Dhuna në kopshte, disa raste të rrahjes brutale të fëmijëve viteve të fundit - Gazeta Express
string(75) "dhuna-ne-kopshte-disa-raste-te-rrahjes-brutale-te-femijeve-viteve-te-fundit"

Lajme

Gazeta Express

19/09/2023 12:20

Dhuna në kopshte, disa raste të rrahjes brutale të fëmijëve viteve të fundit

Lajme

Gazeta Express

19/09/2023 12:20

Një trevjeçar dyshohet se është rrahur e tërhequr zvarrë në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë. Për këtë rast Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it kanë zbarkuar sot në këtë institucion parashkollor shtetëror. Aktualisht janë duke u intervistuar tri edukatore për rastin. Por, ky nuk është rasti i vetëm.

E nëna e fëmijës 3-vjeçar tha sot për T7 se përveç dhunës, atë ditë djali i saj nuk kishte ngrënë e as pirë asgjë për tetë orë rresht.

Lexo Edhe:

“Më ka thënë djali nuk kam hëngër bukë, nuk kam pi ujë që 8 orë. Fëmija im pa hëngër pa pi. Ka pi ujë i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thash le se të jep mami në shtëpi bukë. Jam detyru mu ndalë i ka hëngër dy hamburgerë dhe një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali por nuk jam e sigurt”, ka thënë ajo.

Ajo tregoi edhe për momentin kur e kanë thirrur edukatoret për ta lajmëruar për problemet e djalit të saj, që në këtë kopsht kishte filluar vijimin nga 1 shtatori.

E ky rast nuk është i vetmi.

Dhuna në “Cambridge Kids”

Policia e Kosovës më 10 shkurt 2020 kishte arrestuar një edukatore në kopshtin “Cambridge Kids”, pasi në një video që e kishte publikuar nëna e fëmijës, edukatorja e sulmonte fizikisht një fëmijë 16 muajsh.

Rastin e pati konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

“Më datën 10 shkurt 2020 në stacionin policor jugu në Prishtinë është iniciuar një rast “keqtrajtim i fëmijës”. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar personin e dyshuar, e cila me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”.

Për këtë  pati reaguar edhe kopshti ku ka ndodhur rasti.

Sipas postimit në faqen zyrtare të Kopshtit, punëtorja që shihet në video është përjashtuar nga puna.

“Me të parë skenën përgjegjësit e ndërrimit menjëherë kanë reaguar duke e përjashtuar nga puna punëtoren në fjalë, ndërsa prindit i është kërkuar falje dhe i është lejuar qasje në të gjitha incizimet në klasën e fëmijës së tij, në mënyrë që të shoh se si është trajtuar fëmija i tij gjatë gjithë qëndrimit në qerdhen tonë”, thuhet në postim.

E pas hetimeve pati rezultuar se ky kopsht nuk kishte pasur licencë fare.

Dhuna ndaj një 2-vjeçari në një kopsht në Breg të Diellit

Edhe në qershor  të 2018, ishte raportuar një rast i dhunës në kopsht.

Dy vjeçari O.C nga Prishtina ka pësuar dhunë nga stafi i një kopshti në lagjen Bregu i Diellit, kopsht në të cilin e kishin dërguar prindërit e tij.

Nëna e tij e cila nuk kishte dashur të identifikohet pati thënë se djali i saj me datën 19 qershor nga kopshti ka dalë me disa shenja dhunë dhe se sipas saj ishte tejet i shqetësuar.

“Djali ka qenë shumë i stresuar dhe i frikësuar. Ka pasur shenja dhunë. Po ashtu me ditë të tëra ai vetëm ka qajt nga frika. Unë kur i flisja vajzave të mia duke iu thënë fjalën qetësi ai reagonte dhe vetëm qante”, ka thënë nëna e tij për portalin Arbresh.info.

Ajo kishte treguar se rastin e kanë njoftuar në polici.

“Rasti është në hetim e sipër dhe presim nga Policia që të zbardhet e vërteta se kush nga stafi ka përdorur dhunë tek djali im. Jemi te stresuar tërë këto ditë pasi që ai është shumë i frikësuar sepse është traumatizuar”, ka shtuar ajo, teksa pati publikuar një video të djalit të saj e ku shihet me shenja dhune.

Dhuna ndaj një fëmije me nevoja të veçanta në një kopsht në Mitrovicë

Në shkurt të këtij viti ishte raportuar një rast nga prindi i një 5-vjeçari me nevoja të veçanta, për dhunë në kopshtin “Kopsht dhe Çerdhe Nina”.

Rasti u zbulua pas denoncimit të nënës së një fëmije 5-vjeçar, e cila po pretendon se një kujdestare që punon në këtë kopsht privat ka ushtruar dhunë fizike ndaj vogëlushit, i cili është me nevoja të veçanta.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të merren masat e nevojshme hetimore, me ç’rast është intervistuar e dyshuara dhe e njëjta më pas është lënë e lirë. Ndaj saj është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Për këtë rast pati reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Me keqardhje kemi pranuar lajmin për rastin e ndodhur në një kopsht privat në Mitrovicë, për dhunën e ushtruar ndaj një fëmije nga një edukatore e këtij kopshti. Menjëherë pas pranimit të informatës, Inspektorati i Arsimit e ka inspektuar këtë institucion parashkollor dhe është informuar se edukatores në fjalë i është ndërprerë marrëdhënia e punës”, pati thënë ajo.

Intervistohen nga Policia tri edukatoret që dyshohet se ushtruan dhunë ndaj 3 vjeçarit në Fushë Kosovë

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar për media pas rastit të dhunës ndaj një 3 vjeçari në çerdhen “Gëzimi ynë” në Fushë Kosovë. Ai ka bërë të ditur se edukatoret që pretendohet të jenë të përfshira në rast po intervistohen nga policia aktualisht.

Ai për mediat ka thënë se rasti është publikuar përmes rrjeteve sociale dhe se ai ka qenë në çerdhe bashkë me policinë e Kosovës, drejtoreshën dhe Inspektoratin e Arsimit.

“Për një situatë e cila e ka publikuar përmes rrjeteve sociale që është bë publike dje nga një familjar sipas pretendimeve se një fëmijë është përdorë dhunë ndaj tij. Unë kam qenë me policinë e Kosovës këtu, bashkë me drejtoreshën, Inspektoratin e Arsimit dhe në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet të cilat mirën me këtë çështje.”, tha ai.

Ai ka njoftuar se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në rast po intervistohen nga policia aktualisht.

“Policia e Kosovës e ka bë ftesën në drejtim të edukatoreve të cilat pretendohet se janë të përfshira në rast dhe në këto momente janë në stacionin e policisë duke u intervistuar.”, tha ai.

Policia deklarohet për rastin e rrahjes së 3-vjeçarit nga edukatoret në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë duke e trajtuar rastin e 3-vjeçarit, i cili dyshohet se është rrahur në kopshtin “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Kjo pas publikimit të videove nga familjarët e 3-vjeçarit, ku shihet duke u tërhequr zvarrë nga edukatorët e kopshtit.

E hetimet në këtë kopsht, Policia është duke i kryer në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, për Express ka thënë se nuk mund të japë detaje të tjera deri në përfundimin e fazës fillestare të hetimit.

“Policia në koordinim me prokurorinë, qendrën për punë sociale janë duke u marrë me këtë rast. Për detaje mbesim në kontakt pasi të përfundon faza fillestare e hetimit”, ka thënë ajo.

Nagavci paralajmëron masa ndaj institucionit parashkollor “Gëzimi ynë”: Kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të pamjeve nga një çerdhe shtetërore në Fushë Kosovë, u ku shihet duke u rrahur brutalisht një tre vjeçar.

Nagavci tha se e dënon ashpër dhunën në këtë institucion parashkollor, teksa kërkoi dënimin e merituar ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.

“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar”, ka shkruar Nagavci, përcjell Gazeta Express.

Ajo konfirmoi se inspektori i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe paralajmëroi ndërmarrje të masvae të menjëhershme.

“Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”, ka thënë ajo.

KOMF reagon pas rrahjes së 3-vjeçarit në një kopsht në Fushë Kosovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kanë reaguar pas publikimit të pamjeve ku shihet duke u rrahur një fëmijë 3-vjeçar në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë Kosovë.

KOMF u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapat dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit lidhur me këtë rast.

“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. KOMF bën thirrje që të intensifikohet monitorimi dhe inspektimi sistematik i kopshteve përmes inspektorëve dhe konsultimeve me prindërit në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla”, thuhet në reagim./Express/