Përderisa dialogu strategjik me ShBA’të u pezullua, ai në Bruksel po vazhdon. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen ka njoftuar se dje në Bruksel janë mbajtur takime dypalëshe dhe trepalëshe me kryenegociatorët e të dyja palëve, ku është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çështjen e personave të zhdukur.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se seanca inauguruese e Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur nuk është zhvilluar.
“Fatkeqësisht, seanca inauguruese e Komisionit të Përbashkët nuk u zhvillua. Jemi gati për të vazhduar sapo palët të jenë dakord”, ka shkruar emisari i BE-së në platformën X.
Theksojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Yesterday in Brussels, I hosted Chief Negotiators of Kosovo & Serbia for bilateral and trilateral talks on implementing the Ohrid Agreement & addressing Missing Persons. Regrettably, the inaugural Joint Commission session didn’t take place. Ready to continue once the Parties are. pic.twitter.com/yFNcVwcxJI
— EUSR for Belgrade-Pristina Dialogue (@EUSR_Dialogue) September 12, 2025