Dialogu Kosovë-Serbi do të mbetet i ngrirë - Gazeta Express
string(42) "dialogu-kosove-serbi-do-te-mbetet-i-ngrire"

OP/ED

Gazeta Express

29/08/2023 16:11

Dialogu Kosovë-Serbi do të mbetet i ngrirë

OP/ED

Gazeta Express

29/08/2023 16:11

Si do që të ndodhë, dialogu Kosovë-Serbi mbetet i ngrirë dhe do të vazhdojë i tillë, kurse liderët shëtitës të Ballkanit do të vazhdojnë të tregojnë batuta e përralla sesi duhet të funksionojë BE-ja. Dhe, e kanë deri diku mirë, tashmë që do t’u bashkohen dhe vendet në skajet lindore, në një udhë integrimi, që do të bëhet edhe më e vështirë drejt finishit, nga ku shpresojnë të vrapojnë bashkë me ne edhe Moldavia dhe Ukraina, që nuk kanë nisur nxehmjen akoma

Ben Andoni

Lexo Edhe:

Shqetësimi i natyrshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor është integrimi i plotë ose “finishi evropian”. Kur do ta kalojnë shiritin, që është fundi i një rrugëtimi prej disa dekadash për shumicën syresh apo më thjesht: kur do ta kenë vendin e duhur mes anëtarëve të tjerë të familjes evropiane?! Nga retorika e presidentit të Këshillit Evropian, Michel kupton se burokracia kontinentale do të duhet ta kruajë shumë kokën por edhe të përtypet gjatë. Për arsyen e pjesëmarrjes së shpeshtë të tij në forume dhe takime, ku janë edhe liderët shëtitës të Ballkanit, ai përsërit vazhdimisht dhe lodhshëm perspektivën “e qartë” evropiane, që në fakt po shtyhet e shtyhet pafund.

“Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, tha ai para disa orësh në Bled në një moment optimizmi.

Fjalët e tij inkurajuese i kanë nxitur me radhë kryeministrat e vendeve të Ballkanit, që një kohë bajagi të madhe e kalojnë në udhëtime të vazhdueshme sipas ‘axhendave ndërkombëtare’, që t’i përvishen sipas mënyrës së tyre BE-së. Tre kryeministrat shqiptarë në garën e tyre të pafolur, por të ditur të protagonizmit e kanë shpotitur paq. Abazoviç, Kryeministri në detyrë dhe fatlum i Malit të Zi, që ka fatin e madh të jetë në detyrë se vendi i tij nuk po vendos ende për formatimin e Ekzekutivit; Kurti i Kosovës me ngurtësinë dhe me tisin filozofik shpesh anakronik; Rama, Kryeministri i Shqipërisë me epërsinë e vendit më të konsoliduar mes shqiptarësh me diskursin e tij të zakonshëm barok historik: një lloj përzierje paradoksesh duke evokuar të kaluarën komuniste dhe konfuzionet e sotme të BE-së. Ana Brnabiç me fatin e përfshirjes në këtë forum serioz, në mungesë të pjesëmarrjes së vazhdueshme të Vuçiq duke u marrë me Kosovën dhe duke përsëritur se ka vetëm një shtet, që e përfaqëson vetëm ajo, një fashitje e asaj që në thellësi nuk e beson dhe vetë dhe kuptohet Kovaçevski i Maqedonisë së Veriut në dukje optimist, por konfuz përpara katrahurës që e pret në parlament dhe në të ardhmen me Bullgarinë.

Kjo amalgamë zyrtarësh kryeministrorë në Slloveni, që më shumë do mbahen mënd për udhëtime sesa për punë kanë shtruar me të drejtë një kërkesë, që në fakt po i mban të lidhur me premtimet ndaj popujve respektivë: Integrimi në BE! Por retorika e tyre bie kur kujton udhën e Malit të Zi dhe Serbisë. Kjo udhë na ka mësuar qartë se me gjithë përpjekjen dhe inkurajimin, por edhe me hapjen e kapitujve pafund, në fund janë fare pak kapituj të mbyllur dhe kushtëzime e kushtëzime pa fund për Podgoricën dhe Beogradin. Për Serbinë edhe me të detajuara sepse është vendi që e ka vështirësuar, por edhe i ka çuar disa nga vendet tona deri në zgrip të ekzistencës. Këto sot pothuaj janë harruar!!! Serbia veç përkëdhelet…

A thua i dinë dhe i ndjejnë të gjitha këto liderët shëtitës të Ballkanit? Patjetër që po. Dhe, Michel i paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së, patjetër që liderët do të duhet të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Kjo ka zgjatur pak, pasi i ka kthjelluar të gjithë, kur u ka kujtuar se nga temat në kuadër të zgjerimit, ka të ngjarë që të kemi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë!!! Në vazhdë, ka lënë atë që na përsëritet shpesh: shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe.

“Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni rrugën e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi ai.

Kaq është dashur dhe çdo gjë është kthyer në origjinë. Kurti me Bërnabiq kanë kujtuar realitetet mes tyre dhe qëndrimet aspak zbutëse. “Në fillim më duhet të them që për mua është një vend, nuk ka dy vende. Kosova nuk njihet nga ndërkombëtarët dhe nuk është pjesë e OKB. Dyshoj që të jetë pjesë e BE ndërsa ka 5 vende që nuk e njohin. Normalizimi që është në interes si të serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshtruar 10 vite më parë.

E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte është themelimi i bashkësive serbe. Kurti thotë se marrëveshja nuk ekziston për të, por po e përsëris që ky është hapi i parë që duhet të zbatohet për normalizimit. Po presim asociacionit”, ka marrë hov kryeministrja serbe. “Të mbështesësh Kosovën për BE-në ne e kemi 94%. Ne kemi vënë sanksione kundër Rusisë, Serbia jo, nuk e distancoi veten as nga Millosheviq as nga Putin, ndaj nuk është thjeshtë për ne. Normalizimi me Serbinë është shumë herë më i vështirë. Normalizimi nga pikëpamja psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit mes fantazisë dhe realitetit”, ia ka kthyer Kurti, duke treguar se mes vendeve ka aq boshllëk sa dialogu është absurd.

Kjo na ka treguar realisht atë që BE-ja vazhdon me një retorikë që është jashtë realitetit, kurse liderët shëtitës të vendeve tona, në vend që të qëndrojnë në vendet respektive dhe të punojnë në politikat e brendshme apo në përmirësimin e jetës së qytetarëve, të merren thjesht me një retorikë boshe. Diskutimi i Ramës, Abazoviç dhe Kurtit mund të jetë shumë i mirë në një forum universitar lokal, por i lodhshëm dhe i kotë në këto kushte, megjithë respektin për këtë forum.

Për Kosovën, shkëmbimi i prononcimeve Kurti-Bërnabiç po na kujton se edhe pas dhjetë vitesh (2013), kur u vendosën shumë piketa lidhur me marrëveshjet me Serbinë, dy vendet janë në një konflikt që nuk shkrin dot. “Marrëveshjet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë shkronja të vdekura në letër”, shprehej pak orë më parë me cinizëm politologu serb Gogiq. Kur kujton ndryshimin e formës por aspak përmbajtjen e kësaj marrëdhënie, kupton se platforma ndryshon, por dialogu ka mbetur i pandryshuar. Kur kujton se vullneti i Prishtinës dhe Beogradit kundërshton gjithçka, e që nuk shkon me një logjikë bashkëpunimi, konflikti duket se do jetë aty. Mund të ndryshosh aktorët ndërmjetës, mund të bëjë presion SHBA dhe BE, por duket se vullneti mungon krejtësisht për ndryshim. Madje, edhe tani, kur mbi Kosovën ka masa shtrënguese, që në muajt në vazhdim pritet të shtrihen edhe mbi Serbinë. Kurti apo cilido që do të vijë më pas, nuk do jetë larg kësaj udhe, ashtu si njësoj në Beograd, për cilindo që do zëvendësoj Vuçiqin. Më kot pritet nga serbët që të ngrihet Asosacioni, ashtu si bëhet rezistencë nga Kosova dhe i kërkohet paritet, asgjë nuk e ndryshon në një konflikt, kur nuk ka vullnet dhe për më tepër kur liderët respektivë e ruajnë dialogun si mjet për të zgjatur pushtetin e tyre. Serbët nuk bëjnë dot referendum për Kosovën, kurse kjo e fundit nuk është e interesuar të mos bjerë dakord me asgjë veç njohjes.

Në argumentin tonë, forumet e BE-së tashmë janë kthyer disi si aktivitete relaksi për liderët shëtitës të Ballkanit, kur këta na shpalosin vizione dhe kanë të drejtë të kritikojnë BE-në për konfuzitetin e saj, por jo të na tregojnë sesi po kalcifikohen në pushtet.

Si do që të ndodhë, dialogu Kosovë-Serbi mbetet i ngrirë dhe do të vazhdojë i tillë, kurse liderët shëtitës të Ballkanit do të vazhdojnë të tregojnë batuta e përralla sesi duhet të funksionojë BE-ja. Dhe, e kanë deri diku mirë, tashmë që do t’u bashkohen dhe vendet në skajet lindore, në një udhë integrimi, që do të bëhet edhe më e vështirë drejt finishit, nga ku shpresojnë të vrapojnë bashkë me ne edhe Moldavia dhe Ukraina, që nuk kanë nisur nxehmjen akoma./Panorama.al