Dhuna digjitale është një nga format më të reja, por gjithnjë e më të përhapura, me fokus të veçantë ndaj grave dhe vajzave në Kosovë.
Në një epokë të dominuar nga rrjetet sociale, platformat digjitale dhe komunikimi online, hapësira virtuale nuk është gjithmonë vend i sigurt, sidomos për gratë.
Nga shpërndarja pa leje e materialeve personale, ngacmimet në internet e deri te kërcënimet dhe fushatat e ngacmimit online, dhuna digjitale po lë pasoja të mëdha në jetën e shumë grave në vendin tonë.
Armend Hamiti, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, tha se rastet e dhunës digjitale merren me prioritet nga ana e kësaj Prokurorie. Ai tha se nevojitet profilizim i gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Jo vetëm ky rast, por secili rast kur janë format e ngacmimit merret me prioritet nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe synohet që të trajtohet sa më shpejtë në mënyrë që të shkojë sa më shpejtë në gjykatë dhe personi të ballafaqohet me drejtësinë dhe të merr dënime për veprën penale. Besoj edhe në këtë rast, shpresoj të mos ketë shumë raste të tilla që të ngritet vetëdija dhe të kemi sa më pak këso raste. Prokuroria do të punojë njëjtë dhe do të kryejë hetime sa më shpejtë dhe të ngritë aktakuzë edhe më pas në gjykatë personat që kryejnë këso vepra penale të marrin dënimin”, tha Hamiti.
Prokurori Hamiti tha se është demokraci, ku secili mund të japë një mendim, por nuk do të thotë të ngacmojë, ku përmendi se ka plot raste që vijnë në gjykatë dhe thonë se “unë nuk kam ditë as çfarë kam bërë”.
Lidhur me këto raste, Hamiti gjithashtu tha se duhet të ngritet vetëdija.
Sipas tij, profilizimi i prokurorëve ka filluar, mirëpo nuk është bërë ende. Tha se duhet të bëhët edhe profilizimi i gjyqtarëve edhe i prokurorëve, por të krijohet edhe një lloj mekanizmi ku përfshinë edhe policinë edhe institucionet të tjera që luftojnë sulmet kibernetike.
Në fund, prokurori Hamiti tha se në këto raste më mirë do të ishte të kemi parandalim se sa të ngriten aktakuza.
Adelina Berisha, drejtore e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, tha se është e domosdoshme që kryerësit e dhunës digjitale ta kuptojnë që janë duke kryer vepër penale.
Ajo tha se sikurse secila formë e dhunës, edhe kjo formë ndikon në përkeqësim të gjendjes emocionale të grave e vajzave viktima.
“Mund të ndikojë në frikësim të tyre, në ndalim të aktivitetit të tyre publik, në izolim, por në raste edhe më të rënda mund të çojë edhe tek depresioni, tek gjendje më të rënda emocionale, në qoftë se për një viktimë shërbimet nuk janë në dispozicion dhe ajo nuk ka si ta adresojë përjetimin e kësaj forme të dhunës”, tha Berisha.
Berisha tha se fokusi duhet të jetë si të edukohen djemtë që të mos i përdorin këto platforma digjitale për të bërë abuzime.
Sipas saj, vetëdijesimi nuk bëhet vetëm tek përdorimi i teknologjisë, por edhe tek mënyra si edukohet një djalë- si e sheh një vajzë, mënyrën e pëlqimit, e të tjera.
“Sikur një viktimë që është sulmu në hapësirë fizike, e njëjtë ndihet nëse i ndodh kjo gjë në sferë online. E përmendëm që rasti i Fluturës (Flutura Kusarit) është tipik që ky sulm nuk bëhet pa një planifikim, pa një prapavijë, bëhet me një planifikim të mirë”, tha Berisha.
Berisha tha se duhet kuptuar rreziku që vjen nga keqpërdorimi i çfarëdo materiali në internet.
“Në anën tjetër, një vetëdije shumë e madhe për ushtruesit potencial të kësaj forme të dhunës, ta dinë që ata janë duke bërë një vepër të rëndë, janë tu bë vepra penale, dhe që presioni është i njëjtë, ndikimi tek viktima është i njëjtë, qoftë nëse një vajze duke ecur në rrugë ia thu një fjalë të rëndë, qoftë nëse ia shkruan në një platformë dhe ajo e sheh. Besoj njëjtë ish ndje një djalë nëse ish kanë viktimë e këtye formave”, tha Berisha. /BetimipërDrejtësi