Së paku 30 njerëz u vranë në përleshjet në jug të Sirisë, ndërsa autoritetet dërguan forca për të qetësuar situatën.
Dhjetëra persona u plagosën gjithashtu.
Dhuna u zhvillua mes fiseve beduine sunite dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze në qytetin Sueida.
Ministria e Brendshme e Sirisë tha se së paku 30 persona janë vrarë, ndërsa Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut – grup që monitoron luftën – raportoi se numri i të vdekurve është 37.
Luftërat midis grupeve të ndryshme minoritare në Siri u përshkallëzuan që nga rënia e regjimit të presidentit Bashar al-Assad, në dhjetor.
Për vendosjen e rregullit brenda vendit tashmë është duke punuar një qeveri islamike.
Ministria e Brendshme siriane tha të hënën herët se forcat e saj do të ndërhyjnë drejtpërdrejt për të zgjidhur konfliktin dhe për të ndaluar përleshjet në Sueida.
Guvernatori i këtij qyteti, Mustapha al-Bakur, u bëri thirrje zgjedhësve të tij që “të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’u përgjigjen thirrjeve kombëtare për reforma”.
Udhëheqësit shpirtërorë bënë gjithashtu thirrje për qetësi.
Në prill dhe maj, përleshjet midis forcave të reja të sigurisë dhe luftëtarëve të pakicës Druze lanë dhjetëra njerëz të vrarë.
Besimi Druze është një degë e Islamit Shiit, që ka komunitete të konsiderueshme edhe në Liban, Jordani dhe Izrael.
Nën regjimin e Asadit, shumë prej tyre ishin besnikë të qetë ndaj shtetit, me shpresën se do t’iu ofronte mbrojtje gjatë luftës civile 13-vjeçare.
Në frontin diplomatik, vendet perëndimore janë duke bërë përpjekje për t’i rivendosur marrëdhëniet me Sirinë.
Këtë muaj, Shtetet e Bashkuara e hoqën grupin Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – që ka marrë kontrollin e vendit – nga lista e organizatave të huaja terroriste. /REL/