Zyrtarët pakistanezë njoftuan se së paku dhjetë persona janë vrarë nga një shpërthim vetëvrasës, ku në shënjestër ishte një automjet i policisë. Ngjarja ndodhi në pjesën jugperëndimore të Pakistanit, më saktësisht në qytetin Quetta.
Në mesin e personave të vrarë ishin edhe dy policë. Quetta është kryeqytet i provincës së Baloçistanit, e cila shtrihet në kufi me Afganistanin dhe Iranin.
“Deri tash i kemi pranuar 10 trupa të pajetë dhe 35 persona të lënduar”, i tha agjencisë Reuters një zyrtar i spitalit.
Një zyrtar i lartë policor konfirmoi se në mesin e personave të vrarë janë edhe dy pjesëtarë të policisë, transmeton Gazeta Express.
Incidentet me motive terroriste nuk janë të rralla në Pakistan. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 49 persona u vranë në gjashtë incidente terroriste në këtë shtet.