Nëse do të na duhej të përcaktonim gjendjen klinike të shoqërisë sonë të sotme, diagnoza e parë që do të shkruhej në kartelën tonë shpirtërore do të ishte: “Kulturë e rreme”. Ky nuk është thjesht një konstatim mbi mungesën e dijes apo një rënie e rëndomtë në analfabetizëm, përkundrazi, jemi përballë diçkaje që është shumë më tinëzare dhe më shkatërruese. Ndryshe nga analfabetizmi klasik, i cili ishte një errësirë që e mbulonte rëndë arsimimin, kultura e rreme shfaqet si një dritë artificiale, verbuese, që nuk ndriçon asgjë, por thjesht fsheh humnerën e brendshme. Ajo nuk është një informacioni i cunguar, por një tepricë e frikshme e dukjes, një lloj inflacioni i imazhit. Kjo tepricë shërben si një vello e shkëlqyeshme mbi një shterpësi të tmerrshme të qenies, ku njeriu nuk e ndërton më veten përmes proceseve të dhimbshme të reflektimit, por përmes grumbullimit të aksesorëve kulturorë që shërbejnë si dëshmi e rreme e një statusi intelektual.
Në këtë situatë të mjerë ka kohë që kultura ka pushuar së qeni një akt transformues dhe është shndërruar në një produkt konsumi, ku “të dukesh” ka fituar betejën finale ndaj “të jesh”. Po jetojmë në një kohë ku imitimi është bërë kaq i përsosur, saqë ai nuk e mohon më të vërtetën, por e klonon atë, duke e zhveshur nga çdo peshë etike dhe estetike. Ky lloj imitimi plastik prodhon një shoqëri që zotëron gjithë zhargonin e nevojshëm, citon emra të mëdhenj pa i lexuar kurrë, dhe merr pjesë në rituale elitare ku më shumë rëndësi ka ndriçimi i skenës sesa drita e idesë. Kjo është vdekja e kulturës si përgjegjësi morale! Ajo shndërrohet në një lojë pa pasoja, ku fjalët e mëdha përdoren si predha boshe për të krijuar iluzionin e një debati, ndërkohë që në thelb mbretëron një qetësi e frikshme konformizmi. Kur pesha etike avullon, mbetet vetëm një estetikë e zbrazët, një lloj “kulture e shpejtë” që na ofron kënaqësinë e përkohshme të të qenit të informuar”, pa na kërkuar asnjëherë sakrificën e të qenit “të ditur”.
Kjo gjendje klinike ushqehet nga fakti se kultura e rreme nuk vjen si një sulm i jashtëm, por si një mutacion i brendshëm i vetë institucioneve dhe individëve që supozohej ta mbronin atë. Tashmë jemi dëshmitarë të shfaqjes së një kategorie të re: mediokriteti i shkolluar. Ky është njeriu që ka zotëruar teknikën e dukjes, ka marrë diplomat e duhura dhe ka mësuar se si të operojë brenda mekanizmave të pushtetit simbolik, pa pasur kurrë një marrëdhënie autentike me të vërtetën. Për të, kultura është një kostum që vishet sipas rastit, një instrument për t’u integruar dhe jo një mjet për t’u emancipuar. Ky personazh e banon hapësirën publike me një autoritet të rremë, duke mbytur çdo shkëndijë origjinaliteti me peshën e një dijeje të dekontekstualizuar. Këtu ndodh shpërfytyrimi final: kuazi-intelektuali bëhet gardiani i kulturës së rreme, duke krijuar një mjedis ku integriteti shihet si naivitet dhe ku përshtatja me banalin llogaritet pjekuri profesionale. Rrjedhimisht, kjo shterpësi e qenies prodhon një lloj “vdekje në hipershpërfaqje”, ku njeriu i sotëm e ka humbur aftësinë për të qëndruar në heshtje dhe për të pritur që mendimi të piqet. Kultura e rreme kërkon reagim të menjëhershëm, kërkon spektakël dhe kërkon aprovim të vazhdueshëm. Ajo tmerrohet nga thellësia sepse thellësia kërkon kohë dhe dhimbje, dy elemente që nuk përkthehen dot në klikime apo në sukses të shpejtë social. Kështu, shoqëria shndërrohet në një ekspozitë gjigante ireale, ku ne jetojmë në një “boshllëk të ndriçuar”, ku gjithçka shkëlqen, por asgjë nuk ngroh dhe asgjë nuk të shtyn drejt një kërkimi të vërtetë transcendent. Ne kemi krijuar një realitet ku maska është bërë aq e ngjitur me fytyrën, saqë çdo përpjekje për ta grisur atë perceptohet si një akt dhune dhe jo si një akt çlirimi. Në fund, kjo diagnozë na përball me një të vërtetë të hidhur: rreziku më i madh nuk është se ne po harrojmë kulturën, por se po mësohemi të jetojmë me imitimin e saj deri në atë pikë sa nuk e dallojmë më origjinalin. Kur deformimi normalizohet, ai pushon së qeni problem dhe kthehet në mjedis jetese. Një shoqëri që ushqehet me kulturë të rreme është si një organizëm që konsumon ushqim pa vlera ushqyese; ajo mund të duket e ngopur, por në fakt po vdes nga uria për kuptim. Ky libër synon të jetë pikërisht një akt kirurgjikal ndaj këtij normalizimi, një përpjekje për të rikthyer peshën e fjalës dhe për të gufuar sërish drejt asaj që është thelbësore, organike dhe e pashitshme. Sepse vetëm duke pranuar shkallën e kësaj sëmundje që na ka mbërthyer sot, ne mund të fillojmë të kërkojmë sërish atë lloj intelektualiteti që nuk është status, por qëndresë ndaj asaj që tenton të na shndërrojë në hije të vetvetes. /Hejza