegos dhe Marios, më ngjate në përplasjen politike mes Presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Shumë mllef, shumë urretje, shumë dëshirë për hakmarrje, e aspak hapësirë apo tentim për marrëveshje e paqe.

Pa u zhytyr shumë në histori, vetëm javëve të fundit, kjo luftë u manifestua në forma të ndryshme dhe u shfaq në momente kritike. Midis një pandemie, mes tyre nuk pati mundësi për të (mos)pasur dakordim për gjendje të jashtëzakonshme sepse pati garë se kush do të kishte më shumë kompetenca. Njëri shkeli Kushtetutën duke kufizuar lëvizjen e lirë përtej kompetencave të tij. Tjetri, bëntë thirrje antikushtetuese që të mos përfillej ky vendim.

Mu në këtë kohë, Thaçi po kërkon përgjegjësi nga Kurti për shtrirjen e sovrantetit në Veriun e Kosovës, njëjtë siç tradicionalisht Kurti e akuzonte Thaçin. Bën zhurmë Thaçi, që ishte për vite të tëra në pushtet dhe gjendja në atë pjesë të vendit mbetet e njëjtë. Hesht Kurti, i cili vazhdimisht bënte zhurmë për këtë gjë, propozonte pika për bashkimin e Mitrovicës, kurse në program qeverisës nuk ka asnjë plan se si do të veprojë në atë pjesë.

Në gjithë këto beteja së voni, sikurse edhe më herët, asnjëri nuk po tenton të gjejë zgjidhje. Sepse lufta e tyre ka një qëllim: t’i qërojne hesapet me njëri-tjetrin nga e kaluara. Që kushedi kur dhe pse kanë filluar. Ca thonë nga viti 1997, e ca nga viti 2007. Asnjëri nga ta nuk ndalet për një moment për ti shikuar veprimet e tij sepse të dy e shohin një fitues të kësaj lufte, pa asnjë moment armëpushimi e lëre më për ndonjë kompromis.

Sikurse Diego dhe Mario që luftuan deri në fund për ta eliminuar fizikisht njëri-tjetrin, ashtu edhe Thaçi dhe Kurti kanë shndërruar skenën politike në arenë lufte për ta eliminuar politikisht njëri-tjetrin. Ofendimet dhe poshtërimi që dy protagonistët e filmit ia bënin njëri-tjetrit, i kemi parë në një formë tjetër nga Thaçi e Kurti ndër vite. Por, për dallim nga ngjarja e filmit, epilogu i luftës së Thaçit e Kurtit nuk është tragjik vetëm për këta të dy. Përplajs e këtyre dy sherrakëve ka pasoja për një popull të tërë. Sepse këta nuk janë duke vozitur nga një veturë ku ndodhen te vetmuar sikur Diego dhe Mario, por janë në krye të dy pushteteve më të rëndësishme në vend.