Detyra kryesore e Presidentit të zgjedhur Biden - Gazeta Express
string(47) "detyra-kryesore-e-presidentit-te-zgjedhur-biden"

Gazeta Express

19/11/2020 16:40

Detyra kryesore e Presidentit të zgjedhur Biden

Gazeta Express

19/11/2020 16:40

Presidenti Biden dhe i gjithë Perëndimi, nuk kanë tjetër opsion, pos të bëhen bashkë dhe ta ri-bëjnë normalitetin e bërë shkrumb e hi qe një decenie. Kosova do të jetë përfituese e këtij synimi të SHBA-së dhe Perëndimit, siç i ka vuajtur goxha shumë pasojat e prishjes së këtij normaliteti në Amerikë dhe në Evropë.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Me 20 janar të vitit të ardhshëm, Joseph Biden do të inaugurohet Presidenti i 46-të me radhë në historinë 244 vjeçare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse Presidenti në largim, Donald Trump, nuk e ka pranuar disfatën në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, dhe për më shumë, ka angazhuar një armatë juristësh për ta kontestuar dhe për ta zhvlerësuar fitoren e Biden, ’Urbi et Orbi’  (në këtë rast, në Washington dhe në gjithë Botën), askush më nuk dyshon që Biden së shpejti do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë, të SHBA-së dhe të asaj që deri pak vitesh quhej ’Bota e Lirë’.

Fotorja e Biden në këto zgjedhje, mbase, më rëndësishmet për Amerikën dhe Botën që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, nuk mund fort të justifikohet dhe të shpjegohet me një terminologji që i referohet ’ngadhnjmit të vlerave tradicionale amerikane të lirisë dhe të demokracisë’, apo të ’trashëgimisë së demokracisë liberale – demokratike të Perëndimit’, e cila duhej të bëhej, sipas atyre parashikimeve të njohura pas rrëzimit të Murit të Berlinit  (në vitin 1989-të), vlerë dhe pushtet në gjithë Rruzullin Tokësor.

Në vend se të bëhet vlerë dhe pushtet në gjithë Botën, demokracia liberale ka pësuar goditje dhe rënie viteve të fundit, në shumë shtete të Perëndimit, duke nisur këtu nga vetë Amerika.

Donald Trump u bë President i SHBA-së, duke pasë prapa vetes një valë të madhe  (e cila lirisht mund të klasifikohet edhe si cunami), të Popullizmit në Perëndim dhe të politikës së përgjithshme ant-establishment, e cila e largoi Britaninë e Madhe nga BE-ja, që bëri lëmsh gjysmën e Evropës, dhe e cila përkohësisht  (të shpresojmë), divorcoi SHBA-në nga një traditë të veten shekullore, dhe që më fund u ndihmua nga një manipulim i madh përmes Facebook-ut, të cilin në masë të madhe ka hise Vladimir Putin dhe Federata e Rusisë.

Donald Trump humbi pushtetin në Zyren Ovale dhe në SHBA, thuja kryekëput për shkak të Covid-19 apo ’Virusit kinez’  (siç e ka quajtur shpesh ish-Presidenti Trump), gjegjësisht në vijim të mënyrës se si ai dhe Administrata Amerikane e kanë menaxhuar këtë sfidë të madhe e cila bëri lëmsh gjithë Botën e lume, duke përfshirë këtu edhe SHBA-në.

Dikush këtu mund t’i shtojë edhe shumë shkaqe të tjera pse Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë me 19 janar të vitit 2021. Mund të listohen këtu edhe dhjetëra arsye të tjera. Pa dyshim. Por ato, edhe në tërësinë e tyre, nuk do të mund ta sjellnin epilogun e zgjedhjeve të së martës së parë të muajit nëntor.

Po mos ishte Covid-19, Trump, pa kurrfarë dileme, do ta merrte mandatin e dytë të Presidentit të Amerikës.

Kjo është e vërteta aq e thjeshtë dhe po aq e plotë për zgjedhjet e 3 nëntorit në Amerikë.

Kësaj here, në një Amerikë të vetme që bëhet prej dy Botëve krejtësisht të ndryshme, thellësisht të antagonizuara, Biden i fitoi zgjedhjet sepse Trump i humbi vet ato.

Trump është absolutisht më i merituari për këtë ngadhnjim të Bidenit.

Përkundër një ndasie që pothuaj e përgjysmon votën e qytetarëve amerikanë, çfarë mbizotëroi në këtë përplasjen titanike në politikën amerikane ishte mendimi apo bindja: Kush nuk duhet të zgjedhet President.

Biden ka grumbullar rreth vetes votues dhe përkrahës të turlifartë, demokratë dhe republikanë tradicional, neo-konzervativ dhe neo-majtistë, votues urban dhe rural, të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, teksa të gjithë u bashkuan ’me një dëshirë dhe me një qëllim’, që Trump të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Nuk ka pasë këtu konfrontim të madh politik dhe konceptual, sepse tek e mbrama, Trump vet nuk beson fare në asnjë politikë, në asnjë ideologji, në asnjë koncept.

Suksesi është politika, është ideologjia, është koncepti i vetëm i tij.

E gjithë gara ka qenë e reduktuar në mënyrën më brutale të mundshme në zgjedhjen midis dy ngjyrave  (kaltërt ose kuq), dy emrave, dy amerikanëve, dy njerëzve: Trump ose Biden.

Veneruesit e vëmendshëm të zhvillimeve politike në SHBA, këtu mund të shtojnë dhe të shpjegojnë që realisht, në harkun kohor prej zgjedhjeve të vitit 1992-të  (të parave pas fitores së madhe të Amerikës dhe të Perëndimit në ’Luftën e Ftohtë’), deri në këto të fundit të vitit 2020-të  (pra, në 28 vitet e fundit, kur ka pasë tetë zgjedhje presidenciale), vetëm në dy zgjedhje ka pasë një ballafaqim të mirëfilltë politik në mes të kandidatëve për postin më të rëndësishëm politik në Botë.

Zgjedhjet e para të këtilla kanë qenë në vitin 1992, kur karshi njeri tjetrit u gjetën George H. W. Bush, burreshtetasi që fitoi ’Luftën e Ftohtë’ dhe atë të Gjirit  (kundër Irakut), dhe Bill Clinton, Guvernatori i Arkanzasit.

Amerikanët u përcaktuan, për befasinë e gjithë Botës së lume (veçmas të Evropës që po ri-bashkohej kryekëpu falë SHBa-së), për Clintonin, sepse ky u përqëndrua kryekëput në temat e brendshme amerikane dhe në ato të ekonomisë, dhe e dërguan në pension Presidentin Bush, megjithë meritave të jashtëzakonshme në ngadhnjimin në Luftën më të rrezikshme në historinë e njerëzimit, e cila nuk njihte front dhe fushëbetejë të qartë, dhe e cila kishte edhe perespektivën reale të Apokalipsit bërthamor.

Pax Americana do të vazhdonte kështu, pas një fitoreje të madhe në vitet 1989, 1991, me një President që nuk ishte fort i interesuar për ’Obligimet botërore’ të Amerikës.

Dihet çfarë do të ndodhë më pas. Në Evropë dhe në Botë.

Kosova nuk do të çlirohej në qershorin e vitit 1999-të, pa këtë ndryshim thelbësor në politikën ndërkombëtare të Clintonit dhe Administratës së tij.

Zgjedhjet e dyta të këtij soji u mbajtën në nëntorin e vitit 2000, kur emrat e një përplasjeje të fortë në politikën amerikane dhe në atë botërore, ishin ata të Al Goret dhe të George W. Bushit.

Në atë kontrontimin e përhershëm në gjithë historinë e republikës amerikane, në mes të ’intervencionistëve’ dhe ’izolacionistëve’, George W. Bush ishte në këtë kampin e të dytëve, teksa Gore, me mish e me shpirt mundohej të dëshmohej jo si një vazhdues i politikës së Clintonit, por si një politikan që do të jetë i zoti ta udhëheq si duhet Amerikën.

George W. Bush i fitoi zgjedhjet, me fare pak dallim në vota, me një qasje politike e cila do të braktisej nga ai dhe Administrata e tij  (për t’i dhënë udhë botëkuptimit neokonzervativ në Presidencën e tij), në orët e pasdites së 11 shtatorit të vitit 2001, pas sulmit terrorist mbi Amerikën nga Al Qaeda.

Me 11 shtator të vitit 1991, apo, dhjetë vjet para kësaj tronditjeje të madhe për Amerikën dhe Perëndimin, i ati i W.  (siç fare shkurt quhet George W. Bush), George H. W. Bush, në një fjalim mbresëlënës, pati paralajmëruar krijimin e një ’Rendi të ri Botëror’.

Ishin rrethana krejtësisht të tjera, natyrisht. Ky Rend duhej të bazohej në paqe, në drejtësi, në një mëkëmbje sociale dhe ekonomike për gjithë Botën.

Pas 11 shtatorit të vitit 2001, Administrata e George W. Bush, do të angazhohej në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshëm, në bërjen e këtij ’Rendi të ri botëror’.

Por, konteksti historik dhe politik kishte ndryshuar shumë.

Tani, bëhej fjalë për luftën si mjetin kryesor për ndryshimin rrënjësor të zhvillimeve në shtetet që shiheshin si kërcënim për paqe në Amerikë dhe në Perëndim.

Sidoqoftë, si në rastin e ndryshimit të politikës së Presidentit Clinton, ashtu kësaj radhe, kur bëhej fjalë për (r)evolucionin e politikës së Presidentit Bush, Kosova dhe shqiptarët ishin përfitues të mëdhenj.

Administrata e Presidentit Bush, në mandatin e dytë, ishteë më meritorja për krijimin e shtetit të Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008-të.

Pra, pos në rastin e këtyre zgjedhjeve të viteve 1992 dhe 2000, në të gjitha zgjedhjet tjera presidenciale në Amerikë, mbi të gjitha bëhej fjalë për votimin e një kandidati apo politikani që është dukur më i akceptueshëm, më i pranueshëm për amerikanin mesatar.

Kjo do të thotë që në SHBA tash e njëzet vjet nuk ka pasë një përballje të mirëfilltë presidenciale politike dhe konceptuale.

Me gjasë, diçka e tillë (apo, një konfrontim i tillë i madh politik), do të mund të ndodhë në zgjedhjet e vitit 2024.

Viti 2020-të, siç e dimë të gjithë, ka nisur dhe sosur me realitetin e Covid-19, dhe me një synim që t’i kthehemi, kudo dhe sa më parë që është e mundur, një normaliteti para-virusal  (i cili në realitet do të jetë, siç po kuptojmë gjithnjë e më shumë një ’normalitet i ri’).

Pas lajmeve shumë të mira, të ditëve të mbrama,  për zbulimin e vaksinës, duket që prej verës së vitit të ardhshëm, do të nisë krijimi i këtij normaliteti.

Ri-bërja e një normaliteti administrativ, politik dhe diplomatik, duket se është synimi kryesor i Presidentit Joseph Biden.

Por, fatkeqësisht, në politikë dhe në diplomaci, nuk ka dot vaksinë që si me një ’shkop magjik’, do të mund ta kthejë mbarë gjendjen.

Me gjasë, Biden dhe Administrata e tij do të duhet të punojnë ditë dhe natë, për katër vitet e ardhshme, për na këndellur politikën në Amerikë dhe për ti mëkëmbur relacionet me Evropën.

Kur dihet çfarë po ndodhë në gjithë Perëndimin, dhe kur po afrohet largimi i Angela Merkelit, Kancelares së Gjermanisë nga politika  (teksa Merkel është aleate e shkëlqyeshme e Bidenit dhe Administratës së tij), duket që kjo detyrë për Bidenin do të jetë tepër e vështirë, me shumë kurthe dhe shumë rreziqe.

Por Biden dhe e gjithë ’Bota e Lirë’, nuk kanë tjetër alternativë, pos të bëhen bashkë dhe ta ri-bëjnë atë normalitetin e bërë shkrumb e hi qe një decenie a më shumë.  

Kosova gjithsesi do të jetë përfituese e kësaj mësymjeje të SHBA-së dhe Perëndimit, siç i ka vuajtur goxha shumë pasojat e prishjes së këtij normaliteti në Amerikë dhe në Evropë.