string(91) "diabeti-semundja-e-perjetshme-qe-te-prekurit-ne-kosove-veshtire-e-perballojne-financiarisht"

Lajme

Merita Miftari

12/09/2024 14:59

Diabeti, sëmundja e përjetshme që të prekurit në Kosovë vështirë e përballojnë financiarisht

Lajme

Merita Miftari

12/09/2024 14:59

R.L., pensionist nga Prishtina, deklaron se për trajtimin e diabetit, sëmundje me të cilën jeton që 12 vite, i shpenzon mesatarisht 350 euro në muaj. Në fillim diabetin e ka trajtuar me barna ndërsa më vonë ai ka kaluar edhe në insulinë. R.L., së fundmi ka amputuar dy gishtërinjë të këmbës, prandaj për parandalimin e diabetit u rekomandon të rinjve të “ikin” nga lëngjet e pasura me sheqer dhe të bëjnë aktivitete fizike. Jetesën me diabet, ai e përshkruan si “jo shumë të vështirë” në përgjithësi. Por përmend angazhimin për kujdes të vazhdueshëm që kërkon kjo sëmundje, për shembull ai nuk mund të konsumojë atë “që ia kërkon syri” por konsumon vetëm ushqime të shëndetshme, të cilat kanë kosto më të lartë. Gjithashtu i duhet të porosisë këpucë speciale jashtë vendit, domosdoshmëri e shfaqur pas amputimit, të blejë rroba për diabetikët të cilat rezultojnë më të shtrenjta sesa rrobat e tjera.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, nga të dhënat që i posedon konfirmon për Gazetën Express se në vitin 2022 janë regjistruar 7302 raste të Diabetit të pavarur nga insulina (Diabeti Tip 2), ndërsa sa u përket rasteve të Diabetit të varur nga insulina (Diabeti Tip 1), janë regjistruar 2455 raste. Në të dyja tipet, numri i grave të prekura me këtë sëmundje është më i lartë sesa i burrave.

Diabeti është një sëmundje e përjetshme që zhvillohet kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose insulina e prodhuar nuk mund të përdoret në mënyrë efektive, kjo rezulton me sheqer të lartë në gjak dhe zgjatë për gjithë jetën.

Specialistja e Mjekësisë Interne – Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, e cila është drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në ShSKUK thotë se trendi i rritjes së pacientëve me diabet në Kosovë ndjek trendin botëror dhe përmend shkaqet që çojnë drejt diabetit.

 “Trendi i rritjes së pacientëve me diabet në Kosovë ndjek trendin botëror. Këtu mund të permenden disa faktorë: Rritja e numrit të popullatës, avancimi i diagnostikës së hershme të sëmundjes së diabetit, rritja e prevalences së obezitetit i cili është faktori kryesor i diabetit tip 2 (i cili kap shifrën e mbi 90% të të gjitha llojeve të diabetit në tërësi), jeta me stres, orari i gjatë i punës dhe mos-aktiviteti fizik”, tha doktorsha Emini Sadiku për Gazetën Express.

Menaxhimi i diabetit ka kosto të lartë për pacientët

Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë në një përgjigje për Gazetën Express pohon se në “mënyrë të rregullt siguron terapinë me tri lloje të insulinave dhe terapinë për antidiabetik në formë të tabletave”.

Megjithatë, kohë pas kohe ka pasur raste kur është raportuar për mungesë të insulinës në QKFM-të e vendit e në spitale. Si dhe janë edhe disa pajisje të tjera të kushtueshme të cilat shteti nuk ua siguron pacientëve me diabet.

Shiritat për matjen e glikemisë, sensorët për matjen e sheqerit, pompat insulike, etj, janë disa pajisje për të cilat doktoresha Merita Emini-Sadiku, drejtoreshë e Klinikës së Endokrinologjisë në ShSKUK, shpreson që në të ardhmen t’i kenë pacientët.

“Shteti jonë përmes Ministrisë së Shëndetësisë siguron insulinat të cilat janë barna të shtrenjta dhe janë pa pagesë për të gjithë pacientët me diabet të cilët jetojnë në Kosovë. Gjithashtu siguron edhe disa barna tjera të cilat përdoren për këtë sëmundje. Në të ardhmen shteti i Kosovës do të ishte mirë t’i siguronte shiritat për matjen e glikemisë të cilët tani pacientët me diabet i blejnë vet. Pastaj për pacientët të cilët e kanë të vështirë mbajtjen e kontrollit të sheqerit në gjak të siguroheshin sensorët të cilët bëjnë matjen e sheqerit përmes një mjeti të vogël të vendosur mbi lëkurë në një pjesë të trupit dhe matja do bëhej përmes një aparati të ngjajshem me telefonat mobil i cili regjistron vlerat e sakta të sheqerit në gjak. Këta sensorë ndërrohen çdo dy javë dhe janë mjaftë të kushtueshëm për momentin”, tha për Gazetën Express endokrinologia Emini-Sadiku.

E sigurimin e këtyre senzorëve e sheh si shumë të rëndësishme doktoresha, sidomos për fëmijët me diabet.

“Këta sensorë janë të rëndësishëm sidomos për fëmijet me diabet tek të cilët shpimet e përditshme të gishtit për të matur sheqerin në gjak janë shumë stresuese. Gjithashtu me rëndësi për pacientët që marrin insulinë është edhe përdorimi i pompave insulinike të cilat janë gjithashtu të shtrenjta. Shpresojmë shumë që në të ardhmen e afërt të rritet buxheti i shtetit tonë për shëndetësi dhe të kemi komoditetin të ofrohen edhe këto trajtime moderne për një pjesë të pacienteve me diabet. Përndryshe, në Kosoveë janë të pranishme pothuajse të gjitha llojet e medikamenteve dhe insulinave që na nevojiten për pershkrim të terapisë së pacienteve me diabet”, tha endokrinologia Emini-Sadiku.

Jo rrallë pacientët me diabet amputojnë (hjekin), ndonjë pjesë të trupit, prandaj endokrinologia Emini-Sadiku, përmend si nevojë që në Kosovë të ofrohet krijimi kompjuterik i gjymtyrëve artificiale.

 “Sa i përket krijimit kompjuterik të gjymtyrëve artificiale në amputimet masime p.sh., të zëvendësimit të këmbës apo të gjymtyrës, në Kosovë nuk ofrohen shërbime të tilla, gjë e cila shpresoj që do të sigurohet në të ardhmen”, shprehet doktoresha.

Rrëfimi i pacientit: Para diagnostikimit më është shtuar etja, diabeti kërkon angazhim

Pacienti R.L., tregon se ndër shenjat e para që e paralajmëruan për diabetin ishte etja dhe urinimi i shpeshtë.

“Sa më kujtohet mua ka qenë viti 2012 kur e kam hetu, më është paraqitë etja. P.sh., ka ndodhë një natë me pi 2 litra langje dhe nuk mu largojke etja. Në fillim s’e kam ditë dhe nuk e kam kërkuar ndihmën e mjekut, ndërkohë e kam parë që vazhdimisht po shtohet etja edhe më shumë dhe nevoja për me urinu më shpesh. Atëherë jam lajmëru tek mjeku dhe më ka diagnostiku me diabet të tipit 2. Në fillim jam mjeku vetëm me barna, ndërsa para dy vitesh kam kaluar në insulinë sepse e shihja që më nuk po kanë efekt ato”, tha R.L., për Gazetën Express.

Tani atij i duhet kujdes i shtuar në përzgjedhjen e konsumimit të ushqimeve.

“Nuk është ë vështirë (me jetu me këtë sëmundje), në fillim mu ka dokë e paimagjinueshme tash mu ka bë rutinë dhe s’më bën përshtypje kurgjë për diçka të rëndë (insulina). Kjo sëmundje është moderne dhe është e mundimshme kërkon shumë angazhim. Kërkon me u ruajtë, nuk ki kurrë mundësi me hangër një ëmbëlsirë apo me hangër ushqime derisa të ngopesh. Duhet me i ikë, me abstenu prej ushqimeve vazhdimisht…Shumë është e vështirë kujdesi ndaj ushqimeve, syri vazhdimisht kërkon me honger e me pi”, tha ai.

R.L., pohon se përdorimi i insulinës e ndihmon për mbajtjen e balancit.

Insulinat i kemi pa pare, i marrim çdo muaj në datën 1. Sado kudo po e mban një lloj balanci insulina, nuk është e vështirë, por kur paraqitet nevoja se ki qare”, tha ai.

Momente të vështira R.L., tashmë pensionist, ka pasur kur i është dashur të bëjë amputimin e gishtërinjëve të këmbës.

“Këtë pjesë se kam përjetuar mirë sepse filloi gishti me u nxi dhe ma heku krejt për mos me shku më lartë, tjetrin e lëndova, dy të këmbës së djathtë edhe atë e hoqa”, tha ai.

Pacientët që amputojnë gishtrinjtë duhet të mbathin këpucë speciale sepse me këpucë normale e kanë të vështirë të ecin.

“Unë kurrë në jetë nuk kam mbathë këso këpucësh, nga momenti që e kam bë këmbën operacion më kurrë s’kam vendos kravatë. Tash s’mundesh, vajza m’i ka porositë këpucët në Gjermani, tash i kam porositë në Itali”, tha ai.

Për këto këpucë, ai thotë se është vështirë të gjenden të rehatshme.

“Edhe brenda Kosovës me u gjind këpucët nuk i gjen të hajrit, janë jokualitet. Jam shku në Shkup me një person që merret me materiale anti-diabetike, edhe aty s’kam bë kurgjë. Kështu që edhe kjo vështirësi”.

Këto këpucë kanë çmim më të lartë, e jo të gjithë kanë mundësi për t’i blerë.

“Nuk janë të përballueshme, sidomos ata që nuk kanë mundësi 80-100 euro e më tepër, një palë këpucë kushtojnë”, shtoi ai.

R.L., ua rekomandon të gjithëve aktivitetet fizike dhe kujdesin në ushqim.

“Ju kisha preferu gjeneratave të reja sa më tepër me ju ikë langjeve që janë të pasura me sheqer dhe sa më shumë me bo aktivitete fizike…Unë s’kam besu kurrë që më gjen kjo sëmundje, jam marrë me aktivitete fizike, por edhe shkenca thotë vazhdimisht me ecë”, përfundoi ai.

Drejtoresha e Endokrinologjisë, Merita Emini-Sadiku, pohon se edhe në QKUK ofrohen shërbime për këpucët që mbathen pas amputimit të gishtërinjëve.

“Po, ka shërbime edhe brenda QKUK-së të cilët sigurojnë përgaditjen e këtyre këpuceve speciale tek pacientët që kanë bërë amputime të gishtërinjëve të këmbëve apo për pacientët të cilët kanë dëmtime të sistemit nervor periferik, pra të gjymtyrëve të poshtme nga kjo sëmundje dhe si rezultat kanë zhvilluar fazat e avancuara të kembës diabetike siç ndryshe njihet kemba e Charcot”, tha doktoresha.

“Gjithashtu në barnatore të ndryshme ka paisje të tjera të përshtatshme siç janë çorapet dhe mjete të tjera të vogla dhe të lira që furnizuesit e këtyre barnatoreve i sigurojnë në bazë të kërkesave të pacientëve”, shtoi doktoresha.

Pse bëhet amputimi (heqja e gjymtyrëve)? Përgjigjet endokrinologia Merita Emini-Sadiku.

‘Vendimin për amputim të gjymtyrës apo gishtërinjëve tek një këmbë diabetik e sjell kirurgu vaskular ose edhe ortopedi varësisht prej dominimit të dëmtimit të vazove të gjakut, indeve të buta apo kockes. Amputimi bëhet kur gishti apo një pjesë e këmbës apo edhe gjymtyra mund të rrezikojë gjendjen e përgjithshme të pacientit. Vendimi për amputim sigurisht që nuk është i lehtë nga mjeku por duhet të kuptohet që kjo është në të mirë të gjendjes shëndetësore të pacientit me diabet. Rastet e amputimeve tek pacientet me diabet nuk janë edhe aq të shpeshta”, tha doktoresha.

“Bazuar në analizën e të dhënave lidhur me komplikimet e diabetit të pacientëve të shtruar në Klinikën e Endokrinologjisë, kemi 7.7% të pacientëve me këmbe diabetike (pacientë që kanë ulcera ose amputim) por kjo perqindje mund te jete me e madhe tek pacientet me kembe diabetike ne Kliniken e Kirurgjise vaskulare atje ku behet trajtimi i tyre”, shtoi doktoresha.

Informata të rëndësishme që duhet t’i dini për diabetin

Cilat janë shenjat e para të diabetit?

Dr.Merita Emini-Sadiku: Shenjat klasike të diabetit janë nevoja më e madhe për të pirë ujë me shumë, ndjenja e urisë së vazhdueshme dhe urinimi i shpeshtë. Gjithashtu janë të shpeshta simptomat si humbja e peshës, lodhja e pashpjegueshme, infeksionet dhe të qenurit nervoz simptoma të cilat pacienti vëren se nuk i ka pasur me herët.

A është e menaxhueshme sëmundja e diabetit?

Dr.Merita Emini-Sadiku: Kjo sëmundje është mjafë mirë e menaxhueshme nga të gjitha moshat, me përjashtim tek të vegjelit të cilët mund të kenë sëmundjen e diabetit dhe shëndeti i këtyre fëmijëve varet në tërësi nga kujdesi i prindërve ose i familjarëve deri sa ata arrijnë moshën kur e kuptojnë zhvillimin e sëmundjes dhe mënyren se si duhet të kujdesen vet. Përndryshe, nëse kujdesi për ushqimin, aktivitetin fizik, terapinë dhe konsultat e rregullta tek mjeku janë të rregullta, nuk ka fare rrezik për komplikime akute ose kronike të sëmundjes. Sëmundja bëhet e rrezikshme kur një apo disa nga ndërhyrjet e përmendura me lart çalojnë dhe kjo e bën me pas sëmundjen më të vështirë sepse arrijnë të paraqiten me shpejt komplikimet e diabetit për disa nga të cilat më pas është vonë të intervenohet.

A është e shtrenjtë kjo sëmundje, duke e ditë që çmimet e ushqimeve dietale janë më të larta në krahasim me produktet e tjera?

Dr.Merita Emini-Sadiku: Jo, nuk mund të them se kjo sëmundje është e shtrenjtë për t’u menaxhuar për secilin pacient që ka sëmundjen e diabetit por në rastet kur pacienti ka zhvilluar komplikimet në zemër, ka ulcera në këmbë, ka komplikime në veshka etj. mund të konsiderohet e shtrenjtë sepse për secilen prej tyre duhet terapi e veçantë apo edhe mund të kërkohet ndërhyrje operatore si dhe përcjellje postoperatore të cilat nëse individualisht mund të mos i kushtojnë pacientit kur merr shërbimet në insitucionet publike, ato në anen tjetër i kushtojnë shtetit për të gjitha ndërhyrjet terapeutike dhe operatore që ndërrmerren.

Çfarë të konsumojmë nga ushqimet dhe pijet që t’i ikim diabetit?

Dr.Merita Emini-Sadiku: Sa i përket ushqimit pacientëve me diabet fillimisht të jenë  të rregullt në konsumimin e shujtave ushqimore, mos të lëne vaktet kryesore pa i konsumuar. Pastaj, të zëvendësojnë bukën e bardhë me bukë nga dritherët e përziera ose bukë integrale dhe jo më shumë se 1-2 pjesë të zakonshme për racion ushqimor. Të perdoren më shumë perime gjatë ditës në formë të gjellërave të ndryshme ose sallatave, të konsumojnë mishin e bardhë dhe peshkun dhe më pak mishin e kuq i cili edhe kur konsumohet duhet të jetë pa yndyrë. Te konsumohet nje frut ndërmjet shujtave kryesore. Të konsumohet ujë në vend të lëngjeve. Të kenë aktivitet të rregullt fizik deri 150 minuta në javë nëse i lejon gjendja e tyre shëndetësore dhe lloji i aktivitetit fizik të përcaktohet nga mjeku i cili është duke e trajtuar duke patur parasysh që nuk është çdo aktivitet fizik i njëjtë për secilin pacient.

Doktoresha Emini Sadiku: Pacientët me diabet i trajtojnë komplikimet e tjera të sëmundjes edhe tek mjekët e tjerë

“Nga përvoja ime si kliniciste mund të ju them që puna me pacientë me diabet kërkon përkushtim të madh fillimisht duke u nisur nga fakti që duhet të dijmë jo vetëm për sëmundjen e tyre, komplikimet dhe mënyrën si e menaxhon sëmundjen por edhe aspektin social, stilin e jetës të cilin aplikojnë, anëtaret e familjes që kujdesen për ta si dhe sa të rregullt janë për konsultat mjekësore që duhet të ndjekin jo vetëm tek ne si mjek kryesor në trajtimin e sëmundjes së tyre por edhe tek mjekë të tjerë tek të cilët pacienti me diabet duhet të trajtojë komplikimet nga kjo sëmundje. Sigurisht dëshira për trajtim ndryshon nga pacienti në pacient dhe është individuale, por motivimi për trajtim më së shumti arrihet atëhere kur pacienti e kupton rëndësinë e trajtimit dhe seriozitetin e sëmundjes dhe kjo arrihet vetëm atehere kur mjeku në menyren e tij më të mirë arrinë ta vetëdijësojë pacientin për semundjen dhe rreziqet e mostrajtimit”, informoi endokrinologia Emini-Sadiku.

Në Kosovë është rritur vetëdija qytetare për sëmundjen e diabetit dhe konsumin e ushqimeve të shëndetshme

“Sa i përket vetëdijes qytetare për këtë sëmundje, vërej se është në rritje dhe çdo herë e më shumë njerëzit kanë informata për sëmundjen dhe sidomos për rëndesine e ushqimit të shëndetshem dhe aktivitetit fizik”, pohon doktoresha Merita Emini-Sadiku.

Edhe gastronomi Veton Zuka, i cili merret me fushën e gastronomisë që 23 vite, pohon se ndër vite klientët kanë rritur kërkesat për ushqime të shëndetshme.

“Me kalimin e kohës edhe pronarët e restoranteve janë vetëdijësu se çkado që ofrojnë duhet të jetë cilësore, sepse edhe klientët janë të informuar mjaftë mirë sa i përket ushqimit të shëndetshëm. Ndër vite është rritur kërkesa për ushqim të shëndetshëm e sidomos ushqimi i detit, llojet e sallatave, etj, mirëpo ende mbetet për të dëshiruar. Por një gjë që vërehet çdo ditë e më shumë është se ushqimi i shëndetshëm po e zë vendin e vet. Por nëse e analizojmë më thellë, cilësia hyn edhe në varësi se sa është në gjendje me përballu koston sepse kryesisht ushqimet e shëndetshme kanë edhe kosto më të lartë”, tha Zuka për Gazetën Express.

I pyetur nëse klientët kanë rritur kërkesën për pirjen e kafesë me natren në vend të sheqerit të bardhë, Zuka tha:

“Sa i përket kërkesës së llojeve të embëlsuesve ende prin sheqeri i bardhë, mirëpo është në rritje kërkesa e sheqerit të kaftë, po sigurisht që Natreni është gjithmonë në kërkesë, por më pak”.

Meqenëse ka vënë re vetëdijësimin e qytetarëve për t’u ushqyer shëndetshëm, Veton Zuka është në hapje të lokaleve që pritet të shërbejnë ushqime të shëndetshme.

“P.sh., në lokalet e mia jam duke e bërë një koncept të ushqimit italian që do të ketë vetëm produkte super të shëndetshme me një çmim që do të mundohem për të gjithë që të kenë mundësi t’i provojnë”.

Një ndër arsyet për mungesë të konsumimit të ushqimit të shëndetshëm, Zuka e përmend koston që kanë këto ushqime.

“Kosto është rritur në të gjitha produktet e sidomos tek ato të shëndetshme. Unë mendoj që rritja e të ushqyerit të shëndetshëm varet shumë nga standardi se sa klienti ka mundësi me përballu. Përshembull ka vende ku ndoshta duket shumë shtrenjtë mirëpo kualiteti i produkteve është fantastik, kështu që për një shtresë të madhe të klientëve është e papërballueshme. Pra, të ushqehesh shëndetshëm ka kosto të madhe”, tha Zuka për Gazetën Express.

Përmendëm Natrenin si ëmbëlsues në vend të sheqerit të bardhë, por cili është efekti i tij?

“Sheqeri i bardhë nuk duhet të konsumohet nga pacientet me diabet sepse përthithet shpejt nga zorrët në gjak dhe rrit nivelin e sheqerit në gjak. Pothuajse njeëjt ndikon edhe sheqeri me ngjyrë kafe i cili edhe ashtu shpesh ndodhë të jetë vetëm i ngjyrosur. Rekomandohet të mos përdoret fare sheqeri i shtuar në ushqime. Ndërsa sa i përket perdorimit të ëmbëlsuesve siç e keni përmend njërin nga ta Natrenin apo saccharin është një prej 6 ëmbëlsuesve të cilët janë të pranuar për perdorim nga FDA. Këta ëmbëlsues kur përdoren japin shijen e ëmbël të ushqimeve por nuk e rritin sheqerin ne gjak”, informon endokrnologia Emini-Sadiku.

Numri i grave që vuajnë nga diabeti në Kosovë është shumë më i madh sesa i burrave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, bazuar në të dhënat nga “Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatësdhe sistemit shëndetrësor” (IKSHPK, Raporti i morbiditetit në Kosovë 2022), në vendin tonë, konfirmon se gjatë atij viti janë regjistruar: 7302 raste të Diabetit të pavarur nga insulina (Diabeti Tip 2), prej të cilave raste: 2827 i përkisnin gjinisë mashkullore dhe 4475 gjinisë femërore.

“Ndërsa, sa u përket rasteve të Diabetit të varur nga insulina (Diabeti Tip 1), janë regjistruar 2455 raste, prej të cilave 1.011 raste të gjinisë nashkullore dhe 1444 raste të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Gazetën Express.

“Këto të dhana janë grumbulluar gjatë vitit 2022 në kuadër të raportimeve rreth sëmundjet kronike masovike jo ngjitëse (SJN), të njohura gjithashtu si sëmundje kronike, ndërkohë që analiza e radhës e jendjes shëndetesore të popullatës do të përfshijë të dhënat nga viti 2023”, thekson IKSHPK.