Edhe pse Academy of Motion Picture Arts and Sciences ndaloi zyrtarisht qeset me dhurata të ceremonisë së Academy Awards rreth 20 vjet më parë, tradita e shpërblimeve luksoze për yjet e Hollivudit nuk është zhdukur. Përkundrazi, ajo është shndërruar në një industri më vete.
Në prag të ceremonisë, hotelet dhe spa-të luksoze në Los Anxhelos kthehen në të ashtuquajtura “gifting suites”, ku kompanitë u ofrojnë dhurata shumë të shtrenjta aktorëve të nominuar me shpresën se ata do t’i përmendin produktet në rrjetet sociale.
Një nga organizatorët më të njohur të këtyre paketave është Lash Fary, themelues i kompanisë Distinctive Assets, e cila çdo vit përgatit qeset e famshme “Everybody Wins”.
Çfarë përmbajnë qeset e famshme?
Vlera totale e një pakete arrin gati 350 mijë dollarë për person. Në to përfshihen dhurata nga më të ndryshmet, nga produkte luksoze deri te përvoja ekskluzive.

Mes tyre janë:
valixhe dhe aksesorë luksi
një marrëveshje martesore e personalizuar nga avokati i divorcit James Sexton
një qëndrim në një vilë luksoze në Kosta Rika me vlerë 30 mijë dollarë
një tjetër pushim në Ibiza me vlerë 65 mijë dollarë
pajisje teknologjike dhe produkte të ndryshme mirëqenieje
pesë marka të ndryshme kanabisi (i ligjshëm në Kaliforni)
Në disa valixhe që përdoren për shpërndarjen e dhuratave shfaqen edhe emrat e yjeve të nominuar, si Michael B. Jordan dhe Kate Hudson.
Si u dorëzohen dhuratat yjeve?
Sipas Fary-t, të nominuarit nuk duhet të bëjnë asgjë për t’i marrë dhuratat. Paketat u dërgohen drejtpërdrejt në hotel apo në shtëpi.
Aktorja Rose Byrne, për shembull, kërkoi që qesja e saj të dërgohej në Nju Jork, ndërsa Rachel McAdams e pa paketën e saj duke u futur në zyrën e menaxherit të saj dhe e njohu menjëherë.
Megjithatë, këto dhurata nuk u jepen të gjithëve. Ato janë të rezervuara për:
20 aktorët e nominuar
pesë regjisorët e përzgjedhur
prezantuesin e ceremonisë, këtë vit Conan O’Brien.
A duhet të bëjnë reklamë për to?
Yjet nuk kanë asnjë detyrim që të promovojnë produktet. Megjithatë, organizatorët shpresojnë që ata t’i përmendin në rrjetet sociale.
Në raste të tilla, ekspozimi mund të jetë i madh. Për shembull, Viola Davis publikoi në Instagram fotografi nga një udhëtim në Havai që kishte marrë si dhuratë, ndërsa Amy Adams u fotografua duke veshur një bluzë nga paketa në palestër ditën pas ceremonisë.
Një industri e tërë rreth dhuratave
Një tjetër organizatore e njohur në këtë fushë është Nathalie Dubois, themeluese e Dubois Pelin and Associates.
Ajo punon kryesisht me marka të mëdha luksi dhe organizon evente ku yjet duhet të paraqiten personalisht për të marrë dhuratat. Në të kaluarën ajo ka ofruar produkte nga marka si Gucci, Fendi, Chloé, Chopard dhe Lancôme.
Eventet zhvillohen në hotele luksoze në zonën e Brentwood, Los Angeles, ku hyrja kontrollohet rreptësisht.
Sipas Dubois, nuk mungojnë edhe personat që përpiqen të hyjnë pa qenë të ftuar. Ka pasur raste kur njerëz janë shtirur si aktorë, madje edhe grupe që pretendonin se ishin pjesë e kastit të një seriali të njohur, ndërsa një person madje kishte tentuar të hynte duke kapërcyer murin e kopshtit.
Kjo tregon se, edhe pse nuk janë më zyrtare, qeset e famshme të Oscars mbeten një nga traditat më luksoze dhe më të diskutueshme të Hollivudit. /GazetaExpress/