Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka kërkuar Avokatit të Popullit të nis hetimet në lidhje me “bllokadën që Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës ua kanë bërë një numri të madh të bizneseve sa i përket regjistrimit të automjeteve”.
“Dhoma ka pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e saj lidhur me një zbatimin e një paragrafi të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, respektivisht Neni 89, paragrafi 4, e cila ka filluar të zbatohet nga Policia e Kosovës, sipas së cilës ndalohet regjistrimi i çdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston qoftë edhe një gjobë e papaguar për ndonjë automjet tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt.”
DHTIK thotë se bizneset që kanë gjoba të papaguara, nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre pa i paguar të gjitha gjobat, pavarësisht se cili automjet është ndëshkuar.
Komunikata e plotë:
DhTIK i kërkon Avokatit të Popullit nisjen e hetimit për bllokadën e automjeteve të bizneseve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar Institucionit të Avokatit të Popullit qe të nis hetimet në lidhje me bllokadën që Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës ua kanë bërë një numri të madh të bizneseve sa i përket regjistrimit të automjeteve.
Dhoma ka pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e saj lidhur me një zbatimin e një paragrafi të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, respektivisht Neni 89, paragrafi 4, e cila ka filluar të zbatohet nga Policia e Kosovës, sipas së cilës ndalohet regjistrimi i çdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston qoftë edhe një gjobë e papaguar për ndonjë automjet tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt.
Kjo praktikë ka filluar të zbatohet më datë 31.05.2025 nga Policisë së Kosovës, me ç’rast bizneset që kanë gjoba të papaguara, nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre pa i paguar të gjitha gjobat, pavarësisht se cili automjet është ndëshkuar, dhe kjo po ndikon në funksionimin normal të bizneseve, qarkullimin ekonomik dhe të drejtën për ushtrim të veprimtarisë së tyre.
DhTIK vlerëson se me këto veprime është shkelur Neni 46, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se e drejta e pronës është e drejtë e garantuar. Pra, zbatimi i Ligjit nr 08/L-186 PËR RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR, Neni 89, paragrafi 4, i pamundëson pronarit të pronës, qasjen dhe shfrytëzimin e pronës, duke e bllokuar dhe pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij.
Zyrtarët policorë e kanë mbështetur këtë praktikë në Nenin 89 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili rregullon ekskluzivisht ndalesat e parkimit të automjeteve në vende të caktuara dhe masat që ndërmerren kur shoferi nuk i përgjigjet thirrjes së Policisë me ç’rast konsiderojmë se është vendosje arbitrare e paragrafit 4 në nenin tematikisht të kufizuar.
Paragrafi 4 i Nenit 89 është futur në mënyrë të pa konsultuar dhe të pakoordinuar në një nen që ka për objekt vetëm ndalesat e parkimit. Kjo përbën një kontrabandim normativ që krijon pasiguri ligjore dhe hap rrugën për interpretime të rrezikshme në praktikë.
Kjo praktikë po pamundëson regjistrimin e automjeteve që nuk kanë asnjë gjobë, duke bllokuar qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe angazhimeve kontraktuale.
Si pasojë, bizneset po pësojnë humbje të drejtpërdrejta financiare dhe po cenohen në të drejtën për të ushtruar aktivitetin e tyre. Gjithashtu kjo praktike ndikon drejte për së drejti në rritjen e numrit të veturave të paregjistruara në trafik.
Edhe në takimin e mbajtur muajin e kaluar me ARC-në dhe Policinë e Kosovës, Dhoma ka rekomanduar që të bëhet pezullimi i menjëhershëm dhe rishikimi i interpretimit të Nenit 89 në përputhje me qëllimin dhe objektin e tij ligjor.