Gratë viktimat e dhunës në familje, janë edhe viktima të mosbesimit në institucionet mbajtëse. Përveç ballafaqimit me frikën dhe presionin, viktimat ballafaqohen edhe me pasigurinë e vazhdueshme, kjo çon deri në tërheqjen e denoncimeve edhe pasi viktimat kanë bërë hapin e parë për tu çliruar nga dhunuesit, thotë psikologja Azra Milaimi Rexhepi, operatore në SOS linjën për viktima të dhunës gjinore.
“Tërheqja e denoncimeve ndodh shpesh për shkak të presionit nga dhunuesi ose familjarët, frikës për sigurinë personale dhe të fëmijëve të tyre si dhe për shkak të mosbesimit në institucionet tona, pasi nga praktika jonë disa viktima ndjehen të padëgjuara ose të mosmarrura seriozisht gjatë raportimit të tyre.”, u shpreh psikologia dhe njëkohësisht operatorja në SOS linjën për viktima të dhunës, Azra Milaimi Rexhepi.
Dhuna e përsëritur ndikon në uljen e vetëvlerësimit dhe në ndjenjën e pafuqisë. Psikologia Milaimi Rexhepi thotë se me kalimin e kohës mund të krijohet dhe një lidhje emocionale e ndërlikuar me dhunuesin, ku ndërthuren frika dhe varësia emocionale. Në disa raste edhe premtimet e dhunuesit për ndryshim krijojnë tek viktimat një shpresë të përkohshme se situata mund të përmirësohet, këto përbëjnë faktor që gratë të hezitojnë denoncimin e dhunës.
“Dhuna në familje mbetet e fshehur jo sepse viktimat nuk duan të flasin por sepse ato kanë frikë dhe ndjehen të pambrojtura. Shpesh hezitohet të raportohet për shkak të varësisë ekonomike apo emocionale dhe presionit nga familja ose rrethi shoqëror. Po ashtu shumë viktima përjetojnë ndjeja të thella turpi dhe faji, të cilat i pengojnë më tej të kërkojnë ndihmë.”, u shpreh psikologia Milaimi Rexhepi.
Në rastin e fundit tragjik ku humbën jetën një nënë dhe vajza e saj 6-vjeçare, duke u hedhur nga ndërtesa si pasojë e dhunës në familje, MPB njoftoi se nga viti 2025-2026 ishin evidentuar më shumë denoncime nga viktima por të njëjtat ishin tërhequr nga ana e vet të dëmtuarës dhe e njëjta ka hequr dorë nga ndjekja e procedurave të mëtejshme. Denoncimi i fundit kishte ndodhur vetëm 2 orë para rastit tragjik.
Sipas të dhënave të MPB-së, çdo vit ka më shumë se 200 kallëzime penale për dhunë në familje vetëm në rajonin e Shkup, ndërsa nga fillimi i vitit aktual ka 28 kallëzime penale për dhunë në familje Të dhënat statistikore të publikuara nga MPB deri në vitin 2024, tregojnë shifra alarmante, vetëm në vitin 2024 në tërë vendin ka pasur mbi 4200 ankesa për dhunë në familje, 277 kundërvajtje dhe 1087 vepra penale të dhunës në familje.
tag_katrorimaqedoni_2