Dialogu Kosovë – Serbi dhe përse BE-ja nuk jep shembuj nga historia e vet? - Gazeta Express
string(71) "dialogu-kosove-serbi-dhe-perse-be-ja-nuk-jep-shembuj-nga-historia-e-vet"

Gazeta Express

25/08/2020 12:59

Dialogu Kosovë – Serbi dhe përse BE-ja nuk jep shembuj nga historia e vet?

Gazeta Express

25/08/2020 12:59

Ky është një proces paqeje për një rajon që kufizohet me Bashkimin Europian dhe që nuk përfshin vetëm Kosovën e Serbinë, por shtrihet pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Bashkimi Europian ka rastin për t’iu kthyer historisë së tij, për të rilexuar deklaratat dhe për të parë se sa mund t’i ndihmohet arritjes së paqes përmes integrimit.

Shkruan: Valmir Elezi

Lexo Edhe:

Historia e kontinentit të vjetër, Europës, është edhe e çuditshme. T’i parashihet fundi apo vdekja një kontinenti, kaq shpesh, kjo ngjan vetëm me Europën. 

Në histori kanë qenë të ndryshme arsyet për parashikime të tilla ogurzeza për kontinentin tonë dhe duket se nuk do të përfundojnë asnjëherë.

Ja përshembull së fundmi, më 2017, është Douglas Murray me “Vetëvrasja e Europës”, i cili që në hyrje të librit shpall se: “Europa po kryen vetëvrasje. Ose, të paktën liderët e saj kanë vendosur të kryejnë vetëvrasje”. Murray sjell këndvështrimet e tij, që lidhen kryesisht me emigracionin masiv drejt Europës nga shtetet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, për të treguar se përse erdhi në këtë përfundim të zymtë. “[…] deri në fund të jetëgjatësisë së shumicës së njerëzve që jetojnë aktualisht, Europa nuk do të jetë më Europë, dhe popujt e saj do të kenë të humbur të vetmin vend në botë, të cilin duhet ta quanin shtëpi”.

Shumë vite para tij, më 1992, profesori amerikan i historisë dhe komentatori i politikës ndërkombëtare, Walter Laqueur shkruante në librin e tij “Europa në kohën tonë, 1945 – 1992” se pranohet gjerësisht se gjatë mijërave vjetëve më parë, Europa shumëherë është deklaruar e vdekur. “Megjithëse mesazhi i një Europe të mbaruar ishte proklamuar shumë herë, në vitin 1945 kishte më shumë arsye se ndonjëherë për të parashikuar vdekjen e pritshme të kontinetit”.

Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Europa ishte e përçarë politikisht dhe e shkatërruar ekonomikisht. Kjo vlente si për fitimtarin, por edhe për të mundurin. Dy nga tri shtetet që përbënin Paktin Trepalësh të shtatorit 1940, Romë – Berlin – Tokio, ishin shtete europiane. Gjermania naziste dhe Italia fashiste kishin kapitulluar së bashku me Japoninë.

Ndonëse parashikimet ishin të rënda, Europa nuk u zhduk. Ajo mbeti në skenë duke realizuar bashkimin mbi gërmadhat e një lufte që sapo kishte mbaruar e që ishte më e tmerrshmja në historinë e saj dhe të njerëzimit në përgjithësi. Në hapat e saj të mëdhenj ishin prezent dhe meritor edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Themelimi i Komunitetit Europian për Thëngjill dhe Çelik, që vite më vonë çoi përfundimisht në themelimin e Bashkimit Europian, ishte një ide guximtare që synonte të siguronte paqe midis popujve fitimtarë dhe të mposhtur të Europës. “Situata europiane duhet ndryshuar rrënjësisht. Ky ndryshim duhet të bëjë të mundur veprime të tjera të përbashkëta të pamenduara deri më sot”, thoshte ndër tjerash Robert Shuman, më 9 maj 1950. Në thelb të iniciativës së asaj kohe për bashkëpunim ndëreuropian qëndronte ideja që lufta mes Gjermanisë dhe Francës të bëhej jo vetëm e paimagjinueshme, por edhe materialisht e pamundur. Të dy këto vende kishin dalë të rrënuara nga lufta.

Sigurisht se problemet mes fqinjëve nuk janë çdo herë të njëjta dhe as zgjidhjet e tyre nuk mund të jenë të njëjta. Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përmbajë me dhjetëra elemente së bashku me fajin dhe përgjegjësinë e Serbisë për gjenocidin dhe krimet e kryera, por këtu vëmendja është përqendruar vetëm në atë se si do të duhej të paraqitej BE-ja në këtë marrëveshje.

Askush nuk e din më mirë se europianët rëndësinë që ka për paqen afatgjate pikërisht historia e vet Europës. Kjo histori qëndron në themel të saj si garantuese e një Europe të qëndrueshme dhe që si e tërë përpiqet të zgjidhë probleme e kriza.

Në dialogun gati një dekadësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, asnjëherë zyrtarët europianë nuk kanë e kanë deklaruar integrimin e përshpejtuar në BE si një model që do të ndihmonte në arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan. Deri më tani ne nuk kemi dëgjuar se një integrim i mundshëm i përshpejtuar për Kosovën dhe Serbinë, e ku sigurisht se do të përfitonin edhe vendet tjera përreth, mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare. Ndonjëherë, zyrtarët e BE-së mjaftohen me disa deklarata tepër të përgjithshme dhe të tipit se rajoni ynë “ka përsepektivë të qartë europiane”. 

Fatkeqësisht, përspektivës për integrim në Bashkimin Europian i mungon qartësia. Në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (shtator, 2010), e cila është pikënisje e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur flitet për rolin e BE-së, vetëm mirëpritet gatishmëria për të lehtësuar këtë proces dhe dialogu vlerësohet si arritje e përparimit në rrugën drejt Bashkimit Europian. Aspak më optimiste nuk janë as deklarimet që dalin nga institucionet e BE-së pasi ato vetëm e vlerësojnë dialogun si një nga proceset thelbësore për avancimin e këtyre dy vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pra, integrimi i përshpejtuar nuk paraqitet si mundësi konkrete.

Ky është një proces paqeje për një rajon që kufizohet me Bashkimin Europian dhe që nuk përfshin vetëm Kosovën e Serbinë, por shtrihet pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Bashkimi Europian ka rastin për t’iu kthyer historisë së tij, për të rilexuar deklaratat dhe për të parë se sa mund t’i ndihmohet arritjes së paqes përmes integrimit.

  • Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.