'Dhez' deri diku transferi i pushtetit në Veri, BE ia zhbllokon 50% të asistencës financiare Kosovës, nga KE flasin për Express - Gazeta Express
string(123) "dhez-deri-diku-transferi-i-pushtetit-ne-veri-be-ia-zhbllokon-50-te-asistences-financiare-kosoves-1nga-ke-flasin-per-express"

Lajme

Gazeta Express

17/12/2025 12:30

‘Dhez’ deri diku transferi i pushtetit në Veri, BE ia zhbllokon 50% të asistencës financiare Kosovës, nga KE flasin për Express

Lajme

Gazeta Express

17/12/2025 12:30

Bashkimi Europian ka nisur zhbllokimin e rreth 50% të ndihmës financiare për Kosovën me heqjen e mëtejme të masave ndëshkuese ndaj vendit. Lëvizja erdhi pas transferit të qetë të pushtetit në katër komunat veriore të vendit dhe largimit të policisë nga ndërtesat komunale.

Alma Baxhaku

Bashkimi Europian ka konfirmuar për Gazetën Express se ka hequr 50% të masave për Kosovën e që përkthehet me lirimin e rreth 216 milionë eurove për vendin.

“Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes vendore në veri pas zgjedhjeve të fundit lokale në dhjetor 2025, ne do të lirojmë më tej rreth 50% të asistencës financiare, që arrin në afërsisht 216 milionë euro”, tha në një përgjigje për Gazetën e Express një zëdhënës i Komisionit Europian.

BE shtoi se kjo do të mundësojë “nënshkrimin e kontratave për katër projekte (që përfaqësojnë gjithsej 34.6 milionë euro kontribut nga BE-ja) dhe nisjen e zbatimit të tyre; si dhe përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit nga Komisioni në pranverën e vitit 2026, i cili do të mundësonte fillimin e projekteve të para në gjysmën e dytë të vitit 2026)”.

Bashkimi Europian nisi në maj heqjen graduale të masave të BE-së pas përpjekjeve për uljen e tensioneve në veri.

Dje gjatë ditës zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, duke publikuar një letër që ia dërgoi Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Europian, Gert Jan Koopman, tha se Komisioni Europian ka vendosur për heqjen e “shumicës së masave” ndaj Kosovës.

Koopman në letër i shkroi Bislimit se këtë vendim e ndërmorën si pjesë e angazhimit të tyre “të vazhdueshëm për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj europiane”.

Ai përmendi edhe heqjen e policisë rreth objekteve komunale krahas bartjes së rregullt të pushtetit nga kryetarët shqiptarë te ata serbë që fituan në zgjedhjet e fundit lokale,

“Së fundmi, ne kemi mirëpritur transferimin paqësor dhe të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve vendore, si dhe largimin e policisë nga ndërtesat komunale”, shkroi ai.

Koopman shtoi se në përputhje me Komunikatën e Komisionit për Zgjerimin 2025, Komisioni do të heqë më tej disa nga masat e BE-së, konkretisht ato që lidhen me programimin e fondeve të BE-së dhe kontraktimin e projekteve prioritare.

“Për këtë arsye, ftojmë Kosovën që t’i dorëzojë sa më shpejt Drejtorisë së Përgjithshme ENEST propozimin e saj të programimit lidhur me financimin IPA 2026–2027, duke pasur parasysh se miratimi i paketës së programimit mbetet i kushtëzuar me përafrimin e Kosovës me prioritetet strategjike të BE-së dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara të cilësisë. Siç e dini, programimi i fondeve do të kërkojë gjithashtu mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së”, tha ai.

Ndërkaq, Bislimi tha se e mirëpresin këtë hap të BE-së dhe kërkoi që kjo “të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre”.

“Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, tha Bislimi.

Megjithatë, u raportua se heqja e plotë e masave s’do të bëhet para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Gjatë gjithë bllokadës politike në Kosovë, BE ka bërë thirrje në vazhdimësi për krijim të institucioneve në mënyrë që Kosova të vazhdojë rrugën drejt BE-së me reforma dhe të kthehet në dialogun e Brukselit.

Radio Evropa e Lirë në Pragë raportoi se në një diskutim në Bruksel për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Franca e Italia ishin mbështetëse të idesë që të largohen vetëm 50 për qind e tyre.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit dhe i kushtëzoi ato me shtensionimin e plotë të situatës atje.

Advertisement
Advertisement
Advertisement