Nesër, më fillim nga ora 20:00 në Teatrin Dodona, luhet premierë shfaqja “Dhoma e Ditës” me regji të Butrint Pashes.
Kjo shfaqje e shkruar nga Richard Kalinoski, vjen si premierë botërore e këtij teksti në Kosovë si bashkëpunim i radhës me regjisorin Butrint Pasha.
Luajnë: Kumrije Hoxha (si ABI UINSLLI), Vjosë Tasholli (si DR.SANDRA UINSLLI), Ermal Sadiku (si TAJLLER), Arta Lahu (si ALISIA), Molikë Maxhuni (si XHESIKA)
Ngjarja flet për jetën e një regjisoreje, Sandrës, që po përgatitet të punojë shfaqjen ”Menaxheria e qelqtë”, ku do të përzgjedh për rol kryesor një aktor ambicioz, Tajllerin, që ndërkohë do të jap arsye për një raport të afërt me regjisoren.
Jashtë jetës profesionale Sandra është një grua e dedikuar për kujdes ndaj nënës së saj të moshuar dhe të vetmuar, Abit,që ka nevojë për vizitat e saj. Në një moment kur Abi do të kuptoj që vajza e saj ka një plan të ri për jetën personale, aty fillon drama në mes dy grave të përhumbura në fatet e njëra-tjetrës.
Konceptualisht shfaqja flet për procesin e shkëputjes së fëmijës nga nëna, nevojën për ndryshime në jetë, barrierat e shkëputjes nga familja e ngushtë dhe fatin e të moshuarve. Kjo shfaqje vë në pah dy pyetje substanciale për jetën e çdo njeriu, se sa iu detyrohemi prindërve dhe sa kanë të drejtë prindërit të përcaktojnë jetën e fëmijëve të tyre? Duke e pasur parasysh faktin që dinamizimi i jetës, nevoja për të ndërruar mënyrë jetese është shprehur dukshëm edhe në shoqërinë tonë, pa vullnetin e tyre të moshuarit janë në mes të situatës ku duhet të adaptohen me mënyrën e jetesës së re, apo duhet të mbrojnë parimet e krijuara ndër vite, si normë shoqërore.
Art Director: Alma Krasniqi
Kompozitor: Adhurim Grezda
Dizajni i dritave: Skender Latifi
Përkthimi: Brezar Xërxa
/Express/