Shokon fakti se në vitin 2025 janë regjistruar 4745 denoncime për dhunë në familje dhe gjashtë raste vrasjesh, ndërsa vetëm për dy muajt e parë të vitit 2026 tashmë ka katër raste të femicidit.
Këto shifra alarmante janë pasqyrë e një shoqërie në të cilën është rrezikuar e drejta më themelore e njeriut – e drejta për jetën. Nuk po citoj statistika, por po evidentoj dështimin e parandalimit institucional dhe të veprimit në kohë. Pas këtyre numrave fshihen histori jete, tragjedi familjare dhe ëndrra të parealizuara. Këtë e theksoi presidentja Gordana Siljanovska Davkova në seancën plenare në Parlament “Të drejtat dhe mundësitë e grave – arritjet dhe perspektivat”, e cila çdo vit mbahet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.
“Është e frikshme që çdo 8 mars të numërojmë viktima të reja, të prezantojmë statistikat më të fundit, të debatojmë për politika dhe të miratojmë strategji, duke treguar të njëjtat probleme, duke paraqitur statistika brutale dhe duke propozuar masa e aktivitete që janë propozuar edhe më parë, por nuk janë ndërmarrë. Edhe këtë 8 mars, menjëherë pas vdekjes së pakuptueshme të Ivanës dhe Katjës, e kam të vështirë ta përjetoj si Ditën e Gruas! Simbolika e festës është humbur në errësirën e një realiteti të ashpër, të pakuptueshëm dhe të papranueshëm”, tha presidentja.
Ndërkohë kryeministri Mickoski i pyetur për mosreagimin e institucioneve ndaj dhunës në familje, duke u bazuar sidomos në rastin e fundit tragjik ku humbën jetë një nënë së bashku me fëmiun e saj dhe të cilat dyshohet se gjatë kohë kanë qenë objekt i dhunës fizike, kryeministri tha se qytetarët që paraqesin dhunën, duhet të përmbahen tek ajo. “Ata që janë viktima të dhunës së familje, atë ta lajmërojnë dhe ta lajmërojnë dhe mos ta tërheqin. Sepse, më besoni nëse hiqet padia atëherë institucionet, qendrat sociale, nuk munden asgjë të bëjnë. Prandaj është e rëndësishme që ata që janë viktimë e dhunës atë ta paraqesin dhe mos të tërhiqen”, theksoi kryeministri Mickoski.
Nga LSDM ndërkohë insistojnë në dorëheqje të ministrit të punëve të brendshme Pançe Toshkovski. Sipas tyre, tragjedia në Karposh ka nxjerrë në pah lëshime të mëdha të MPB-së së udhëhequr nga Toshkovski. LSDM thekson se gjithsej 12 kallëzime kishte për autorin, i cili kishte edhe akuza të tjera dhe kallëzime penale, ndërsa në rastin e fundit tek ai ishte gjetur edhe drogë.
“Ministria e Punëve të Brendshme ishte alarmuar, kishte kallëzime, ekzistonin njohuri dhe indikacione për një rrezik serioz. Por me reagim të papërshtatshëm dhe të vonuar, nuk i kanë mbrojtur viktimat. Ndërkohë, me ndryshimet në Kodin Penal, dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje ndiqen sipas detyrës zyrtare, edhe kur kallëzimi tërhiqet. Jo vetëm kur ka lëndime trupore, por edhe kur me dhunën cenohet shëndeti dhe siguria e viktimës. Pra, policia ka qenë e detyruar të veprojë”, theksojnë nga LSDM. Nga kjo parti më tej se vetëm para pak muajsh në Veles një grua e re u vra bashkë me babanë e saj, edhe pse më herët kishte raportuar dhunë. “Edhe atëherë Ministria e Punëve të Brendshme nuk reagoi me kohë. MPB dështoi edhe në rastin e vrasësit serial në Staro Nagoriçanë”, theksojnë nga LSDM. Kjo flet për dështime serioze të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilën e drejton Pançe Toshkovski. Problemi fillon nga maja. Ndërsa të tjerët heshtin, LSDM nuk do të heshtë.
Kërkesat e opozitës për dorëheqje të Toshkovskit, kryeministri Mickoski i cilësoi si të ulëta dhe të parëndësishme, ndaj siç tha , nuk ia vlen të komentohen.
“Ata kërkojnë dorëheqje çdo ditë, prej secilit. Pa marrë parasysh se cilat janë argumentet e tyre, institucionet po veprojnë, ndërsa ministri Toshkovski bëri një retrospektive të qartë se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ashtu që unë opozitën tone të pa ide nuk do të doja ta komentojë”, theksoi Mickoski, I cili nuk u ndal me kaq, por e sulmoi LSDM-në, duke thënë se është parti që punon kundër interesave të kombit maqedonas. “LSDM është rreziku më i madh për identitetin maqedonas dhe për shtetin maqedonas dhe i lus qytetarët të pranojnë me rezervë të gjithë ato deklaratat dhe komunikatat e rrejshme që dalin nga Bihaçka, për shkak se ato kanë një qëllim të vetëm të shkatërrojnë indin maqedonas dhe të sulmojnë identitetin maqedonas”, theksoi Mickoski. Ndërkohë, edhe kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova në Parlament kërkoi përgjegjësi nga institucionet shtetërore për mos-veprim ndaj dhunës.
“Parlamenti nuk ka të drejtë të heshtë dhe të fshihet pas procedurave. Parlamenti ka përgjegjësi. Ju e hodhët poshtë Ligjin për ndjekjen elektronike të autorëve të dhunës, pa debat serioz dhe pa argumente. Që nga atëherë vetëm numërojmë viktima. Po sot? Sot gojët janë plot me mbështetje për gratë. Ku ishte ajo mbështetje kur duhej të sigurohej një mekanizëm konkret për mbrojtje? Ku është mbikëqyrja parlamentare ndaj institucioneve që kanë heshtur? Ku është përgjegjësia? Pse institucionet i lanë viktimat vetëm? Këto nuk janë raste të izoluara”, theksoi Zajkova, e cila shtoi se është detyrim të tregohet se sistemi mund të mbrojë, e jo të heshtë.
tag_katrorimaqedoni_2